← Proverbs (14/31) → |
1. | Gruaja e urtë ndërton shtëpinë e saj, por budallaqja e shkatërron me duart e veta. |
2. | Kush ecën në drejtësinë e tij ka frikë nga Zoti, por ai që çoroditet në rrugët e tij e përçmon atë. |
3. | Në gojën e budallait gjejmë farën e kryelartësisë, por të urtët e ruajnë gojën e tyre. |
4. | Aty ku nuk ka qe grazhdi është bosh, por bollëku i korrjes qëndron në forcën e kaut. |
5. | Dëshmitari i ndershëm nuk gënjen, por dëshmitari i rremë thotë gënjeshtra. |
6. | Tallësi kërkon diturinë dhe nuk e gjen, por dija është një gjë e lehtë për atë që ka mend. |
7. | Largohu nga njeriu budalla sepse nuk do të gjesh dituri mbi buzët e tij. |
8. | Dituria e njeriut të matur qëndron në të dalluarit e rrugës së tij, por marrëzia e budallenjve është mashtrim. |
9. | Budallenjtë qeshin me mëkatin, por midis njerëzve të drejtë është falja. |
10. | Zemra njeh trishtimin e vet, por një i huaj nuk mund të marrë pjesë në gëzimin e saj. |
11. | Shtëpia e të pabesëve do të shkatërrohet, por çadra e njerëzve të drejtë do të lulëzojë. |
12. | Éshtë një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes. |
13. | Edhe kur qesh, zemra mund të jetë e pikëlluar, dhe vetë gëzimi mund të përfundojë në vuajtje. |
14. | Zemërpërdali do të ngopet me rrugët e tij, dhe njeriu i mirë do të ngopet me frytet e tij. |
15. | Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij. |
16. | Njeriu i urtë i trëmbet së keqes dhe largohet prej saj, por budallai zemërohet dhe është fodull. |
17. | Ai që zemërohet me lehtësi kryen marrëzi dhe njeriu që ka qëllime të këqija është i urryer. |
18. | Teveqelit e trashëgojnë budallallëkun, por njerëzit e matur kurorëzohen me dije. |
19. | Njerëzit e këqij do të përkulen përpara njerëzve të mirë dhe të pabesët në portat e të drejtëve. |
20. | Të varfërin e urren vetë miku i tij, por i pasuri ka shumë miklues. |
21. | Kush përçmon të afërmin e vet, mëkaton, por ai që ka mëshirë për të varfërit është i lumtur. |
22. | A nuk devijojnë, vallë nga rruga e drejtë ata që kurdisin të keqen? Por ata që mendojnë të mirën kanë për të gjetur mirësi dhe të vërtetën. |
23. | Në çdo mundim ka një fitim, por fjalët e kota çojnë vetëm në varfëri. |
24. | Kurora e njerëzve të urtë është pasuria e tyre, por marrëzia e budallenjve është marrëzi. |
25. | Një dëshmitar që thotë të vërtetën shpëton jetën e njerëzve, por një dëshmitar i rremë thotë gënjeshtra. |
26. | Në frikën e Zotit gjendet një siguri e madhe, dhe bijtë e tij do të kenë një vend strehimi. |
27. | Frika e Zotit është një burim jete, që i shmang leqet e vdekjes. |
28. | Lavdia e mbretit qëndron në turmën e popullit, por shkatërrimi i princit qëndron në mungesën e njerëzve. |
29. | Kush është i ngadalshëm në zemërim është shumë i matur, por ai që rrëmbehet me lehtësi vë në dukje marrëzinë e tij. |
30. | Një zemër e shëndoshë është jetë për trupin, por lakmia është krimbi brejtës i kockave. |
31. | Kush shtyp të varfërin fyen rëndë atë që e ka bërë, por ai që ka mëshirë për nevojtarin e nderon atë. |
32. | I pabesi përmbyset nga vetë ligësia e tij, por i drejti ka shpresë në vetë vdekjen e tij. |
33. | Dituria prehet në zemrën e atij që ka mend, por ajo që është në zemrën e budallenjve merret vesh. |
34. | Drejtësia e larton një komb, por mëkati është turpi i popujve. |
35. | Dashamirësia e mbretit është për shërbëtorin që vepron me urtësi, por zemërimi i tij është kundër atij që sillet me paturpësi. |
← Proverbs (14/31) → |