← Proverbs (17/31) → |
1. | Éshtë më mirë një copë bukë thatë me paqe se sa një shtëpi plot me kafshë të vrara me grindje. |
2. | Shërbëtori që vepron me urtësi ka për të sunduar mbi të birin që e turpëron dhe do të marrë një pjesë të trashëgimisë bashkë me vëllezërit. |
3. | Poçi është për argjendin dhe furra për arin, por ai që provon zemrat është Zoti. |
4. | Njeriu i keq dëgjon buzët e liga, gënjeshtari dëgjon gjuhën e çoroditur. |
5. | Ai që përqesh të varfërin fyen Atë që e ka krijuar; ai që kënaqet me fatkeqësinë e tjetrit nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. |
6. | Bijtë e bijve janë kurora e pleqve, dhe lavdia e bijve janë etërit e tyre. |
7. | Budallait nuk i shkon një e folur e bukur, aq më pak princit nuk i shkojnë buzë gënjeshtare, |
8. | Një dhuratë është një gur i çmuar në sytë e atij që e ka; ngado që kthehet, ai ia del. |
9. | Kush mbulon një faj fiton dashuri, por kush i rikthehet përsëri ndan miqtë më të mirë. |
10. | Një qortim depërton më thellë te njeriu me mend se sa njëqind goditje te budallai. |
11. | Njeriu i keq nuk kërkon gjë tjetër veç të ngrerë krye, prandaj do të dërgohet kundër tij një lajmëtar mizor. |
12. | Éshtë më mirë të takosh një harushë se cilës i kanë vjedhur këlyshët e vet se sa një budalla në marrëzinë e tij. |
13. | E keqja nuk do të largohet nga shtëpia e atij që së mirës i përgjigjet me të keqen. |
14. | Të fillosh një grindje është sikur t'u çelësh rrugë ujërave; prandaj ndërprite grindjen përpara se të acarohet. |
15. | Ai që nxjerr të pafajshëm fajtorin dhe ai që dënon të drejtin janë që të dy të neveritshëm për Zotin. |
16. | Ç'duhet paraja në duart e budallait? Mos vallë për të blerë dituri, kur ai nuk ka mend fare? |
17. | Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira. |
18. | Njeriu që nuk ka mend jep dorën si garanci dhe merr zotime për të afërmin e tij. |
19. | Ai që do mëkatin i do grindjet, dhe ai që ngre portën e tij kërkon rrënim. |
20. | Njeriu zemërshthurur nuk gjen asnjë të mirë, dhe ai që ka gjuhën e çoroditur bie në telashe. |
21. | Atij që i lind një budalla do t'i vijnë hidhërime dhe ati i një budallai nuk mund të ketë gëzim. |
22. | Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë, por një frymë e dërrmuar i than kockat. |
23. | I pabesi pranon dhurata fshehurazi për të prishur rrugët e drejtësisë. |
24. | Dituria qëndron para atij që ka mend, por sytë e budallait enden deri në cepat më të largëta të dheut. |
25. | Biri budalla është një burim vuajtjesh për atin e tij dhe hidhërim për atë që e ka lindur. |
26. | Nuk është mirë të dënosh të drejtin, as të godasësh princat për ndershmërinë e tyre. |
27. | Kush i mat fjalët e veta ka dije, dhe kush ka një shpirt të qetë është njeri i matur. |
28. | Budallai, edhe kur hesht, konsiderohet i urtë dhe, kur i mban të mbyllura buzët e tij, konsiderohet i zgjuar. |
← Proverbs (17/31) → |