| ← Numbers (11/36) → |
| 1. | Por populli u ankua dhe kjo nuk tingëlloi mirë në veshët e Zotit; sa e dëgjoi, Zoti u zemërua, dhe zjarri i tij shpërtheu midis tyre dhe shkatërroi skajin e kampit. |
| 2. | Atëherë populli i bërtiti Moisiut; Moisiu iu lut Zotit dhe zjarri u shua. |
| 3. | Kështu ky vend u quajt Taberah, sepse zjarri i Zotit ishte ndezur midis tyre. |
| 4. | Dhe fundërrinën heterogjene që ishte midis popullit e pushtoi një lakmi e madhe; edhe bijtë e Izraelit filluan të ankohen dhe të thonë: "Kush do të na japë mish për të ngrënë? |
| 5. | Nuk i harrojmë peshqit që i hanim falas në Egjipt, kastravecat, pjeprat, preshtë, qepët dhe hudhrat. |
| 6. | Por tani e tërë qënia jonë ka shteruar; para syve tanë nuk ka asgjë tjetër veç kësaj mane". |
| 7. | Mana i ngjante farës së koriandrit dhe kishte pamjen e bdelit. |
| 8. | Populli shkonte rreth e rrotull për ta mbledhur; pastaj e bënte miell me mokrat ose e shtypte në havan, e zinte në një tenxhere ose përgatiste kuleç, të cilët kishin shijen e kuleçëve me vaj. |
| 9. | Kur binte vesa mbi kamp natën, binte mbi të edhe mana. |
| 10. | Por Moisiu dëgjoi popullin që ankohej, në të gjitha familjet e tij, secili në hyrje të çadrës së vet; zemërimi i Zotit shpërtheu me të madhe dhe kjo nuk i pëlqeu aspak edhe Moisiut. |
| 11. | Atëherë Moisiu i tha Zotit: "Pse e trajtove kaq keq shërbëtorin tënd? Pse nuk gjeta hir para syve të tu për ta vënë barrën e gjithë këtij populli mbi mua? |
| 12. | Mos vallë unë e kam gjeneruar tërë këtë popull? Mos vallë kam qenë unë që e kam nxjerrë në dritë, që ti të më thuash: "Mbaje në prehrin tënd, ashtu si taja mban fëmijën që pi sisë, deri në vendin që ti u ke premtuar me betim etërve të tij"? |
| 13. | Ku mund të gjej mish për t'i dhënë tërë këtij populli? Sepse vazhdon të qajë para meje, duke thënë: "Na jep mish për të ngrënë!". |
| 14. | Unë nuk mund ta mbaj vetëm tërë këtë popull; është një barrë shumë e rëndë për mua. |
| 15. | Në qoftë se kjo është mënyra me të cilën ti dëshiron të më trajtosh, të lutem, më vrit menjëherë po të kem gjetur hir para syve të tu; por mos lejo që unë të shoh fatkeqësinë time!". |
| 16. | Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Mblidhmë shtatëdhjetë njerëz nga pleqtë e Izraelit, që ti i njeh si pleq të popullit dhe funksionarë të tij; silli në çadrën e mbledhjes dhe të rrinë aty me ty. |
| 17. | Unë do të zbres dhe aty do të flas me ty; do të marr pastaj nga Fryma që është mbi ty dhe do t'ua kaloj atyre, me qëllim që ta mbajnë bashkë me ty barrën e popullit, dhe të mos e mbash ti vetëm. |
| 18. | Pastaj do t'i thuash popullit: Shenjtërohuni për nesër, dhe do të hani mish, sepse keni qarë në veshët e Zotit, duke thënë: "Kush do të na japë mish për të ngrënë? Ishim kaq mirë në Egjipt!". Prandaj Zoti do t'ju japë mish dhe ju do ta hani. |
| 19. | Dhe do ta hani jo për një ditë, jo për dy ditë, jo për pesë ditë, jo për dhjetë ditë, jo për njëzet ditë, |
| 20. | por për një muaj të tërë, deri sa t'ju dalë nga hunda dhe t'ju shkaktojë neveri, sepse keni hedhur poshtë Zotin dhe keni qarë para tij, duke thënë: "Pse vallë dolëm nga Egjipti?"". |
| 21. | Atëherë Moisiu tha: "Ky popull, në mes të të cilit ndodhem, ka gjashtëqind mijë të rritur, dhe ti ke thënë: "Unë do t'u jap mish dhe ata do të hanë mish një muaj të tërë!". |
| 22. | Mos duhen therur kope të tëra bagëtish të trasha dhe të imta që të kenë mjaft mish? Apo duhet mbledhur për ta gjithë peshku i detit që ta kenë një sasi të mjaftueshme?". |
| 23. | Zoti iu përgjegj Moisiut: "Krahu i Zotit është shkurtuar ndofta? Tani do të shikosh në se fjala ime do të shkojë në vend apo jo". |
| 24. | Pastaj Moisiu doli dhe i njoftoi popullit fjalët e Zotit; mblodhi pastaj shtatëdhjetë njerëz pleq të popullit dhe i vendosi rreth e qark çadrës së mbledhjes. |
| 25. | Atëherë Zoti zbriti në renë dhe i foli atij, mori nga Fryma që qëndronte mbi të dhe e çoi mbi të shtatëdhjetë pleqtë; por kur Fryma u vu mbi ta, ata bënë profeci, me gjithë se më vonë nuk bënë më. |
| 26. | Por dy njerëz, njëri quhej Eldad dhe tjetri Medad, kishin mbetur në kamp; dhe Fryma u vu edhe mbi ta; këta ishin ndër të regjistruarit, por nuk kishin dalë për të shkuar në çadër; megjithatë bënë profeci në kamp. |
| 27. | Një djalë shkoi me vrap t'ia referojë këtë gjë Moisiut dhe i tha: "Eldadi dhe Medadi po bëjnë profeci në kamp". |
| 28. | Atëherë Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Moisiut, një nga të rinjtë e tij, filloi të thotë: "Moisi, imzot, bëji që të heqin dorë!". |
| 29. | Por Moisiu iu përgjegj: "Ndofta je xheloz për mua? Ah, le të ishin të gjithë profetë në popullin e Zotit dhe dhëntë Zoti që Fryma e tij të vihet mbi ta!". |
| 30. | Pastaj Moisiu u kthye në kamp bashkë me pleqtë e Izraelit. |
| 31. | Atëherë u ngrit një erë me urdhër të Zotit dhe solli shkurta nga ana e detit, dhe i la të binin pranë kampit, një ditë ecjeje nga një anë dhe një ditë ecjeje nga ana tjetër rreth e qark kampit, me |
| 32. | Populli mbeti në këmbë gjithë atë ditë, tërë natën dhe tërë ditën vijuese, dhe mblodhi shkurtat. (Ai që mblodhi më pak pati dhjetë homer); dhe i shtrinë rreth e qark kampit. |
| 33. | Kishin akoma mishin ndër dhëmbë dhe nuk e kishin përtypur akoma, kur zemërimi i Zotit kundër popullit u ndez dhe ai e goditi popullin me një plagë shumë të rëndë. |
| 34. | Kështu ky vend u quajt Kibroth-Hataavah sepse aty u varrosën njerëzit që ishin dhënë pas epsheve. |
| 35. | Nga Kibroth-Hataavau populli u nis për në Haltseroth dhe u ndal në këtë vend. |
| ← Numbers (11/36) → |