← Numbers (36/36) |
1. | Kryefamiljarët e bijve të Galaadit, birit të Makielit, bir i Manasit, të familjeve të bijve të Jozefit, u ngritën më këmbë dhe i dolën përpara Moisiut dhe prijësve, kryefamiljarëve të bijve të Izraelit, |
2. | dhe thanë: "Zoti ka urdhëruar zotërinë time t'u japë në trashëgimi me short vendin e bijve të Izraelit; zotëria ime ka marrë gjithashtu urdhërin e Zotit t'u japë trashëgiminë e vëllait tonë Tselofehad bijave të tij. |
3. | Në qoftë se ato martohen me një nga bijtë e fiseve të tjera të Izraelit, trashëgimia e tyre do të hiqet nga trashëgimia e etërve tanë dhe do t'i shtohet trashëgimisë së fisit në të cilin do të hyjnë; kështu do të hiqet nga trashëgimia që na ra në short. |
4. | Kur të vijë jubileu i bijve të Izraelit, trashëgimia e tyre do t'i shtohet trashëgimisë së fisit të cilit i përkasin tani; kështu trashëgimia e tyre do të hiqet nga trashëgimia e fisit të etërve tanë". |
5. | Atëherë Moisiu urdhëroi bijtë e Izraelit simbas porosisë që kishte nga Zoti, duke thënë: "Fisi i bijve të Jozefit e ka mirë. |
6. | Kjo është ajo që Zoti urdhëron lidhur me bijat e Tselofehadit: "Ato mund të martohen me cilindo që u duket i përshtatshëm, mjafton që të martohen në një familje që bën pjesë në fisin e etërve të tyre". |
7. | Kështu trashëgimia e bijve të Izraelit nuk do të kalojë nga një fis në tjetrin, sepse çdo bir i Izraelit do të mbetet i lidhur me trashëgiminë e fisit të etërve të tij. |
8. | Dhe çdo vajzë që zotëron një trashëgimi në një nga fiset e bijve të Izraelit, do të martohet me një burrë që i përket një familjeje të fisit të atit të saj; kështu çdo bir i Izraelit do të ruajë trashëgiminë e etërve të tij. |
9. | Në këtë mënyrë asnjë trashëgimi nuk do të kalojë nga një fis në tjetrin, por secili fis i bijve të Izraelit do të mbetet i lidhur me trashëgiminë e tij". |
10. | Bijat e Tselofehadit vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
11. | Mahlah, Thirtsah, Hoglah, Milkah dhe Noah, bija të Tselofehadit, u martuan me bijtë e ungjërve të tyre; |
12. | u martuan në familjet e bijve të Manasit, birit të Jozefit, dhe trashëgimia e tyre mbeti në fisin e familjes së tyre. |
13. | Këto janë urdhërimet dhe dekretet që Zoti u dha bijve të Izraelit me anë të Moisiut në fushat e Moabit pranë Jordanit, në bregun përballë Jerikos. |
← Numbers (36/36) |