| ← Matthew (16/28) → | 
| 1. | Pastaj iu afruan farisenjtë dhe saducenjtë dhe, për ta tunduar, i kërkuan që t'u tregojë një shenjë nga qielli. | 
| 2. | Por ai iu përgjigj atyre dhe tha: ''Në mbrëmje ju thoni: "Do të jetë mot i mirë, sepse qielli është i kuq". | 
| 3. | Dhe në mëngjes thoni: "Sot do të jetë stuhi, sepse qielli është i kuq dhe i vranët". Hipokritë, pra, ju dini të dalloni dukuritë e qiellit, por nuk arrini të kuptoni shenjat e kohës? | 
| 4. | Një brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së profetit Jona''. Dhe i la ata dhe shkoi. | 
| 5. | Kur dishepujt e vet arritën në bregun tjetër, ja që kishin harruar të marrin bukë me vete. | 
| 6. | Dhe Jezusi u tha atyre: ''Kini kujdes dhe ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve!''. | 
| 7. | Dhe ata arsyetuan ndërmjet tyre duke thënë: ''Se nuk kemi marrë bukë''. | 
| 8. | Por Jezusi i vuri re e iu tha atyre: ''O njerëz besimpakë, përse diskutoni ndërmjet jush që nuk keni marrë bukë? | 
| 9. | Nuk e keni kuptuar akoma dhe nuk kujtoni të pesë bukët për pesë mijë burrat dhe sa kosha keni mbledhur? | 
| 10. | Dhe të shtatë bukët për katër mijë bu-rra dhe sa kosha keni mbushur? | 
| 11. | Si nuk kuptoni që nuk e kisha fjalën për bukën kur ju thashë të ruheni nga majaja e farisenjve dhe saducenjve?''. | 
| 12. | Atëherë ata e kuptuan se ai nuk u kishte thënë të ruheshin nga majaja e bukës, por nga doktrina e farisenjve dhe të saducenjve. | 
| 13. | Pastaj Jezusi, mbasi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti dishepujt e vet: ''Kush thonë njerëzit se jam unë, i Biri i njeriut?''. | 
| 14. | Dhe ata thanë: ''Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, të tjerë Jeremia, ose një nga profetët''. | 
| 15. | Ai u tha atyre: ''Po ju, kush thoni se jam unë?''. | 
| 16. | Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: ''Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë''. | 
| 17. | Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: ''I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej. | 
| 18. | Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë. | 
| 19. | Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej''. | 
| 20. | Atëherë i urdhëroi dishepujt e vet që të mos i thonin askujt se ai ishte Jezusi, Krishti. | 
| 21. | Që nga ai çast Jezusi filloi t'u sqarojë dishepujve të vet se i duhej të shkonte në Jeruzalem, të vuante shumë për shkak të pleqve, të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve, se do të vritej dhe do të ringjallej të tretën ditë. | 
| 22. | Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe nisi ta qortojë duke thënë: ''O Zot, të shpëtoftë Perëndia; kjo nuk do të të ndodhë kurrë''. | 
| 23. | Por ai u kthye dhe i tha Pjetrit: ''Shporru prej meje, o Satan! Ti je një skandal për mua, sepse s'ke ndër mënd punët e Perëndisë, por punët e njerëzve''. | 
| 24. | Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë. | 
| 25. | Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë. | 
| 26. | Ç'përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet? | 
| 27. | Sepse Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij; dhe atëherë ai do të shpërblejë secilin sipas veprës së tij. | 
| 28. | Në të vërtetë ju them se disa nga ata që janë të pranishëm këtu nuk do të vdesin pa e shikuar më parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e vet''. | 
| ← Matthew (16/28) → |