← Matthew (20/28) → |
1. | ''Mbretëria e qiejve i ngjan, pra, një zot shtëpie, që doli herët në mëngjes për të pajtuar me mëditje punëtorë për vreshtin e vet. |
2. | Mbasi ra në ujdi me punëtorët për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet. |
3. | Pastaj doli rreth orës së tretë dhe pa të tjerë që rrinin në shesh, të papunë. |
4. | Dhe u tha atyre: "Shkoni edhe ju në vresht dhe unë do t'ju jap sa është e drejtë". Dhe ata shkuan. |
5. | Doli përsëri rreth orës së gjashtë dhe orës së nëntë dhe bëri po ashtu. |
6. | Kur doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti disa të tjerë, të papunë, dhe u tha: "Përse rrini gjithë ditën këtu pa bërë asgjë?". |
7. | Ata i thanë: "Sepse askush nuk na ka marrë me mëditje". Ai u tha atyre: "Shkoni edhe ju në vresht dhe do të merrni aq sa është e drejtë". |
8. | Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: "Thirri punëtorët dhe jepu mëditjen e tyre, duke filluar nga ata të fundit e deri te të parët". |
9. | Dhe kur erdhën ata të orës njëmbëdhjetë, morën nga një denar secili. |
10. | Kur erdhën të parët, menduan se do të merrnin më shumë, por edhe ata morën nga një denar secili. |
11. | Duke e marrë, murmurisnin kundër zotit të shtëpisë, |
12. | duke thënë: "Këta të fundit punuan vetëm një orë, dhe ti i trajtove si ne që hoqëm barrën dhe vapën e ditës". |
13. | Por ai duke u përgjigjur i tha njerit prej tyre: "Mik, unë nuk po të ha hakun; a nuk re në ujdi me mua për një denar? |
14. | Merr atë që të takon ty dhe shko; por unë dua t'i jap këtij të fundit aq sa ty. |
15. | A nuk më lejohet të bëj me timen ç'të dua? Apo bëhesh sylig, sepse unë jam i mirë?". |
16. | Kështu të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit, sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur''. |
17. | Pastaj, kur Jezusi po ngjitej në Jeruzalem, i mori mënjanë të dymbëdhjetë dishepujt gjatë rrugës dhe u tha atyre: |
18. | ''Ja, ne ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve, dhe ata do ta dënojnë me vdekje. |
19. | Do t'ua dorëzojnë pastaj në duart e paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë; por ai ditën e tretë do të ringjallet''. |
20. | Atëherë nëna e bijve të Zebedeut iu afrua bashkë me bijtë e vet, ra përmbys para tij dhe i kërkoi diçka. |
21. | Dhe ai i tha: ''Çfarë do?''. Ajo u përgjigj: ''Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde''. |
22. | Dhe Jezusi, duke u përgjigjur tha: ''Ju nuk dini çfarë kërkoni; a mund ta pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem? Ata i thanë: ''Po, mundemi''. |
23. | Atëherë ai u tha atyre: ''Ju me të vërtetë do ta pini kupën time dhe do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem; por nuk është në dorën time që të uleni në të djathtën time ose në të majtën time, por u është rezervuar atyre, të cilëve u është përgatitur nga Ati im''. |
24. | Kur i dëgjuan këto fjalë, të dhjetët të tjerët u indinjuan kundër të dy vëllezërve. |
25. | Dhe Jezusi i thirri ata pranë vetes dhe u tha: ''Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato, |
26. | por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj; |
27. | dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj. |
28. | Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve. |
29. | Kur po dilnin nga Jeriko, një turmë e madhe e ndoqi. |
30. | Dhe ja, dy të verbër që uleshin gjatë rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezusi, filluan të bërtasin duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit''. |
31. | Por turma i qortoi që të heshtnin; por ata bërtisnin edhe më fort duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit!''. |
32. | Atëherë Jezusi ndaloi, i thirri dhe tha: ''Çfarë doni të bëj për ju?''. |
33. | Ata i thanë: ''Zot, të na hapen sytë!''. |
34. | Dhe Jezusi pati mëshirë për ta dhe ua preku sytë e tyre; dhe në atë çast u erdhi drita e syve dhe ata e ndiqnin. |
← Matthew (20/28) → |