← Proverbs (16/31) → |
1. | Prirjet e zemrës i përkasin njeriut, por përgjigja e gjuhës vjen nga Zoti. |
2. | Të gjitha rrugët e njeriut janë të pastra në sytë e tij, por Zoti i peshon frymët. |
3. | Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen. |
4. | Zoti ka bërë çdo gjë për vete të tij, edhe të pabesin për ditën e fatkeqësisë. |
5. | Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin; edhe sikur t'i shtrëngojë dorën një tjetri për besëlidhje, nuk ka për të mbetur pa u ndëshkuar. |
6. | Me mirësinë dhe me të vërtetën padrejtësia shlyhet, dhe me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja. |
7. | Kur Zotit i pëlqejnë rrugët e një njeriu, ai bën që edhe armiqtë e tij të bëjnë paqe me të. |
8. | Më mirë të kesh pak me drejtësi, se sa të ardhura të mëdha pa drejtësi. |
9. | Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij. |
10. | Mbi buzët e mbretit është një vendim hyjnor; gjatë gjykimit goja e tij nuk duhet të gabojë. |
11. | Kandari dhe peshoret e sakta janë të Zotit, të gjitha gurët e peshës janë vepër e tij. |
12. | Éshtë një gjë e neveritshme për mbretërit të bëjnë të keqen, sepse froni bëhet i qëndrueshëm me drejtësinë. |
13. | Buzët e drejta u pëlqejnë mbretërve; ata e duan atë që flet drejt. |
14. | Zemërimi i mbretit është si lajmëtari i vdekjes, por njeriu i urtë do ta qetësojë atë. |
15. | Në dritën e fytyrës së mbretit ka jetë, dhe favori i tij është si reja e shiut të fundit. |
16. | Éshtë më mirë të fitosh dituri se sa ar, dhe të fitosh mënçuri se sa argjend. |
17. | Rruga kryesore e njerëzve të drejtë është të evitojnë të keqen; ai që do ta ruajë shpirtin e tij mbikqyr rrugën e tij. |
18. | Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare. |
19. | Më mirë të kesh frymë të përulur me të mjerët se sa të ndash prenë me krenarët. |
20. | Kush i kushton kujdes Fjalës do të gjejë të mirën, dhe kush i beson Zotit është i lumtur. |
21. | I urti nga zemra do të quhet i matur, dhe ëmbëlsia e buzëve e shton diturinë. |
22. | Mendja është një burim jete për atë që e zotëron, por budallallëku është dënimi i budallenjve. |
23. | Zemra e të urtit e bën të mençur gojën e tij dhe e shton diturinë e buzëve të tij. |
24. | Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat. |
25. | Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes. |
26. | Personi që lodhet, lodhet për veten e tij, sepse goja e tij e nxit. |
27. | Njeriu i keq kurdis të keqen dhe mbi buzët e tij ka si një zjarr të ndezur. |
28. | Njeriu i çoroditur mbjell grindje dhe ai që shpif përçan miqtë më të mirë. |
29. | Njeriu i dhunës e josh shokun e vet dhe e çon nëpër një rrugë jo të mirë. |
30. | Kush mbyll sytë për të kurdisur gjëra të këqija, kafshon buzët kur shkakton të keqen. |
31. | Flokët e bardha janë një kurorë lavdie; atë e gjejmë në rrugën e drejtësisë. |
32. | Kush nuk zemërohet shpejt vlen më tepër se një luftëtar i fortë, dhe ai që e urdhëron frymën e tij vlen më tepër se ai që mposht një qytet. |
33. | Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga Zoti. |
← Proverbs (16/31) → |