← Mark (7/16) → |
1. | Atëherë rreth tij u mblodhën farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jeruzalemi. |
2. | Ata vunë re se disa nga dishepujt e tij po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara, dhe i paditën. |
3. | Në fakt farisenjtë dhe të gjithë Judenjtë nuk hanë pa i larë më parë me shumë kujdes duart, duke iu përmbajtur traditës së pleqve; |
4. | dhe, kur kthehen nga tregu, nuk hanë pa u pastruar më parë. Ka shumë gjëra të tjera që ata duhet të respektojnë për shkak të traditës: larjen e kupave, të brokave, të enëve prej bakri dhe të shtretërve. |
5. | Pastaj farisenjtë dhe skribët e pyetën: ''Përse dishepujt e tu nuk sillen sipas traditës së pleqve, por hanë bukë pa i larë duart?''. |
6. | Por ai duke u përgjigjur u tha atyre: ''Mirë profetizoi Isaia për ju, hipokritë, siç është shkruar: "Ky popull me buzë më nderon, por zemra e tyre rri larg meje. |
7. | Por kot më bëjnë një kult, duke mësuar doktrina, të cilat janë porosi nga njerëzit". |
8. | Duke lënë pas dore, pra, urdhërimin e Perëndisë, ju i përmbaheni traditës së njerëzve: larje brokash dhe kupash; dhe bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme''. |
9. | U tha atyre akoma: ''Ju jeni të shkathët për të anuluar urdhërimin e Perëndisë, për të zbatuar traditën tuaj. |
10. | E në fakt Moisiu tha: "Ndero atin tënd dhe nënën tënde", dhe: "Ai që mallkon atin ose nënën, të dënohet me vdekje". |
11. | Por ju thoni: "Në qoftë se dikush i thotë atit të vet ose nënës së vet: Gjithçka që mund të bëjë për ty është kurban, domethënë një ofertë Perëndisë", |
12. | nuk e lejoni atë të bëjë asgjë për atin e vet ose për nënën e vet, |
13. | duke e anuluar kështu fjalën e Perëndisë me traditën tuaj, që ju e keni trashëguar. Dhe ju po bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme''. |
14. | Pastaj thirri gjithë turmën rreth vetes dhe i tha: ''Më dëgjoni të gjithë dhe kuptoni: |
15. | Nuk ka asgjë jashtë njeriut që, duke hyrë në të, mund ta ndotë atë; përkundrazi janë ato gjëra që dalin prej tij që e ndotin. |
16. | Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë! |
17. | Më pas, kur ai u kthye në shtëpi, larg turmës, dishepujt e vet e pyetën për kuptimin e shëmbëlltyrës. |
18. | Dhe ai u tha atyre: ''Edhe ju qënkeni kaq të pamend? A nuk e kuptoni se çdo gjë që nga jashtë hyn te njeriu nuk mund ta ndotë, |
19. | sepse nuk i hyn në zemër, por në bark, dhe pastaj jashtëqitet në gjiriz?''. Duke folur kështu, ai i deklaroi të pastra të gjitha ushqimet. |
20. | Tha akoma: ''Ajo që del nga njeriu, e bën atë të ndotur. |
21. | Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet, |
22. | vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku. |
23. | Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriut''. |
24. | Pastaj u nis që andej dhe shkoi në krahinën e Tiros dhe të Sidonit; hyri në një shtëpi dhe donte që askush të mos e dinte, por nuk mundi të qëndrojë i fshehur. |
25. | Në fakt një grua, vajza e së cilës kishte një frymë e ndyrë, duke dëgjuar për Jezusin, erdhi dhe u hodh para këmbëve të tij. |
26. | Tani ajo grua ishte greke, me prejardhje sirofenikase; dhe iu lut që ta dëbonte demonin nga e bija; |
27. | por Jezusi i tha: ''Lëri më parë fëmijët të ngopen, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t'u hidhet këlyshëve të qenve''. |
28. | Por ajo u përgjigj dhe i tha: ''Mirë po flet, o Zot, por edhe këlyshët nën tryezë hanë thërimet e fëmijëve!'' |
29. | Atëherë ai i tha: ''Për këtë fjalën tënde, shko; demoni doli nga vajza jote!''. |
30. | Dhe ajo, kur u kthye në shtëpinë e vet, e gjeti të bijën në shtrat, dhe demoni i kishte dalë. |
31. | Mbasi u nis përsëri nga krahina e Tiros dhe e Sidonit, Jezusi arriti te deti i Galilesë, në mes të krahinës së Dekapolit. |
32. | Dhe i paraqitën një të shurdhët që mezi fliste, dhe iu lutën t'i vërë duart mbi të. |
33. | Si e mori veçmas, larg turmës, ia shtiu gishtrinjtë në vesh dhe mbasi e pështyu ia preku gjuhën. |
34. | Pastaj i drejtoi sytë nga qielli, psherëtiu dhe i tha: ''Effatha'', që do të thotë: ''Hapu!''. |
35. | Dhe menjëherë iu hapën veshët, iu zgjidh nyja e gjuhës dhe foli rrjedhshëm. |
36. | Dhe Jezusi i urdhëroi ata që të mos i tregojnë askujt; por sa më tepër ua ndalonte, aq më tepër ata e përhapnin. |
37. | Dhe, të habitur shumë, thonin: ''Ai çdo gjë e ka bërë mirë: ai i bën që të shurdhët të dëgjojnë dhe memecët të flasin!''. |
← Mark (7/16) → |