← Nehemiah (4/13) → |
1. | Kur Sanballati dëgjoi që ne po rindërtonim muret, u zemërua, u revoltua thellë dhe filloi të tallet me Judejtë, |
2. | dhe u tha përpara vëllezërve të tij dhe ushtarëve të Samarisë: "Çfarë po bëjnë këta Judej matufë? Do të fortifikohen? Do të ofrojnë flijime? A do të mbarojnë brenda një dite? Mos vallë do të ringjallin gurët e konsumuar nga zjarri i togjeve të rrënojave?". |
3. | Tobiahu, Amoniti, që i rrinte pranë, tha: "Le të ndërtojnë! Por në rast se një dhelpër hipën sipër, do ta rrëzojë murin e tyre prej guri!". |
4. | Dëgjo, o Perëndia ynë, sepse na përçmojnë! Bëj që të bjerë mbi kokën e tyre fyerja e tyre dhe braktisi në përbuzje në një vend robërie! |
5. | Mos e mbulo paudhësinë e tyre dhe mos lejo që mëkati i tyre të fshihet para teje, sepse kanë provokuar zemërimin tënd para ndërtuesve". |
6. | Ne, pra, i rindërtuam muret që u bashkuan deri në gjysmën e lartësisë së tyre; populli e kishte marrë me zemër punën. |
7. | Por kur Sanballati, Tobiahu, Arabët, Amonitët dhe Asdodejtë mësuan që riparimi i mureve të Jeruzalemit po përparonte dhe të çarat kishin filluar të mbylleshin, ata u zemëruan shumë, |
8. | dhe të gjithë së bashku komplotuan për të ardhur në Jeruzalem dhe për të krijuar trazira në të. |
9. | Por ne iu lutëm Perëndisë tonë dhe për shkak të tyre vumë roje natë e ditë kundër tyre. |
10. | Por ata të Judës thonin: "Forcat e mbartësve të peshave vijnë duke u pakësuar dhe gërmadhat janë aq të shumta sa nuk do të arrijmë të ndërtojmë muret! |
11. | Përveç kësaj kundërshtarët tanë thonin: "Ata nuk do të dinë dhe nuk do të shohin asgjë, deri sa ne do të sulemi në mes të tyre dhe do t'i vrasim; kështu do të bëjmë që të ndërpriten punimet". |
12. | Por kur Judejtë që banonin pranë tyre erdhën dhjetë herë rrjesht për të na thënë: "Ngado që të ktheheni, do të na sulen". |
13. | Unë vendosa njerëz të armatosur në vendet më të ulta prapa mureve; e vendosa popullin sipas familjeve, me shpatat e tyre, shtizat e tyre dhe harqet e tyre. |
14. | Mbasi e shqyrtova situatën u ngrita dhe u thashë parisë, gjyqtarëve dhe pjesës tjetër të popullit: "Mos kini frikë nga ata! Kujtoni Zotin e madh dhe të tmerrshëm dhe luftoni për vëllezërit tuaj, për bijtë dhe bijat tuaja, për bashkëshortet tuaja dhe për shtëpitë tuaja!". |
15. | Kur armiqtë tanë mësuan që ne ishim të informuar mbi këtë gjë dhe që Perëndia e kishte bërë të dështonte plani i tyre, ne të gjithë u kthyem tek muret, secili në punën e tij. |
16. | Qysh prej asaj dite, gjysma e shërbëtorëve të mi merrej me punët, ndërsa gjysma tjetër kishte rrokur shtizat, mburojat, harqet dhe kishte veshur parzmoret; komandantët qëndronin prapa tërë shtëpisë së Judës. |
17. | Por ata që ndërtonin muret dhe ata që mbartnin o ngarkonin peshat, me një dorë merreshin me punimet dhe me dorën tjetër mbanin armën e tyre. |
18. | Tërë ndërtuesit, duke punuar, mbanin secili shpatën e ngjeshur në ijet, ndërsa borizani rrinte pranë meje. |
19. | Atëherë unë u thashë parisë, zyrtarëve dhe pjesës tjetër të popullit: "Puna është e madhe dhe e shtrirë, dhe ne jemi të shpërndarë mbi muret, larg njeri tjetrit. |
20. | Kudo që të dëgjoni tingullin e borisë, atje mblidhuni pranë nesh; Perëndia ynë do të luftojë për ne". |
21. | Kështu e vazhdonim punën, ndërsa gjysma e njerëzve kishte rrokur shtizën që në agim e deri sa dilnin yjet. |
22. | Në të njëjtën kohë i thashë gjithashtu popullit: "Secili nga ju të rrijë me shërbëtorin e tij brenda Jeruzalemit, për të na ruajtur natën dhe për të punuar pastaj ditën". |
23. | Kështu as unë, as vëllezërit e mi, as shërbëtorët e mi, as njerëzit e rojes që më ndiqnin, nuk i hiqnim rrobat; por secili kishte armën e tij me ujë. |
← Nehemiah (4/13) → |