← Proverbs (15/31) → |
1. | Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin. |
2. | Gjuha e të urtëve përdor dijen ndershmërisht, por goja e budallenjve nxjerr marrëzira. |
3. | Sytë e Zotit janë kudo për të shikuar të këqijtë dhe të mirët. |
4. | Një gjuhë e shëndoshë është një dru i jetës, por gjuha e çoroditur e sfilit shpirtin. |
5. | Budallai e përçmon korrigjimin e atit të tij, por ai që e çmon kritikën vepron me zgjuarsi. |
6. | Në shtëpinë e të drejtit ka bollëk të madh, por në të ardhurat e të pabesit ka telashe. |
7. | Buzët e të urtëve përhapin dijen, por nuk vepron kështu zemra e budallenjve. |
8. | Sakrifica e të pabesëve është një neveri për Zotin, por lutja e njerëzve të drejtë i pëlqen atij. |
9. | Rruga e të pabesit është një neveri për Zotin, por ai do atë që ndjek drejtësinë. |
10. | Një qortim i rëndë pret atë që braktis rrugën e drejtë, ai që urren kritikën ka për të vdekur. |
11. | Sheoli dhe Abadoni janë para Zotit; ca më tepër janë zemrat e bijve të njerëzve! |
12. | Tallësi nuk e do atë që e kritikon; ai nuk shkon tek të urtët. |
13. | Një zemër e gëzuar e bën të lumtur fytyrën, por nga pikëllimi i zemrës fryma dërrmohet. |
14. | Zemra e njeriut me mend kërkon dijen, por goja e budallenjve ushqehet me marrëzi. |
15. | Të gjitha ditët e të varfërit janë të këqija, por për një zemër të kënaqur ka festë përherë. |
16. | Më mirë pak me frikën e Zotit, se sa një thesar i madh me shqetësime. |
17. | Më mirë një pjatë me perime në të cilën ka dashuri se sa një ka i majmur në të cilin ka urrejtje. |
18. | Njeriu gjaknxehtë nxit grindje, por ai që nuk zemërohet shpejt i qetëson grindjet. |
19. | Rruga e përtacit është si një gardh ferrash, por shtegu i njerëzve të drejtë është i sheshtë. |
20. | Biri i urtë gëzon të atin, por njeriu budalla përçmon të ëmën. |
21. | Marrëzia është gëzim për atë që nuk ka mend, por njeriu që ka mend ecën drejt. |
22. | Planet dështojnë ku nuk ka arsye, por realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh. |
23. | Një njeri ndjen gëzim kur mund të jap një përgjigje dhe sa e mirë është fjala që thuhet në kohën e duhur! |
24. | Njeriun e matur rruga e jetës e çon lart në mënyrë që të evitojë Sheolin poshtë. |
25. | Zoti do të shkatërrojë shtëpinë e krenarëve, por do t'i bëjë të qëndrueshëm kufijtë e gruas së ve. |
26. | Mendimet e këqija janë të neveritshme për Zotin, por fjalët e ëmbla janë të pastra. |
27. | Kush lakmon fitime vë në rrezik shtëpinë e vet, por ai që i urren dhuratat ka për të jetuar. |
28. | Zemra e të drejtit mendon thellë se si duhet të përgjigjet, por goja e të pabesit vjell gjëra të këqija. |
29. | Zoti u rri larg të pabesëve, por dëgjon lutjet e të drejtëve. |
30. | Drita e syve gëzon zemrën, një lajm i mirë i fortëson kockat. |
31. | Veshi që e dëgjon kritikën e jetës ka për të qëndruar bashkë me të urtët. |
32. | Kush nuk pranon qortimin e përçmon vetë shpirtin e tij, por ai që dëgjon qortimin bëhet më i urtë. |
33. | Frika e Zotit është një mësim diturie, dhe përpara lavdisë vjen përulësia. |
← Proverbs (15/31) → |