← Numbers (8/36) → |
1. | Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: |
2. | "Foli Aaronit dhe i thuaj: Kur do të vendosësh llambat, shtatë llambat duhet të ndriçojnë pjesën e përparme të shandanit". |
3. | Dhe Aaroni veproi kështu: i vendosi llambat në mënyrë që të ndriçonin pjesën e përparme të shandanit, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
4. | Shandani ishte ndërtuar kështu: ishte prej ari të rrahur; ishte punuar me çekiç nga këmba e tij deri tek lulet e tij. Moisiu e kishte bërë shandanin simbas modelit që i kishte treguar Zoti. |
5. | Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë: |
6. | "Merr Levitët ndër bijtë e Izraelit dhe pastroji. |
7. | Do të veprosh kështu për t'i pastruar: do të spërkatësh ujë mbi ta për t'i pastruar; pastaj do të heqin një brisk mbi tërë trupin e tyre, do të lajnë rrobat e tyre dhe do të pastrohen. |
8. | Pastaj do të marrin një dem të vogël me blatimin e ushqimit prej majë mielli të përzier me vaj ndërsa ti do të marrësh një dem tjetër si flijim për mëkatin. |
9. | Do t'i afrosh Levitët përpara çadrës së mbledhjes dhe do të thërrasësh tërë asamblenë e bijve të Izraelit. |
10. | Kështu do t'i afrosh Levitët përpara Zotit dhe bijtë e Izraelit do të vënë duart e tyre mbi Levitët; |
11. | pastaj Aaroni do t'i paraqesë Levitët si ofertë të tundur para Zotit nga ana e bijve të Izraelit, me qëllim që të kryejnë shërbimin e Zotit. |
12. | Pastaj Levitët do të vënë duart e tyre mbi kokën e demave të vegjël, dhe ti do të ofrosh njërin prej tyre si flijim për mëkatin dhe tjetrin si olokaust për Zotin, për të bërë shlyerjen për Levitët. |
13. | Do t'i mbash më këmbë Levitët përpara Aaronit dhe para bijve të tij dhe do t'i paraqitësh si një ofertë të tundur për Zotin. |
14. | Kështu do t'i ndash Levitët nga gjiri i bijve të Izraelit dhe Levitët do të jenë të mitë. |
15. | Pas kësaj Levitët do të hyjnë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbimin; kështu ti do t'i pastrosh dhe do t'i paraqitësh si një ofertë të tundur, |
16. | sepse më janë dhënë plotësisht nga gjiri i bijve të Izraelit; unë i mora për vete, në vend të të gjithë atyre që çelin barkun e nënës, në vend të të parëlindurve të të gjithë bijve të Izraelit. |
17. | Sepse të gjithë të parëlindurit e bijve të Izraelit, si të njerëzve ashtu dhe të kafshëve, më takojnë mua; i shenjtërova për vete ditën që godita tërë të parëlindurit në vendin e Egjiptit. |
18. | Mora Levitët në vend të të gjithë të parëlindurve të bijve të Izraelit. |
19. | Dhe i dhurova Aaronit dhe bijve të tij Levitët nga gjiri i bijve të Izraelit me qëllim që të kryejnë shërbimin e bijve të Izraelit në çadrën e mbledhjes dhe që të bëjnë shlyerjen për bijtë e Izraelit, që të mos ndodhë asnjë fatkeqësi midis bijve të Izraelit kur i afrohen shenjtërores". |
20. | Kështu vepruan Moisiu, Aaroni dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit me Levitët; bijtë e Izraelit u bënë Levitëve të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut lidhur me ta. |
21. | Dhe Levitët u pastruan dhe i lanë rrobat e tyre; pastaj Aaroni i paraqiti si një ofertë të tundur përpara Zotit dhe bëri shlyerjen për ta, për t'i pastruar. |
22. | Pas kësaj Levitët hynë në çadrën e mbledhjes për të bërë shërbimin e tyre në prani të Aaronit dhe të bijve të tij. Ata u bënë Levitëve atë që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut lidhur me ta. |
23. | Pastaj Zoti i foli Moisiut duke i thënë: |
24. | "Kjo është ajo që u takon Levitëve; nga mosha njëzet e pesë vjeç e lart Leviti do të hyjë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbimet e rastit; |
25. | në moshën pesëdhjetë vjeç do ta ndërpresë këtë shërbim dhe nuk do të shërbejë më. |
26. | Do të mund të ndihmojë vëllezërit e tij në çadrën e mbledhjes, ndërsa këta kryejnë detyrat e tyre; por ai vetë nuk do të kryejë asnjë shërbim. Kështu do të veprosh me Levitët lidhur me detyrat e tyre". |
← Numbers (8/36) → |