| ← Proverbs (11/31) → |
| 1. | Peshorja e pasaktë është e neveritshme për Zotin, por peshimi i saktë i pëlqen. |
| 2. | Kur vjen kryelartësia, vjen edhe turpi; por dituria është me njerëzit e thjeshtë. |
| 3. | Njerëzit e drejtë udhëhiqen nga ndershmëria, por ligësia e të pabesëve do t'i shkatërrojë këta. |
| 4. | Pasuritë nuk sjellin dobi ditën e zemërimit, por drejtësia të shpëton nga vdekja. |
| 5. | Drejtësia e njeriut të ndershëm i hap rrugën, por i pabesi bie për shkak të paudhësisë së tij. |
| 6. | Drejtësia e njerëzve të drejtë i çliron këta, por njerëzit e pabesë do të kapen nga vetë ligësia e tyre. |
| 7. | Kur vdes një i pabesë, shpresa e tij humb dhe shpresa e njerëzve të padrejtë davaritet. |
| 8. | I drejti çlirohet nga fatkeqësia, por i pabesi i zë vendin. |
| 9. | Me gojën e tij hipokriti shkatërron të afërmin e tij, por të drejtët çlirohen për shkak të dijes së tyre. |
| 10. | Kur të drejtët begatohen, qyteti gëzohet; por kur vdesin të pabesët, dëgjohen britma gëzimi. |
| 11. | Nga bekimi i njerëzve të drejtë qyteti ngrihet, por goja e të pafeve e çon në shkatërrim. |
| 12. | Kush e përbuz të afërmin e tij nuk ka mend, por njeriu i matur hesht. |
| 13. | Kush shkon rreth e qark duke përfolur, nxjerr sekretet, por ai që ka një shpirt besnik i fsheh ato. |
| 14. | Pa një udhëheqje të urtë populli bie, por gjen shpëtim në numrin e madh të këshilltarëve. |
| 15. | Kush bëhet garant për një të huaj do të pësojë dëmet e këtij veprimi, por ai që refuzon të japë dorën si garant është i sigurt. |
| 16. | Gruaja e bukur fiton lavdinë dhe njerëzit e dhunshëm grumbullojnë pasuri. |
| 17. | Njeriu i mëshirshëm i bën të mirë vetes, kurse njeriu mizor mundon mishin e tij. |
| 18. | I pabesi realizon një fitim të rremë, por ai që mbjell drejtësi do të ketë një shpërblim të sigurt. |
| 19. | Ashtu si drejtësia të çon në jetë, kështu ai që shkon pas të keqes gjen vdekjen. |
| 20. | Të çoroditurit nga zemra janë të neveritur për Zotin, por ata që janë të ndershëm në sjelljen e tyre pëlqehen nga ai. |
| 21. | Edhe kur i shtrëngon dorën një tjetri për një besëlidhje, njeriu i keq nuk do të mbetet i pandëshkuar, por pasardhësit e të drejtëve do të shpëtojnë. |
| 22. | Si një unazë ari në feçkën e një derri, kështu është një grua e bukur që nuk ka mend. |
| 23. | Dëshira e të drejtëve është vetëm e mira, por shpresa e të pabesëve është zemërimi. |
| 24. | Ka nga ata që shkapërderdhin bujari dhe bëhen më të pasur, dhe ka nga ata që kursejnë më tepër se duhet dhe bëhen gjithnjë e më të varfër. |
| 25. | Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që vadit do të vaditet gjithashtu. |
| 26. | Populli mallkon atë që nuk pranon të japë grurin, por bekimi bie mbi kokën e atij që e shet. |
| 27. | Kush kërkon me zell të mirën fiton dashamirësinë, por ai që kërkon të keqen, kjo do t'i bjerë mbi të. |
| 28. | Kush ka besim në pasuritë e tij do të rrëzohet, por të drejtët do të çelin si gjethe. |
| 29. | Ai që bën rrëmujë në shtëpinë e vet do të trashëgojë erën, dhe budallai do të jetë shërbëtori i atij që është i urtë nga zemra. |
| 30. | Fryti i të drejtit është një dru i jetës, dhe ai që shtie në dorë shpirtërat është i urtë. |
| 31. | Ja, i drejti merr shpërblimin mbi tokë, e aq më tepër i pabesi dhe mëkatari! |
| ← Proverbs (11/31) → |