← Matthew (10/28) → |
1. | Pastaj Jezusi i thirri të dymbëdhjetë dishepujt e tij rreth vetes dhe u dha autoritet t'i dëbojnë frymërat e ndyra, dhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë. |
2. | Dhe emrat e dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, i quajtur Pjetër dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, vëllai i tij; |
3. | Filipi dhe Bartolomeu; Thomai dhe Mateu tagrambledhësi, Jakobi i Alfeut dhe Lebeu, i mbiquajtur Tade; |
4. | Simon Kananeasi dhe Judë Iskarioti, ai që më pas e tradhtoi. |
5. | Këta janë të dymbëdhjetët që Jezusi i dërgoi mbasi u dha këto urdhëra: ''Mos shkoni ndër paganë dhe mos hyni në asnjë qytet të Samaritanëve, |
6. | por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. |
7. | Shkoni dhe predikoni duke thënë: "Mbretëria e qiejve u afrua". |
8. | Shëroni të sëmurët, pastroni lebrozët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët; falas morët, falas jepni. |
9. | Mos grumbulloni ar, as argjend as bakër në qesen tuaj, |
10. | as trasta për udhë, as dy palë tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori është i denjë për ushqimin e vet. |
11. | Në çfarëdo qytet ose fshat që të hyni, pyetni në se ka aty ndonjë njeri të denjë dhe banoni tek ai deri sa të niseni. |
12. | Dhe kur hyni në shtëpi, e përshëndetni. |
13. | Dhe në se ajo shtëpi është e denjë, le të vijë paqja juaj mbi të; por, në se nuk është e denjë, paqja juaj le të kthehet përsëri tek ju. |
14. | Dhe në se dikush nuk ju pret dhe nuk i dëgjon fjalët tuaja, duke dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja. |
15. | Dhe në të vërtetë po ju them se ditën e gjyqit, vendi i Sodomës dhe i Gomorës do të trajtohet me më shumë tolerancë se ai qytet. |
16. | Ja, unë po ju dërgoj si dele në mes të ujqërve; jini, pra, të mënçur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat. |
17. | Por ruhuni nga njerëzit, sepse do t'ju zvarrisin përpara sinedrave të tyre dhe do t'ju fshikullojnë në sinagogat e tyre. |
18. | Dhe do t'ju çojnë përpara guvernatorëve dhe përpara mbretërve për shkakun tim, për të dëshmuar para tyre dhe para johebrenjve. |
19. | Dhe, kur t'ju dorëzojnë në duart e tyre, mos u shqetësoni se çfarë dhe si do të flisni; sepse në atë çast do t'ju jepet se çfarë duhet të thoni; |
20. | sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Fryma e Atit tuaj që do të flasë në ju. |
21. | Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati të birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t'i vrasin. |
22. | Dhe të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim; por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë. |
23. | Por kur do t'ju përndjekin në një qytet, ikni në një tjetër, sepse në të vërtetë ju them se nuk do të përfundoni së përshkuari qytetet e Izraelit, para se të vijë Biri i njeriut. |
24. | Dishepulli nuk del mbi mësuesin, as shërbëtori mbi zotin e tij. |
25. | I mjafton dishepullit të bëhet si mësuesi i tij dhe shërbëtorit të bëhet si zotëria e tij. Në se të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebub, aq më tepër do t'i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij! |
26. | Mos ia kini frikën pra, sepse nuk ka gjë të fshehtë që të mos zbulohet dhe asnjë sekret që nuk do të nijhet. |
27. | Atë që unë ju them në terr, e thoni në dritë; dhe atë që dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni mbi çatitë. |
28. | Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; kini frikë më tepër nga ai që mund t'ua humbë shpirtin dhe trupin në Gehena. |
29. | A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj. |
30. | Sa për ju, madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara. |
31. | Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela. |
32. | Prandaj kushdo që do të më rrëfenjë përpara njerëzve, dhe unë do ta rrëfejë përpara Atit tim që është në qiej. |
33. | Por kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj përpara Atit tim që është në qiej''. |
34. | ''Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën. |
35. | Sepse unë erdha ta ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjehrra, |
36. | dhe armiqt e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet. |
37. | Ai që e do të atin ose nënën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua. |
38. | Dhe ai që nuk e merr kryqin e vet dhe nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua. |
39. | Kush do të gjejë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë përsëri. |
40. | Ai që ju pranon, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar. |
41. | Ai që pranon një profet në emër të një profeti, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; dhe ai që pranon të drejtin në emër të të drejtit, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit. |
42. | Dhe kushdo që i jep për të pirë qoftë edhe vetëm një gotë uji të freskët ndonjërit prej këtyre të vegjëlve në emër të një dishepulli, në të vërtetë ju them, që ai nuk do të humbë aspak shpërblimin e tij''. |
← Matthew (10/28) → |