← Matthew (22/28) → |
1. | Dhe Jezusi, nisi përsëri t'u flasë atyre me shëmbëlltyra, duke thënë: |
2. | ''Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit. |
3. | Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë. |
4. | Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: "U thoni të ftuarve: Ja unë e kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë". |
5. | Por ata, pa e përfillur, shkuan: dikush në arën e vet e dikush në punët e veta. |
6. | Dhe të tjerët, mbasi kapën shërbëtorët e tij, i shanë dhe i vranë. |
7. | Mbreti atëhërë, kur dëgjoi këtë, u zemërua dhe dërgoi ushtritë e veta për të shfarosur ata gjaksorë dhe dogji qytetin e tyre. |
8. | Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: "Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë. |
9. | Shkoni, pra, në udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni." |
10. | Dhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë, mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij dhe të mirë, dhe vendi i dasmës u mbush me të ftuar. |
11. | Atëherë mbreti hyri për të parë të ftuarit dhe gjeti aty një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme; |
12. | dhe i tha: "Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme?". Dhe ai mbylli gojën. |
13. | Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: "Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh". |
14. | Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur''. |
15. | Atëherë farisenjtë u veçuan dhe bënin këshill se si ta zinin gabim në fjalë. |
16. | Dhe i dërguan dishepujt e tyre bashkë me herodianët, për t'i thënë: ''Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve. |
17. | Na thuaj, pra: Si e mendon? A është e ligjshme t'i paguhet taksa Cezarit apo jo?''. |
18. | Por Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: ''Pse më tundoni, o hipokritë? |
19. | Më tregoni monedhën e taksës''. Atëherë ata i treguan një denar. |
20. | Dhe ai u tha atyre: ''E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?''. |
21. | Ata i thanë: ''E Cezarit''. Atëherë ai u tha atyre: ''Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë''. |
22. | Dhe ata, kur e dëgjuan këtë, u mrekulluan, e lanë, dhe ikën. |
23. | Po atë ditë erdhën tek ai saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën |
24. | duke thënë: ''Mësues, Moisiu ka thënë: "Në se dikush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij, për t'i lindur trashëgimtarë vëllait të tij. |
25. | Tani ndër ne ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq dhe duke mos pasë trashëgimtarë, ia la gruan vëllait të vet. |
26. | Kështu edhe i dyti dhe i treti, deri tek i shtati. |
27. | Në fund vdiq edhe gruaja. |
28. | Në ringjallje, pra, e kujt nga këta të shtatë do të jetë grua? Sepse të gjithë e patën gruaja''. |
29. | Por Jezusi, duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ju bëni gabim, sepse nuk e kuptoni as Shkrimin as pushtetin e Perëndisë. |
30. | Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë. |
31. | Pastaj sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar ç'ju ishte thënë nga Perëndia kur thotë: |
32. | "Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe i Jakobit"? Perëndia nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve''. |
33. | Dhe turmat, kur i dëgjuan këto gjëra, habiteshin nga doktrina e tij. |
34. | Atëherë farisenjtë, kur dëgjuan se ai ua kishte zënë gojën saducenjve, u mblodhën tok. |
35. | Dhe një nga ata, mësues i ligjit, e pyeti për të vënë në provë, duke thënë: |
36. | ''Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?''. |
37. | Dhe Jezusi i tha: ''"Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde". |
38. | Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. |
39. | Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten". |
40. | Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët''. |
41. | Tani, kur u mblodhën farisenjtë, Jezusi i pyeti: |
42. | ''Ç'u duket juve për Krishtin? Biri i kujt është?''. Ata i thanë: ''I Davidit''. |
43. | Ai u tha atyre: ''Si pra Davidi, në Frymë, e quan Zot, duke thënë: |
44. | "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, deri sa unë t'i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua"? |
45. | Në qoftë se Davidi e quan Zot, si mund të jetë biri i tij?''. |
46. | Por asnjë nuk ishte në gjendje t'i përgjigjej; dhe, që nga ajo ditë, askush nuk guxoi ta pyesë më. |
← Matthew (22/28) → |