← Mark (3/16) → |
1. | Pastaj ai hyri përsëri në sinagogë dhe aty ishte një njeri që kishte një dorë të tharë. |
2. | Dhe ata po e ruanin në se do ta shëronte në ditën e së shtunës, që pastaj ta paditnin. |
3. | Dhe ai i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: ''Çohu në mes të të gjithëve!''. |
4. | Dhe u tha atyre: ''A është e lejueshme ditën e së shtunës të bësh të mirë apo të keqe, të shpëtosh një jetë apo ta vrasësh?''. Por ata heshtnin. |
5. | Atëherë ai, si i shikoi rreth e qark me zemërim, i hidhëruar për ngurtësinë e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: ''Shtrije dorën tënde!''. Ai e shtriu, dhe dora e tij u shëndosh përsëri si tjetra. |
6. | Dhe farisenjtë dolën jashtë e menjëherë bënin këshill bashkë me herodianët kundër tij, se si ta vrasin. |
7. | Por Jezusi me dishepujt e vet u tërhoq drejt detit; dhe një turmë e madhe nga Galilea i ndoqi; edhe nga Judea; |
8. | dhe nga Jeruzalemi, nga Idumea, nga përtej Jordanit; gjithashtu një turmë e madhe nga rrethinat Etiros dhe të Sidonit, kur dëgjoi gjërat e medha që ai bënte, erdhi tek ai. |
9. | Atëherë ai u tha dishepujve të tij të kenë gjithnjë gati një barkë, që populli mos e shtynte. |
10. | Sepse ai kishte shëruar shumë veta, të gjithë që kishin sëmundje dyndeshin rreth tij që ta preknin. |
11. | Dhe frymërat e ndyrë, kur e shihnin, binin përmbys para tij dhe bërtitnin, duke thënë: ''Ti je Biri i Perëndisë!''. |
12. | Por ai i qortoi rreptësisht që të mos thonin se kush ishte ai. |
13. | Pastaj ai u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që deshi. Dhe ata erdhën tek ai. |
14. | Dhe ai i caktoi dymbëdhjetë që të rrinin me të dhe që mund t'i dërgonte të predikojnë, |
15. | dhe të kishin pushtet të shëronin sëmundjet dhe të dëbonin demonët. |
16. | Ata ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër; |
17. | Jakobi, bir i Zebedeut, dhe Gjoni, vë-llai i Jakobit, të cilave ua vuri emrin Boanerges, që do të thotë: "Bij të bubullimës"; |
18. | Andrea, Filipi, Bartolomeu, Mateu, Thomai, Jakobi i Alfeut, Tadeu, Simon Kananeasi, |
19. | dhe Juda Iskarioti, i cili më pas e tradhëtoi. |
20. | Pastaj hynë në një shtëpi. Dhe u mblodh përsëri një turmë aq e madhe, sa që as bukë s'mund të hanin. |
21. | Dhe kur të afërmit e tij e morën vesh, shkuan ta marrin atë, sepse flitej: ''Nuk është në vete''. |
22. | Kurse skribët, që kishin zbritur nga Jeruzalemi, thoshnin: ''Ai e ka Beelzebubin dhe i dëbon demonët me princin e demonëve''. |
23. | Por ai i thirri pranë vetes dhe u foli me anë të shëmbëlltyrave: ''Si mund Satanai të dëbojë Satananë? |
24. | Në qoftë se një mbretëri është përçarë kundër vetvetes, ajo mbretëri nuk mund të qëndrojë. |
25. | Dhe në qoftë se një shtëpi përçahet kundër vetvetes, ajo shtëpi nuk mund të qëndrojë. |
26. | Kështu, në se Satanai ngrihet kundër vetvetes dhe është përçarë, nuk mbahet dot, por i erdhi fundi! |
27. | Askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e njeriut të fortë dhe t'ia grabitë pasuritë e tij, pa e lidhur më parë njeriun e fortë; vetëm atëherë mund t'ia plaçkitë shtëpinë. |
28. | Në të vërtetë po ju them se bijve të njerëzve do t'u falet çfarëdo mëkat dhe çdo blasfemi që do të thonë; |
29. | po për atë që do të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë nuk do të ketë falje përjetë; ai është fajtor për dënim të përjetshëm''. |
30. | Sepse ata thoshnin: ''Ai ka një frymë të ndyrë!''. |
31. | Ndërkaq erdhën vëllezërit e tij dhe e ëma dhe, si ndaluan përjashta, dërguan ta thërrasin. |
32. | Turma ishte ulur përreth tij; dhe i thanë: ''Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta dhe po të kërkojnë''. |
33. | Por ai u përgjigj atyre duke thënë: ''Kush është nëna ime, ose vëllezërit e mi?''. |
34. | Pastaj duke vështruar rreth e qark mbi ata që ishin ulur rreth tij, tha: ''Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi! |
35. | Sepse kushdo që bën vullnetin e Perëndisë, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!''. |
← Mark (3/16) → |