← Numbers (35/36) → |
1. | Zoti i foli akoma Moisiut në fushat e Moabit pranë Jordanit, në bregun përballë Jerikos, dhe i tha: |
2. | "Urdhëro bijtë e Izraelit që, nga trashëgimia që do të zotërojnë, t'u japin Levitëve disa qytete për të banuar, do t'u jepni gjithashtu kullota rreth qyteteve. |
3. | Dhe ata do të kenë qytete për të banuar, ndërsa kullotat do t'u shërbejnë për bagëtinë e tyre dhe për të gjitha kafshët e tyre. |
4. | Kullotat e qyteteve që do t'u jepni Levitëve do të shtrihen nga muret e qyteteve e tutje, një mijë kubitë, rreth e qark. |
5. | Do të masni, pra, jashtë qytetit dy mijë kubitë nga ana e lindjes, dy mijë kubitë nga ana e jugut, dy mijë kubitë nga ana perëndimore dhe dy mijë kubitë nga ana veriore; qyteti do të ndodhet në mes. Këto janë tokat për kullotë rreth qyteteve që do t'u përkasin Levitëve. |
6. | Ndër qyetet që do t'u jepni Levitëve do të caktoni qytete strehimi, në të cilat mund të gjejë strehim ai që ka vrarë dikë; dhe këtyre qyteteve do t'u shtoni dyzet e dy qytete të tjera. |
7. | Gjithsej qytetet që do t'u jepni Levitëve do të jenë, pra, dyzet e tetë bashkë me tokat për kullotë. |
8. | Qytetet që do t'u jepni Levitëve do të rrjedhin nga pronësia e bijve të Izraelit; nga fiset më të mëdha do të merrni më shumë, nga fiset më të vogla do të merrni më pak; çdo fis do t'u japë Levitëve ndonjë nga qytetet e tij, në përpjestim me trashëgiminë që do t'i takojë". |
9. | Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë: |
10. | "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur të kaloni Jordanin për të hyrë në vendin e Kanaanit, |
11. | do të caktoni disa qytete që do të jenë për ju qytete strehimi, ku mund të ikë vrasësi që ka vrarë dikë pa dashje. |
12. | Këto qytete do t'ju shërbejnë si vende strehimi kundër hakmarrësve, që vrasësi të mos vritet para se të ketë dalë në gjyq përpara asamblesë. |
13. | Nga qytetet që do të jepni, gjashtë do të jenë, pra, qytete strehimi. |
14. | Do të jepni trie qytete në pjesën në lindje të Jordanit dhe trie qytete në vendin e Kanaanit; këto do të jenë qytete strehimi. |
15. | Këto gjashtë qytete do të shërbejnë si vende strehimi për bijtë e Izraelit, për të huajin dhe për atë që banon midis jush, me qëllim që ai që ka vrarë dikë pa dashje të mund të strehohet. |
16. | Por në rast se dikush godet një tjetër me një vegël hekuri dhe ky vdes, ai person është vrasës dhe si i tillë do të vritet. |
17. | Dhe në rast se e godet me një gur që kishte në dorë, që mund të shkaktojë vdekjen, dhe i godituri vdes, ai person është vrasës; vrasësi do të vritet. |
18. | Ose në rast se godet me një vegël druri që kishte në dorë, dhe që mund të shkaktojë vdekjen, dhe i godituri vdes, ky person është vrasës; vrasësi do të vritet. |
19. | Do të jetë vetë hakmarrësi i gjakut ai që do ta vrasë vrasësin; kur do ta takojë, do ta vrasë. |
20. | Në rast se dikush i jep një të shtyrë një personi tjetër sepse e urren apo e qëllon me diçka me dashje, dhe ai vdes, |
21. | ose e godet për armiqësi me dorën e vet dhe ai vdes, ai që ka goditur do të vritet; ai është vrasës; hakmarrësi i gjakut do ta vrasë vrasësin kur do ta takojë. |
22. | Por në rast se në një moment i jep një të shtyrë pa armiqësi, ose e qëllon me diçka, por pa dashje, |
23. | ose, pa e parë, shkakton që t'i bjerë mbi trup një gur që mund të shkaktojë vdekjen, dhe ai vdes, pa qenë ai armiku i tij ose që kërkon të keqen e tij, |
24. | atëherë asambleja do të gjykojë midis atij që ka goditur dhe hakmarrësit të gjakut në bazë të këtyre rregullave. |
25. | Asambleja do ta lirojë vrasësin nga dora e hakmarrësit të gjakut dhe do ta lejojë të shkojë në qytetin e strehimit ku kishte ikur, dhe ai do të banojë atje deri sa të vdesë kryeprifti që është vajosur me vaj të shenjtëruar. |
26. | Por në rast se vrasësi në çfarëdo kohe del jashtë kufijve të qytetit të strehimit ku kishte ikur, |
27. | dhe hakmarrësi i gjakut e gjen vrasësin jashtë kufijve të qytetit të strehimit dhe e vret, hakmarrësi i gjakut nuk do të jetë fajtor për gjakun e derdhur, |
28. | sepse vrasësi duhet të kishte mbetur në qytetin e tij të strehimit deri sa të vdiste kryeprifti; mbas vdekjes së kryepriftit, vrasësi mund të kthehet në tokën që është pronë e tij. |
29. | Këto le t'ju shërbejnë si rregulla të së drejtës për të gjithë brezat tuaja, kudo që të banoni. |
30. | Në qoftë se dikush vret një person, vrasësi do të vritet në bazë të deponimit të dëshmitarëve; por nuk do të dënohet askush në bazë të deponimit të një dëshmitari të vetëm. |
31. | Nuk do të pranoni asnjë çmim për shpengimin e jetës së një vrasësi që është dënuar me vdekje, sepse ai duhet të vritet. |
32. | Nuk do të pranoni asnjë çmim për shpengimin e një vrasësi që ka ikur në qytetin e tij të strehimit, me qëllim që të kthehet të banojë në tokën e tij para vdekjes së kryepriftit. |
33. | Nuk do të ndotni vendin ku jetoni, sepse gjaku ndot vendin; nuk mund të bëhet asnjë shlyerje për vendin, për gjakun që është derdhur në të veçse me anë të gjakut të atij që e ka derdhur. |
34. | Nuk do të ndotni, pra, vendin ku banoni, dhe në mes të të cilit banoj edhe unë, sepse unë jam Zoti që banon midis bijve të Izraelit. |
← Numbers (35/36) → |