← Mark (4/16) → |
1. | Pastaj nisi përsëri të mësojë në breg të detit; dhe rreth tij u mblodh një turmë aq e madhe, sa që ai hyri në barkë dhe rrinte ulur në det, ndërsa gjithë turma ishte në tokë pranë detit. |
2. | Dhe ai u mësonte atyre shumë gjëra në shëmbëlltyra, dhe u thoshte atyre në mësimin e tij: |
3. | ''Dëgjoni! Ja, doli mbjellësi të mbjellë. |
4. | Dhe ndodhi që kur hidhte farën, një pjesë e farës ra gjatë rrugës dhe zogjtë e qiellit erdhën dhe e hëngrën. |
5. | Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë dhe dhe mbiu menjëherë, sepse s'kishte një tokë të thellë. |
6. | Por, kur doli dielli, u dogj; dhe me që nuk kishte rrënjë, u tha. |
7. | Një pjesë tjetër ra midis ferrave; ferrat u rritën, e mbyten dhe nuk dha fryt. |
8. | Një pjesë tjetër ra në tokë të mirë, dhe solli frut që rritej, dhe u zhvillua për të dhënë njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë dhe tjetra njëqind''. |
9. | Pastaj ai u tha atyre: ''Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!''. |
10. | Tani kur ishte vetëm, ata që i rrinin përreth bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrën. |
11. | Dhe ai u tha atyre: ''Juve u është dhënë të njihni misterin e mbretërisë së Perëndisë; kurse atyre që janë përjashta të gjitha këto jepen me shëmbëlltyra, |
12. | që: "Duke parë, të shohin, por të mos vën re; edhe duke dëgjuar, të dëgjojnë, por të mos kuptojnë, se mos pendohen dhe mëkatet u falen"''. |
13. | Pastaj u tha atyre: ''Nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? Po atëhere si do t'i kuptoni të gjitha shëmbëlltyrat e tjera? |
14. | Mbjellësi mbjell fjalën. |
15. | Ata gjatë rrugës janë ata në të cilët mbillet fjala; por pasi e kanë dëgjuar atë, vjen menjëherë Satanai dhe ua heq fjalën e mbjellë në zemrat e tyre. |
16. | Po ashtu ata që e marrin farën mbi nje gurishte janë ata që, kur e kanë dëgjuar fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim; |
17. | por nuk kanë rrënjë në vetvete, dhe janë të përkohshëm; dhe kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohen menjëherë. |
18. | Ata përkundrazi të cilët e marrin farën midis ferrave, janë ata që e dëgjojnë fjalën, |
19. | por shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë dhe lakmitë për gjëra të tjera që hynë, e mbyten fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme. |
20. | Kurse ata që e morën farën në tokë të mirë, janë ata që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: një tridhjetë, tjetri gjashtëdhjetë dhe tjetri njëqind''. |
21. | Pastaj u tha atyre: ''A merret vallë llamba për ta vënë nën babunë ose nën shtrat? A nuk vihet mbi dritëmbajtësen? |
22. | Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që të mos zbulohet, as kurrgjë sekrete që të mos dalin në dritë. |
23. | Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!'' |
24. | Dhe u tha atyre: ''Vini re atë që dëgjoni. Me atë masë që ju matni, do t'iu matet juve; edhe juve që dëgjoni do t'iu jepet edhe më. |
25. | Sepse atij që ka, do t'i jepet, por atij që s'ka, do t'i merret edhe ajo që ka. |
26. | Tha akoma: ''Mbretëria e Perëndisë është si një njeri që hedh farën në dhe. |
27. | Dhe natën dhe ditën, ndërsa ai fle dhe çohet, fara mbin dhe rritet, pa e ditur ai se si. |
28. | Sepse dheu prodhon vetvetiu më parë kërcellin, pastaj kallirin, dhe më në fund kallirin plot me kokrra. |
29. | Dhe kur fryti piqet, menjëherë korrësi i vë drapërin, sepse erdhi koha e korrjes. |
30. | Edhe tha: Me se ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Ose me çfarë shëmbëlltyre ta paraqesim? |
31. | Ajo i ngjan farës së sinapit, që, kur është mbjellë në dhe, është më e vogla nga të gjitha farërat që janë mbi dhe; |
32. | por, pasi mbillet, rritet dhe bëhet më e madhe se të gjitha barishtet; dhe lëshon degë aq të mëdha, sa zogjtë e qiellit mund të gjejnë strehë nën hijen e saj''. |
33. | Dhe me shumë shëmbëlltyra të tilla, u shpallte atyre fjalën, ashtu si ata ishin në gjendje ta kuptojnë. |
34. | Dhe nuk u fliste atyre pa shëmbëlltyra, ndërsa dishepujve të tij, veçmas, u shpjegonte çdo gjë. |
35. | Tani po atë ditë, si u ngrys, u tha atyre: ''Kalojmë te bregu matanë! |
36. | Dhe dishepujt, si e nisën popullin, e morrën me vete Jezusin, ashtu si ishte, në barkë. Me të ishin edhe disa barka të tjera të vogla. |
37. | Ndërkaq shpërtheu një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë aq shumë sa ajo po mbushej. |
38. | Ai ndërkaq po flinte në kiç mbi një jastëk. Ata e zgjuan dhe i thanë: ''Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?''. |
39. | Dhe ai si u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: ''Pusho dhe fashitu!''. Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe. |
40. | Atëherë u tha atyre: ''Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?''. |
41. | Dhe ata i zuri një frikë e madhe dhe i thoshnin njëritjetrit: ''Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?''. |
← Mark (4/16) → |