← Matthew (14/28) → |
1. | Në atë kohë Herodi, tetrarku, mori vesh famën e Jezusit, |
2. | dhe u tha shërbëtorëve të vet: ''Ky është Gjon Pagëzori; ai u ngjall së vdekuri dhe prandaj fuqitë e mbinatyrshme veprojnë në të''. |
3. | Herodi, në fakt, e kishte arrestuar Gjonin, i kishte hedhur prangat dhe e kishte futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet. |
4. | Sepse Gjoni i thoshte: ''Nuk është e lejueshme të bashkëjetosh me të!''. |
5. | Dhe, ndonëse donte ta vriste, Herodi kishte frikë nga populli që e konsideronte Gjonin profet. |
6. | Kur po festohej ditëlindja e Herodit, e bija e Herodiadës vallëzoi përpara tij dhe i pëlqeu Herodit |
7. | aq shumë, sa ai i premtoi asaj me betim se do t'i jepte çfarëdo që t'i kërkonte. |
8. | Dhe ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: ''Ma jep këtu, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit''. |
9. | Mbretit i erdhi keq, po për shkak të betimit dhe të ftuarve që ishin me të në tryezë, urdhëroi që t'ia japin. |
10. | Kështu dërgoi dikë për t'i prerë kokën Gjon Pagëzorit në burg; |
11. | dhe kokën e tij e prunë mbi një pjatë dhe ia dhanë vajzës; ajo ia çoi s'ëmës. |
12. | Pastaj erdhën dishepujt e tij, e morën trupin dhe e varrosën, mandej ata shkuan dhe ia treguan ngjarjen Jezusit. |
13. | Kur Jezusi i dëgjoi këto, u nis që andej me një barkë dhe u tërhoq në vetmi, në një vend të shkretë. Dhe turmat, kur e morën vesh, e ndiqnin në këmbë nga qytetet. |
14. | Dhe Jezusi, kur doli nga barka, pa një turmë të madhe, pati dhembshuri për të dhe shëroi ata që ishin të sëmurë. |
15. | Pastaj në mbrëmje dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: ''Ky vend është i shkretë dhe u bë vonë; lejo turmat të shkojnë nëpër fshatra për të blerë ushqime''. |
16. | Por Jezusi u tha atyre: ''Nuk është nevoja të shkojnë; u jepni juve të hanë''. |
17. | Dhe ata i thanë: ''Ne këtu nuk kemi tjetër përveç pesë bukë dhe dy peshq''. |
18. | Dhe ai u tha: ''M'i sillni këtu''. |
19. | Atëherë i urdhëroi që turmat të ulen mbi bar; pastaj i mori pesë bukët dhe dy peshqit dhe, pasi i çoi sytë drejt qiellit, i bekoi; i ndau bukët dhe ua dha dishepujve, dhe dishepujt turmave. |
20. | Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; pastaj dishepujt mblodhën tepricat në dymbëdhjetë kosha plot. |
21. | Dhe ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët. |
22. | Fill pas kësaj Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t'i prijnë në bregun tjetër, deri sa ai t'i lëshojë turmat. |
23. | Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t'u lutur. Dhe kur u ngrys ai gjëndej aty, i vetëm fare. |
24. | Ndërkaq barka ndodhej në mes të detit; dhe përplasej nga valët sepse era i ishte e kundërt. |
25. | Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det. |
26. | Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe thanë: ''Éshtë një fantazmë!''. Dhe filluan të bërtasin nga frika; |
27. | por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: ''Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!''. |
28. | Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: ''Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra''. |
29. | Ai tha: ''Eja!''. Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi. |
30. | Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: ''O Zot, shpëtomë!''. |
31. | Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: ''O njeri besimpak, pse dyshove?''. |
32. | Pastaj, kur hynë në barkë, era pushoi. |
33. | Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: ''Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!''. |
34. | Pastaj, mbasi dolën në bregun tjetër, erdhën në krahinën e Gjenezaretit. |
35. | Dhe njerëzit e atij vendi, sapo e njohën, e përhapën fjalën në gjithë krahinën përreth; dhe i sollën të gjithë të sëmurët; |
36. | dhe iu lutën që të mund t'i preknin të paktën cepin e rrobes së tij; dhe të gjithë ata që e prekën u shëruan plotësisht. |
← Matthew (14/28) → |