← Numbers (4/36) → |
1. | Zoti i foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë: |
2. | "Numëroni bijtë e Kehathit, midis bijve të Levit, në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, |
3. | nga mosha tridhjetë vjeç e lart deri në moshën pesëdhjetë vjeç, të të gjithë atyre që hyjnë në shërbim për të punuar në çadrën e mbledhjes. |
4. | Ky është shërbimi i bijve të Kehathit në çadrën e mbledhjes, që ka të bëjë me gjërat shumë të shenjta. |
5. | Kur kampi duhet lëvizur, Aaroni dhe bijtë e tij do të vinë për të hequr velin e ndarjes dhe do të mbulojnë me të arkën e dëshmisë; |
6. | pastaj do të vënë mbi të një mbulesë prej lëkure të baldosës, do të shtrijnë mbi të një cohë krejt ngjyrë vjollce dhe do të fusin në të shtizat e saj. |
7. | Do të shtrijnë një cohë ngjyrë vjollce mbi tryezën e bukëve të paraqitjes dhe do të vënë mbi të pjatat, gotat, legenët dhe kupat e libacioneve; mbi të do të jetë edhe buka e përjetshme. |
8. | Mbi këto gjëra do të shtrijnë një cohë të kuqe të ndezur dhe mbi të një mbulesë prej lëkure të baldosës, dhe do të fusin në të shtizat. |
9. | Pastaj do të marrin një mbulesë ngjyrë vjollce, me të cilën do të mbulojnë shandanin e ndriçimit, llambat e tij dhe gërshërët e tij, të gjitha enët e vajit të caktuara për shërbimin; |
10. | pastaj do ta vënë shandanin me të gjithë veglat e tij në një mbulesë prej lëkure të baldosës dhe do ta vendosin mbi një bartinë. |
11. | Do të shtrijnë mbi altarin prej ari një pëlhurë ngjyrë vjollce dhe mbi të një mbulesë prej lëkure të baldosës dhe do të futin në të shtizat. |
12. | Pastaj do të marrin të gjitha veglat e shërbimit që përdoren në shenjtëroren, do t'i fusin në një cohë ngjyrë vjollce, do t'i mbështjellin me një mbulesë prej lëkure të baldosës dhe do t'i vendosin mbi një bartinë. |
13. | Pastaj do të heqin hirin nga altari dhe do të shtrijnë mbi të një cohë të kuqe; |
14. | mbi të do të vendosen të gjitha veglat që përdoren për shërbimin e tij, mangallet, mashat, lopatëzat, legenat, të gjitha veglat e altarit; do të shtrijnë mbi të një mbulesë prej lëkure të baldosës dhe do të futin në të shtizat. |
15. | Pasi që Aaroni dhe bijtë e tij të kenë mbaruar së mbuluari shenjtëroren dhe tërë orenditë e saj, kur kampi është bërë gati të niset, bijtë e Kehathit do të vijnë për t'i mbartur, por ata nuk do të prekin gjërat e shenjta, që të mos vdesin. Këto janë gjërat nga çadra e mbledhjes të cilat bijtë e Kehathit duhet të trasportojnë. |
16. | Eleazari, bir i priftit Aaron, do të ngarkohet me vajin e shandanit, me temjanin aromatik, me ofertën e përjetshme të ushqimit dhe të vajit të vajosjes; ai do të ngarkohet edhe me tërë tabernakullin dhe tërë gjërat që përmban ai, me shenjtëroren dhe pajisjet e saj". |
17. | Pastaj Zoti u foli Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë: |
18. | "Kini kujdes që klani i familjeve të Kehathitëve të mos shfaroset në mes të Levitëve; |
19. | bëni, pra, këtë për ta, me qëllim që ata të jetojnë dhe të mos vdesin kur u afrohen gjërave shumë të shenjta: Aaroni dhe bijtë e tij do të hyjnë dhe do t'i caktojnë secilit shërbimin e tij dhe detyrën e tij. |
20. | Por ata nuk do të hyjnë për të parë në kohën kur gjërat e shenjta po mbulohen, që të mos vdesin". |
21. | Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: |
22. | "Numëro edhe bijtë e Gershonit, në bazë të shtëpive të etërve të tyre dhe të familjeve të tyre. |
23. | Do ta bësh regjistrimin nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç të të gjithë atyre që hyjnë për të bërë shërbimin, për të punuar në çadrën e mbledhjes. |
24. | Kjo është detyra e familjeve të Gershonitëve, shërbimi që duhet të kryejnë dhe gjërat që duhet të sjellin: |
25. | do të bartin pëlhurat e tabernakullit dhe çadrën e mbledhjes, mbulesën e saj, mbulesën prej lëkure të baldosës që është sipër dhe perden në hyrje të çadrës së mbledhjes, |
26. | perdet e oborrit me perden për hyrjen në oborr, perdet që janë rreth tabernakullit dhe altarit, litarët e tyre dhe të gjitha veglat e caktuara për shërbimin e tyre; ç'të jetë e nevojshme të bëhet ata do ta bëjnë. |
27. | Tërë shërbimi i bijve të Gershonitëve, të gjitha gjërat që duhet të bartin dhe të gjitha gjërat që duhet të kryejnë, do të bëhen me urdhër të Aaronit dhe të bijve të tij; ju do t'u ngarkoni atyre përgjegjësinë për tërë gjërat që duhet të bartin. |
28. | Ky është shërbimi i familjeve të Gershonitëve në çadrën e mbledhjes; dhe detyrat e tyre do t'i kryejnë nën urdhrat e Ithamarit, birit të priftit Aaron. |
29. | Do të bësh regjistrimin e bijve të Merarit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre; |
30. | do të bësh regjistrimin nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç të të gjithë atyre që hyjnë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbime. |
31. | Kjo është ajo që i është besuar përgjegjësisë së tyre në pajtim me gjithë shërbimin e tyre në çadrën e mbledhjes; dërrasat e tabernakullit, traversat, shtyllat dhe bazat e tij, |
32. | shtyllat që ndodhen rreth e rrotull oborrit, bazat e tyre, kunjat e tyre, litarët e tyre, me të gjitha veglat e tyre dhe tërë shërbimet që këto gjëra përmbajnë; dhe do t'i caktoni secilit personalisht objektet që duhet të mbajë. |
33. | Ky është shërbimi i familjeve të bijve të Merarit, në pajtim me detyrat e tyre në çadrën e mbledhjes, nën urdhërat e Ithamarit, birit të priftit Aaron". |
34. | Moisiu, Aaroni dhe prijësit e asamblesë kryen, pra, regjistrimin e bijve të Kehathitëve në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, |
35. | e të gjithë atyre që nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri pesëdhjetë vjeç hynin për të shërbyer në çadrën e mbledhjes. |
36. | Ata që u regjistruan simbas familjeve të tyre ishin dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë. |
37. | Këta qenë ata që u regjistruan nga familjet e Kehathitëve, të gjithë ata që shërbenin në çadrën e mbledhjes; Moisiu dhe Aaroni bënë regjistrimin e tyre simbas urdhrit që Zoti kishte dhënë me anë të Moisiut. |
38. | Ata që u regjistruan nga bijtë e Gershonit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, |
39. | nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç, tërë ata që hynin për të shërbyer në çadrën e mbledhjes; |
40. | ata që u regjistruan në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, ishin dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë. |
41. | Këta qenë ata që u regjistruan nga familjet e Gershonit, të gjithë ata që bënin shërbim në çadrën e mbledhjes; Moisiu dhe Aaroni kryen regjistrimin e tyre simbas urdhrit të Zotit. |
42. | Ata që u regjistruan nga familjet e bijve të Merarit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, |
43. | nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç, tërë ata që hynin për të shërbyer në çadrën e mbledhjes; |
44. | ata që u regjistruan simbas familjeve të tyre ishin tre mijë e dyqind. |
45. | Këta janë ata që u regjistruan nga familjet e bijve të Merarit; ata që u regjistruan nga Moisiu dhe Aaroni, simbas urdhërit të Zotit të dhënë me anë të Moisiut. |
46. | Të gjithë ata që u regjistruan nga Levitët, që Moisiu, Aaroni dhe prijësit e Izraelit i regjistruan, në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, |
47. | nga mosha tridhjetë vjeç e lart deri në moshën pesëdhjetë vjeç, tërë ata që hynin për të shërbyer dhe për të mbajtur pesha në çadrën e mbledhjes; |
48. | ata që u regjistruan ishin tetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë. |
49. | Ata u regjistruan, simbas urdhrit të Zotit për Moisiun, secili në bazë të shërbimit që duhet të bënte dhe të asaj që duhet të mbante. Kështu ata u regjistruan nga ai, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
← Numbers (4/36) → |