← Mark (8/16) → |
1. | Në ato ditë, duke qenë se u mblodh një turmë shumë e madhe dhe s'kishin ç'të hanin, Jezusi i thirri dishepujt e vet dhe u tha atyre: |
2. | ''Kam mëshirë për këtë turmë, sepse u bënë tri ditë që po rri me mua, dhe nuk ka ç'të hajë. |
3. | Dhe po t'i nis të pa ngrënë në shtëpitë e tyre, do të mbeten udhës; disa prej tyre kanë ardhur që nga larg''. |
4. | Dhe dishepujt e tij iu përgjigjën: ''Si do të mund t'i ngopte me bukë këta dikush, këtu në shkretëtirë?''. |
5. | Dhe ai i pyeti: ''Sa bukë keni?''. Ata i thanë: ''Shtatë''. |
6. | Atëherë ai e urdhëroi turmën të ulet për tokë; dhe mori të shtatë bukët, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të vet që t'ia shpërndajnë turmës; dhe ata ia shpërndanë. |
7. | Kishin edhe disa peshq të vegjël; mbasi i bekoi, urdhëroi që edhe ata t'i shpërndahen turmës. |
8. | Kështu ata hëngrën dhe u ngopën; dhe dishepujt çuan shtatë kosha me copat që tepruan. |
9. | Ata që hëngrën ishin rreth katër mijë veta; pastaj i lejoi. |
10. | Dhe menjëherë hypi në barkë me dishepujt e vet dhe shkoi në rrethinën e Dalmanutës. |
11. | Atëherë erdhën farisenjtë dhe nisën të diskutojnë me të, duke i kërkuar një shenjë nga qielli për ta vënë në provë. |
12. | Por ai, duke psherëtirë në frymë, tha: ''Përse ky brez kërkon një shenjë? Në të vërtetë po ju them se këtij brezi nuk do t'i jepet asnjë shenjë''. |
13. | Atëherë i la, hipi përsëri në barkë dhe kaloi në bregun tjetër. |
14. | Tani dishepujt kishin harruar të marrin bukë me vete, dhe në barkë s'kishin asgjë përveç një buke. |
15. | Dhe Jezusi i qortoi duke thënë: ''Kini kujdes, ruhuni nga majaja e farisenjve dhe nga majaja e Herodit!''. |
16. | Por ata diskutonin midis tyre duke thënë: ''Nuk kemi bukë''. |
17. | Jezusi e vuri re dhe u tha: ''Përse dis-kutoni që s'keni bukë? Ende nuk po e kuptoni e nuk e merrni vesh? Ende e keni zemrën të ngurtë? |
18. | Keni sy dhe nuk shihni, keni veshë dhe nuk dëgjoni? Dhe nuk po mbani mend? |
19. | Kur ndava të pesë bukët për të pesë mijtë, sa kosha plot me copa mblodhët?''. Ata thanë: ''Dymbëdhjetë''. |
20. | ''Po kur theva të shtatë bukët për të katër mijtët, sa shporta plot me bukë mblodhët?''. Dhe ata thanë: ''Shtatë''. |
21. | Dhe ai u tha atyre: ''Po si, ende nuk po kuptoni?''. |
22. | Pastaj arriti në Betsaida; dhe i prunë një të verbër e iu lutën ta prekte. |
23. | Atëherë e mori për dore të verbërin, e nxori jashtë fshatit dhe, pasi i pështyu në sy dhe vuri duart mbi të, e pyeti nëse shihte gjë. |
24. | Dhe ai, duke hapur sytë, tha: ''Po shoh njerëz si pemë që ecin''. |
25. | Atëherë Jezusi i vuri përsëri duart mbi sytë dhe e bëri të shikojë lart; dhe atij iu kthye të parit dhe shikonte qartë gjithçka. |
26. | Dhe Jezusi e nisi të shkojë në shtëpinë e tij duke i thënë: ''Mos hyr në fshat dhe mos ia trego askujt në fshat''. |
27. | Pastaj Jezusi shkoi bashkë me dishepujt e vet ndër fshatrat e Cesaresë së Filipit; dhe gjatë rrugës i pyeti dishepujt e vet duke u thënë atyre: ''Kush thonë njerëzit se jam unë?''. |
28. | Ata u përgjigjën: ''Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, dhe të tjerë një nga profetët''. |
29. | Dhe ai u tha atyre: ''Po ju, kush thoni se jam?''. Dhe Pjetri, duke iu përgjigjur i tha: ''Ti je Krishti''. |
30. | Atëherë ai i urdhëroi rreptësisht që të mos i tregojnë askujt për të. |
31. | Pastaj nisi t'u mësojë atyre se Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, do të hidhet poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët; se do të vritet dhe pas tri ditësh do të ringjallet. |
32. | Dhe ai i tha këto gjëra haptas. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë. |
33. | Por ai u kthye, shikoi dishepujt e vet dhe e qortoi Pjetrin, duke thënë: ''Largohu nga unë, Satana, se ti nuk ke shqisën për gjërat e Perëndisë, por për gjërat e njerëzve!''. |
34. | Pastaj e thirri pranë vetes turmën me dishepujt e vet dhe iu tha: ''Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë, |
35. | sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë. |
36. | Ç'dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet? |
37. | Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet? |
38. | Sepse kujtdo që do t'i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t'i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë''. |
← Mark (8/16) → |