← Numbers (10/36) → |
1. | Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë |
2. | "Bëj dy bori prej argjendi; do t'i bësh me argjend të rrahur; do t'i përdorësh për të thirrur asamblenë dhe për të lëvizur fushimet. |
3. | Nën tingullin e të dyjave gjithë asambleja do të mblidhet pranë teje, në hyrje të çadrës së mbledhjes. |
4. | Nën tingullin e njerës bori, prijësit, krerët e divizioneve të Izraelit do të mblidhen pranë teje. |
5. | Kur do t'i bini alarmit për herë të parë, ata që janë në lindje do të vihen në lëvizje. |
6. | Kur do t'i bini alarmit për herë të dytë, ata që janë në jug do të vihen në lëvizje; duhet t'i bini alarmit që të vihen në lëvizje. |
7. | Kur duhet të mblidhet asambleja do t'i bini borisë, pa i rënë alarmit. |
8. | Do t'u bien borive bijtë e Aaronit, priftërinjtë; ky do të jetë një statut i përjetshëm për ju dhe për trashëgimtarët tuaj. |
9. | Kur në vendin tuaj do të shkoni në luftë kundër armikut që ju shtyp, do t'i bini alarmit me boritë; kështu do të kujtoheni përpara Zotit Perëndisë tuaj, dhe do të çliroheni nga armiqtë tuaj. |
10. | Po kështu në ditët tuaja të gëzimit, në festat tuaja të caktuara dhe në fillim të muajve tuaj të parë, do t'u bini borive me rastin e olokausteve dhe të flijimeve tuaja të falënderimit; dhe kështu ato do të bëjnë që të kujtoheni përpara Perëndisë tuaj. Unë jam Zoti, Perëndia juaj". |
11. | Por ndodhi që në vitin e dytë, në muajin e dytë, ditën e njëzetë të muajit, reja u ngrit mbi tabernakullin e dëshmisë. |
12. | Dhe bijtë e Izraelit u nisën për rrugë, duke lënë shkretëtirën e Sinait; pastaj reja u ndal në shkretëtirën e Paranit. |
13. | Kështu u nisën për rrugë herën e parë simbas urdhrit që Zoti kishte dhënë me anë të Moisiut. |
14. | I pari lëvizi flamuri i kampit të bijve të Judës, i ndarë simbas formacioneve të tij. Divizionin e Judës e komandonte Nahshoni, bir i Aminadabit. |
15. | Nethaneeli, bir i Tsuarit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Isakarit, |
16. | ndërsa Eliabi, bir i Helonit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Zabulonit. |
17. | Pastaj u çmontua tabernakulli dhe bijtë e Merarit dhe të Gershonit u nisën për rrugë, duke transportuar tabernakullin. |
18. | Pastaj u vu në lëvizje flamuri i kampit të Rubenit, i ndarë simbas formacioneve të tij. Divizionin e Rubenit e komandonte Elitsuri, bir i Shedeurit. |
19. | Shelumieli, bir i Tsurishadait, komandonte divizionin e fisit të bijve të Simeonit, |
20. | ndërsa Eliasafi, bir i Deuelit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Gadit. |
21. | Pastaj u vunë në lëvizje Kehathitët, duke transportuar sendet e shenjta; ata do ta ngrinin tabernakullin para ardhjes së tyre. |
22. | Pas kësaj u nis flamuri i kampit të bijve të Efraimit, i ndarë simbas formacioneve të tij. Divizionin e Efraimit e komandonte Elishama, bir i Amihudit. |
23. | Gamalieli, bir i Pedahtsurit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Manasit, |
24. | ndërsa Abidani, bir i Gideonit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Beniaminit. |
25. | Pastaj filloi të lëvizë flamuri i kampit të bijve të Danit, i ndarë simbas formacioneve të tij, që përbënte praparojën e të gjitha kampeve. Divizioni i Danit komandohej nga Ahiezieri, bir i Amishadait. |
26. | Pagieli, bir i Okranit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Asherit, |
27. | ndërsa Ahira, bir i Enanit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Neftalit. |
28. | Kjo ishte radha e marshimit të bijve të Izraelit, simbas divizioneve të tyre. Kështu u vunë në lëvizje. |
29. | Por Moisiu i tha Hobabit, birit të Reuelit, Madianitit, vjehrri i Moisiut: "Ne po vihemi në marshim drejt vendit për të cilin Zoti ka thënë "Unë do t'jua jap". Eja me ne dhe do të të bëjmë të mira, |
30. | Hobabi iu përgjegj: "Unë nuk do të vij, por do të kthehem në vendin tim te të afërmit e mi". |
31. | Atëherë Moisiu i tha: "Mos na lërë, sepse ti e di ku duhet të fushojmë në shkretëtirë dhe ti do të jesh si sytë për ne. |
32. | Në qoftë se vjen me ne, çdo të mirë që do të na bëjë Zoti, ne do të ta bëjmë ty". |
33. | Kështu u nisën nga mali i Zotit dhe ecën tri ditë; dhe arka e besëlidhjes së Zotit shkoi para tyre gjatë një udhëtimi prej tri ditësh, për të gjetur një vend ku ata të pushonin. |
34. | Dhe reja e Zotit qëndronte mbi ta gjatë ditës, kur niseshin nga kampi. |
35. | Kur nisej arka, Moisiu thoshte; "Çohu, o Zot, me qëllim që të shkatërrohen armiqtë e tu dhe të ikin me vrap para teje ata që të urrejnë!". |
36. | Dhe kur ndalej, thoshte: "Kthehu, o Zot, pranë morisë së madhe të njerëzve të Izraelit!". |
← Numbers (10/36) → |