← Matthew (9/28) → |
1. | Dhe ai, pasi hipi në barkë, kaloi në bregun tjetër dhe erdhi në qytetin e vet. |
2. | Dhe ja, iu paraqit një paralitik i shtrirë në vig; dhe Jezusi, kur pa besimin që kishin ata, i tha paralitikut: ''Merr zemër, o bir, mëkatet e tua të janë falur!'' |
3. | Atëherë disa skribë thanë me vete: ''Ky po blasfemon!''. |
4. | Por Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, tha: ''Pse mendoni gjëra të mbrapështa në zemrat tuaja? |
5. | Në fakt, ç'është më e lehtë, të thuash: "Mëkatet e tua të janë falur", apo: "Çohu dhe ec"? |
6. | Tani, që ta dini se Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet: Çohu (i tha paralitikut), merr vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde''. |
7. | Dhe ai u çua dhe shkoi në shtëpinë e vet. |
8. | Turmat, kur e panë këtë, u çuditën dhe lëvdonin Perëndinë, që u kishte dhënë pushtet të tillë njerëzve. |
9. | Pastaj Jezusi, duke shkuar tutje, pa një burrë që rrinte në doganë, i quajtur Mate, dhe i tha: ''Ndiqmë!''. Dhe ai u çua dhe e ndoqi. |
10. | Dhe ndodhi që, kur Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, erdhën shumë tagrambledhës dhe mëkatarë dhe u ulën në tryezë bashkë me të dhe me dishepujt e tij. |
11. | Farisenjtë, kur e panë këtë, u thanë dishepujve të tij: ''Pse Mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhësit dhe me mëkatarët?''. |
12. | Jezusi, mbasi i dëgjoi, u tha atyre: ''Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. |
13. | Tani shkoni dhe mësoni ç'do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime". Sepse unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët''. |
14. | Atëherë iu afruan dishepujt e Gjonit dhe i thanë: ''Pse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?''. |
15. | Dhe Jezusi u tha atyre: ''A mund të mbajnë zi dasmorët, ndërsa dhëndërri është midis tyre? Por do të vijë koha kur do t'ua marrin dhëndërrin dhe atëherë ata do të agjërojnë. |
16. | Askush nuk vë një copë prej stofi të ri mbi një petk të vjetër, sepse kështu arna bie dhe grisja bëhet më e madhe. |
17. | Dhe as nuk shtihet vera e re në kacekë të vjetër; përndryshe kacekët shpohen, vera derdhet dhe kacekët humbin; por shtihet vera e re në kacekë të rinj, kështu që ruhen të dy''. |
18. | Ndërsa Jezusi u thoshte këto, iu afrua një nga krerët e sinagogës, ra përmbys para tij, dhe i tha: ''Sapo më vdiq vajza, por eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të jetojë''. |
19. | Dhe Jezusi u ngrit dhe e ndoqi bashkë me dishepujt e tij. |
20. | Dhe ja një grua, e cila vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga një fluks gjaku, iu afrua nga mbrapa dhe i preku cepin e rrobes së tij. |
21. | Sepse thoshte me vete: ''Po të prek vetëm rroben e tij, do të shërohem''. |
22. | Jezusi u kthye, e pa dhe tha: ''Merr zemër, o bijë; besimi yt të ka shëruar''. Dhe që në atë çast gruaja u shërua. |
23. | Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët dhe turmën që zhurmonte, |
24. | u tha atyre: ''Largohuni, sepse vajza nuk ka vdekur, por fle''. Dhe ata e përqeshnin. |
25. | Pastaj, kur turmën e nxorën jashtë, ai hyri, e zuri për dore vajzën dhe ajo u ngrit. |
26. | Fama e kësaj u përhap në mbarë atë vend. |
27. | Dhe ndërsa Jezusi po largohej prej andej, dy të verbër e ndiqnin duke bërtitur dhe duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Bir i Davidit!''. |
28. | Kur arriti në shtëpi, të verbërit iu afruan dhe Jezusi u tha atyre: ''A besoni ju se unë mund ta bëj këtë gjë?''. Ata iu përgjigjën: ''Po, o Zot''. |
29. | Atëherë ai ua preku sytë, duke thënë: ''U bëftë sipas besimit tuaj''. |
30. | Dhe atyre iu hapën sytë. Pastaj Jezusi i urdhëroi rreptësisht duke thënë: ''Ruhuni se mos e merr vesh njeri''. |
31. | Por ata, sapo dolën, e përhapën famën e tij në mbarë atë vend. |
32. | Dhe, kur ata po dilnin, i paraqitën një burrë memec dhe të demonizuar. |
33. | Dhe, mbasi e dëboi demonin, memeci foli dhe turmat u çuditën dhe thanë: ''Nuk është parë kurrë një gjë e tillë në Izrael''. |
34. | Por farisenjtë thonin: ''Ai i dëbon demonët me ndihmën e princit të demonëve!''. |
35. | Dhe Jezusi kalonte nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, duke i mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull. |
36. | Duke parë turmat, kishte dhembshuri për to, sepse ishin të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari. |
37. | Atëherë ai u tha dishepujve të vet: ''E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak. |
38. | Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij''. |
← Matthew (9/28) → |