| ← Proverbs (12/31) → |
| 1. | Kush e do korrigjimin do diturinë, por ai që e urren kritikën është budalla. |
| 2. | Njeriu i mirë gëzon përkrahjen e Zotit, por ky do të dënojë njeriun që sajon plane të këqija. |
| 3. | Njeriu nuk bëhet i qëndrueshëm me pabesinë, por rrënja e të drejtëve nuk do të lëvizet kurrë. |
| 4. | Gruaja e virtytshme është kurora e burrit të saj, por ajo që e turpëron është si një krimb në kockat e tij. |
| 5. | Mendimet e të drejtëve janë drejtësia, por synimet e të pabesëve janë mashtrimi. |
| 6. | Fjalët e të pabesëve rrinë në pritë për të derdhur gjak, por goja e njerëzve të drejtë do t'i çlirojë. |
| 7. | Të pabesët janë përmbysur dhe nuk janë më, por shtëpia e të drejtëve do të mbetet më këmbë. |
| 8. | Një njeri lëvdohet për gjykimin e tij, por ai që ka një zemër të çoroditur do të përçmohet. |
| 9. | Éshtë më mirë të të çmojnë pak dhe të kesh një shërbëtor, se sa të të nderojnë dhe të mos kesh bukë. |
| 10. | I drejti kujdeset për jetën e bagëtisë së tij, por të përbrendshmet e të pabesëve janë mizore. |
| 11. | Kush punon tokën e tij do të ngopet me bukë, por ai që shkon pas kotësive është pa mend. |
| 12. | I pabesi dëshiron gjahun e njerëzve të këqij, por rrënja e të drejtëve sjell fryt. |
| 13. | Njeriu i keq kapet në kurthin e mëkatit të buzëve të tij, por i drejti do t'i shpëtojë fatkeqësisë. |
| 14. | Njeriu do të ngopet me të mira për frytin e gojës së tij, dhe secili do të marrë shpërblimin simbas veprës së duarve të tij. |
| 15. | Rruga e budallait është e drejtë para syve të tij, por ai që dëgjon këshillat është i urtë. |
| 16. | Budallai e tregon menjëherë pezmatimin e tij, por njeriu i matur e fsheh turpin. |
| 17. | Ai që thotë të vërtetën shpall atë që është e drejtë, por dëshmitari i rremë thotë mashtrime. |
| 18. | Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë, por gjuha e të urtëve sjell shërim. |
| 19. | Buza që thotë të vërtetën, do të bëhet e qëndrueshme përjetë, por gjuha që gënjen zgjat vetëm një çast. |
| 20. | Mashtrimi është në zemrën e atyre që kurdisin të keqen, por për ata që këshillojnë paqen ka gëzim. |
| 21. | Asnjë e keqe nuk do t'i ndodhë të drejtit, por të pabesët do të kenë plot telashe. |
| 22. | Buzët gënjeshtare janë të neveritshme për Zotin, por ata që veprojnë me çiltërsi i pëlqejnë atij. |
| 23. | Njeriu i matur e fsheh diturinë e tij, por zemra e budallenjve shpall budallallëkun e tyre. |
| 24. | Dora e njeriut të kujdeshëm do të sundojë, por dora e përtacëve do t'i nënshtrohet punës së detyrueshme. |
| 25. | Shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë, por një fjalë e mirë e gëzon atë. |
| 26. | I drejti e zgjedh me kujdes shokun e tij, por rruga e të pabesëve i bën që të humbasin. |
| 27. | Përtaci nuk e pjek gjahun e tij, por kujdesi për njeriun është një pasuri e çmueshme. |
| 28. | Mbi shtegun e drejtësisë ka jetë, dhe mbi këtë shteg nuk ka vdekje. |
| ← Proverbs (12/31) → |