← Matthew (12/28) → |
1. | Në atë kohë Jezusi po ecte një të shtunë nëpër arat me grurë; dhe dishepujt e vet, të uritur, filluan të këpusin kallinj dhe t'i hanë. |
2. | Por farisenjtë, kur panë këtë, i thanë: ''Ja, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën''. |
3. | Dhe ai u tha atyre: ''A nuk keni lexuar vallë se ç'bëri Davidi kur pati uri, ai dhe ata që qenë me të? |
4. | Si ai hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohej t'i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë? |
5. | Apo nuk keni lexuar në ligj që në tempull, të shtunave, priftërinjtë e shkelin të shtunën dhe megjithatë nuk mëkatojnë? |
6. | Dhe unë po ju them se këtu është një më i madh se tempulli. |
7. | Dhe, po të dinit se çfarë do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime", nuk do të kishit dënuar të pafajshmit. |
8. | Sepse Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës''. |
9. | Pastaj, mbasi u largua që andej, hyri në sinagogën e tyre; |
10. | dhe ja, aty ishte një burrë të cilit i qe tharë dora. Ata e pyetën Jezusin, me qëllim që ta padisin më pas: ''A është e lejueshme që dikush të shërojë ditën e shtunë?''. |
11. | Dhe ai u tha atyre: ''A ka ndonjë prej jush që ka një dele, dhe ajo bie në një gropë ditën e shtunë, dhe e ai nuk shkon ta nxjerrë jashtë? |
12. | E, pra, sa më i vlefshëm është njeriu se delja! A është, pra, e lejueshme të bësh të mirën të shtunën?''. |
13. | Atëherë ai i tha atij burri: ''Shtrije dorën tënde!''. Dhe ai e shtriu dhe ajo iu shëndosh si tjetra. |
14. | Por farisenjtë, mbasi dolën jashtë, bënin këshill kundër tij si ta vrasin. |
15. | Por kur Jezusi e mori vesh u largua prej andej dhe turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi të gjithë, |
16. | dhe i urdhëroi ata rreptësisht të mos thonin kush ishte ai, |
17. | me qëllim që të përmbushej ç'ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia që thotë: |
18. | ''Ja shërbëtori im, që unë e zgjodha; i dashuri im, në të cilin shpirti im është i kënaqur. Unë do ta vë Frymën tim mbi të dhe ai do t'u shpall drejtësinë popujve. |
19. | Ai nuk do të zihet dhe as nuk do të bërtasë dhe askush nuk do t'ia dëgjojë zërin e tij nëpër sheshe. |
20. | Ai nuk do ta thërmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym, deri sa të mos e ketë bërë të triumfojë drejtësinë. |
21. | Dhe njerëzit do të shpresojnë në emrin e tij''. |
22. | Atëherë i paraqitën një të idemonizuar, që ishte i verbër dhe memec; dhe ai e shëroi, kështu që i verbëri e memeci fliste dhe shikonte. |
23. | Dhe mbarë turmat çuditeshin dhe thonin: ''A mos është ky i Biri i Davidit?''. |
24. | Por farisenjtë, kur e dëgjuan këtë, thanë: ''Ky i dëbon demonët vetëm me fuqinë e Beelzebubit, princit të demonëve''. |
25. | Dhe Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, u tha: ''Çdo mbretëri, që përçahet në vetvete, shkon drejt shkatërrimit; dhe çdo qytet ose shtëpi, që përçahet në vetvete, nuk shkon gjatë. |
26. | Atëherë, në qoftë se Satani dëbon Satanë, ai është përçarë në vetvete, dhe si mund të qëndrojë mbretëria e tij? |
27. | Dhe në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebubit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj. |
28. | Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj. |
29. | Ose, si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fuqishmit dhe t'i grabisë pasurinë, po të mos e ketë lidhur më parë të fuqishmin? Vetëm atëherë ai do të mund t'ia plaçkisë shtëpinë. |
30. | Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh. |
31. | Prandaj unë po ju them: Çdo mëkat dhe blasfemi do t'u falet njerëzve; por blasfemia kundër Frymës nuk do t'u falet atyre. |
32. | Dhe kushdo që flet kundër Birit të njeriut do të falet; por ai që flet kundër Frymës së Shenjtë nuk do të falet as në këtë botë as në atë të ardhme''. |
33. | ''Ose bëjeni të mirë pemën dhe fryti i saj do të jetë i mirë, ose bëjeni të keqe pemën dhe fryti i saj do të jetë i keq; sepse pema njihet nga fryti. |
34. | O pjellë nepërkash! Si mund të flisni mirë, kur jeni të këqij? Sepse ç'ka zemra qet goja. |
35. | Njeriu i mirë nga thesari i mirë i zemrës nxjerr gjëra të mira; por njeriu i keq nxjerr gjëra të këqija nga thesari i tij i keq. |
36. | Por unë po ju them se ditën e gjyqit njërëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë. |
37. | Sepse në bazë të fjalëve të tua do të justifikohesh, dhe në bazë të fjalëve të tua do të dënohesh''. |
38. | Atëherë disa skribë dhe farisenj e pyetën duke thënë: ''Mësues, ne duam të shohim ndonjë shenjë prej teje''. |
39. | Por ai duke iu përgjigjur u tha atyre: ''Ky brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por asnjë shenjë nuk do t'i jepet, përveç shenjës së profetit Jona. |
40. | Në fakt ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemër të tokës. |
41. | Banorët e Ninivit do të ringjallen në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan me predikimin e Jonas; dhe ja, këtu është një më i madh se Jona. |
42. | Mbretëresha e jugut do të ringjallet në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji më i largët i tokës për të dëgjuar diturinë e Salomonit; dhe ja, këtu është një më i madh se Salomoni. |
43. | Tani kur fryma e ndyrë ka dalë nga një njeri, endet nëpër vende të thata, duke kërkuar qetësi, por nuk e gjen. |
44. | Atëherë thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time, nga kam dalë"; po kur arrin e gjen të zbrazët, të pastruar dhe të zbukuruar; |
45. | atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjera më të liga se ai, të cilët hyjnë dhe banojnë aty; kështu gjendja e fundit e këtij njeriut bëhet më e keqe nga e mëparshmja. Kështu do t'i ndodhë edhe këtij brezi të mbrapshtë''. |
46. | Ndërsa ai vazhdonte t'u fliste turmave, ja nëna e tij dhe vëllezërit e tij po rrinin jashtë dhe kërkonin të flisnin me të. |
47. | Dhe dikush i tha: ''Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të flasin me ty''. |
48. | Por ai duke iu përgjigjur, i tha atij që e kishte lajmëruar: ''Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?''. |
49. | E shtriu dorën e vet drejt dishepujve të vet dhe tha: ''Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi. |
50. | Sepse kushdo që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej, më është vëlla, motër dhe nënë''. |
← Matthew (12/28) → |