← Matthew (24/28) → |
1. | Tani kur Jezusi doli nga tempulli dhe po largohej, dishepujt e tij iu afruan për t'i treguar ndërtesat e tempullit. |
2. | Por Jezusi u tha atyre: ''A nuk i shikoni ju të gjitha këto? Në të vërtetë po ju them se këtu nuk do të mbetet asnjë gur mbi gur që nuk do të rrënohet''. |
3. | Pastaj, kur ai u ul të rrinte në malin e Ullinjve, dishepujt e vet iu afruan mënjanë dhe i thanë: ''Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?''. |
4. | Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ruhuni se mos ju mashtron ndokush! |
5. | Sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: "Unë jam Krishti" dhe do të mashtrojnë shumë njërëz. |
6. | Atëherë do të dëgjoni të flitet për lufta dhe për ushtima luftash; ruhuni të mos shqetësoheni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin, por ende mbarimi nuk do të ketë ardhur. |
7. | Do të ngrihet, pra, popull kundër populli dhe mbretëri kundër mbretërie; do të ketë zi buke, murtajë dhe tërmete në vende të ndryshme. |
8. | Por të gjitha këto gjëra do të jenë vetëm fillimi i dhembjeve të lindjes. |
9. | Atëherë do t'ju dorëzojnë në mundime dhe do t'ju vrasin; dhe të gjithë kombet do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim. |
10. | Atëherë shumë do të skandalizohen, do ta tradhëtojnë njeri tjetrin dhe do të urrejnë njeri tjetrin. |
11. | Dhe do të dalin shumë profetë të rremë, dhe do të mashtrojnë shumë njerëz. |
12. | Dhe, duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t'i ftohet dashuria; |
13. | por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet. |
14. | Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi''. |
15. | ''Kur të shihni, pra, neverinë e shkretimit, që është parathënë nga profeti Daniel, që ka zënë vend në vendin e shenjtë (kush lexon le ta kuptojë), |
16. | atëherë ata që janë në Jude, le të ikin ndër male. |
17. | Kush ndodhet mbi taracën e shtëpisë, të mos zbresë për të marrë diçka në shtëpinë e vet; |
18. | dhe kush është ndër ara, të mos kthehet për të marrë mantelin e tij. |
19. | Por mjerë gratë shtatzëna dhe ato që do t'u japin gji fëmijëve në ato ditë! |
20. | Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër, as të shtunën, |
21. | sepse atëherë do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot, dhe as nuk do të ketë më kurrë! |
22. | Dhe, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen. |
23. | Atëherë, në qoftë se dikush do t'ju thotë: "Ja, Krishti është këtu", ose "Éshtë atje", mos i besoni. |
24. | Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrrekulli të tilla aq sa t'i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit. |
25. | Ja, unë ju paralajmërova. |
26. | Pra, në qoftë se ju thonë: "Ja, është në shkretëtirë", mos shkoni atje: "Ja, është në dhomat e fshehta", mos u besoni. |
27. | Sepse, si vetëtima që del nga lindja dhe flakëron deri në perëndim, kështu do të jetë ardhja e Birit të njeriut. |
28. | Sepse ku të ketë kërma, aty do të mblidhen shqiponjat''. |
29. | ''Tani, fill pas pikëllimit të atyre ditëve, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë dritën e vet, yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditen. |
30. | Dhe atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe të gjitha kombet e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe. |
31. | Ai do t'i dërgojë engjëjt e vet me tinguj të fuqishëm borie; dhe ata do t'i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri. |
32. | Tani mësoni nga fiku këtë shëmbëlltyrë: kur tashmë degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethet, ta dini se vera është afër. |
33. | Kështu edhe ju, kur t'i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera. |
34. | Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, pa u realizuar të gjitha këto. |
35. | Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë. |
36. | Tani sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s'e di, as engjëjt e qieive, por vetëm Ati im. |
37. | Por, ashtu si qe në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut. |
38. | Sepse, ashtu si në ditët përpara përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa Noeu hyri në arkë; |
39. | dhe nuk kuptuan asgjë, deri sa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut. |
40. | Atëherë dy do të jenë në arë, një do të merret dhe tjetri do të lihet. |
41. | dy gra do të bluajnë në mulli, një do të merret dhe tjetra do të lihet. |
42. | Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj. |
43. | Por dijeni këtë, se ta dinte i zoti i shtëpisë në çfarë orë të natës do të vijë vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t'i shpërthehej shtëpia. |
44. | Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni''. |
45. | ''Cili është, pra, ai shërbëtor besnik dhe i mençur, që zotëria e tij e caktoi përmbi shtëpiarët e vet, për t'u dhënë atyre ushqimin në kohën e duhur? |
46. | Lum ai shërbëtor që, kur të kthehet zotëria e tij, e gjen duke bërë kështu. |
47. | Në të vërtetë po ju them se ai do t'ia besojë administrimin e gjithë pasurisë së vet. |
48. | Por, në qoftë se ky shërbëtor i mbrapshtë, thotë në zemër të vet: "Zotëria ime vonon të vijë", |
49. | dhe fillon t'i rrahë shokët e vet dhe të hajë e të pijë me pijanecët; |
50. | zotëria e këtij shërbëtori do të vijë në atë ditë kur ai nuk e pret dhe në atë orë kur ai nuk e di; |
51. | do ta ndëshkojë rëndë dhe do t'i rezervojë fatin e hipokritëve. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh''. |
← Matthew (24/28) → |