| ← Mark (15/16) → |
| 1. | Dhe herët në mëngjes krerët e priftërinjve me pleqtë, skribët dhe gjithë sinedrit bënin këshill, e lidhën Jezusin e çuan jashtë e ia dorëzuan Pilatit. |
| 2. | Dhe Pilati e pyeti: ''A je ti mbreti i Judenjve?''. Dhe ai, duke u përgjigjur, i tha: ''Ti e thua!''. |
| 3. | Dhe krerët e priftërinjve e akuzonin për shumë gjëra; por ai nuk përgjigjej aspak. |
| 4. | Pilati e pyeti përsëri, duke thënë: ''Nuk po përgjigjesh fare? Shih për sa gjëra të akuzojnë!''. |
| 5. | Por Jezusi nuk u përgjigj më asgjë, aq sa Pilati mbeti i çuditur. |
| 6. | Dhe në çdo festë ishte zakon t'u lëshohej atyre një i burgosur, këdo që ata do kërkonin. |
| 7. | Por ishte në burg një njeri që quhej Baraba, bashkë me shokë të tjerë rebelë, të cilët kishin bërë një vrasje gjatë një kryengritjeje. |
| 8. | Dhe turma, duke bërtitur, filloi të kërkojë që të bënte ashtu siç kishte vepruar gjithnjë për ta. |
| 9. | Atëherë Pilati iu përgjigj atyre duke thënë: ''A doni t'ju liroj mbretin e Judenjve?''. |
| 10. | Sepse e dinte që krerët e priftërinjve ia kishin dorëzuar nga smira. |
| 11. | Por krerët e priftërinjve e nxitën turmën që të kërkojë që t'u lironte atyre Barabanë. |
| 12. | Dhe Pilati e mori përsëri fjalën dhe u tha atyre: ''Çfarë doni, pra, të bëj me atë që ju e quani mbret të Judenjve?''. |
| 13. | Dhe ata bërtitën përsëri: ''Kryqëzoje!''. |
| 14. | Dhe Pilati u tha atyre: ''Po ç'të keqe ka bërë?''. Atëherë ata bërtitën edhe më fort: ''Kryqëzoje!''. |
| 15. | Prandaj Pilati, duke dashur ta kënaqë turmën, ua lëshoi Barabanë. Dhe, mbasi e fshikulluan Jezusin, ua dorëzoi atyre që të kryqëzohej. |
| 16. | Atëherë ushtarët e çuan Jezusin në oborrin e brendshëm domëthënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën. |
| 17. | E veshën në purpur dhe, si thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye. |
| 18. | Pastaj nisën ta përshëndesin duke i thënë: ''Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!''. |
| 19. | Dhe e goditnin në krye me një kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e adhuronin. |
| 20. | Pasi e tallën, ia hoqen purpurën, e veshën me rrobat e tij dhe e nxorën jashtë për ta kryqëzuar. |
| 21. | Ata e detyruan një kalimtar, një farë Simoni nga Kirena që kthehej nga ara, babai i Aleksandrit dhe i Rufit, që ta mbante kryqin e tij. |
| 22. | Pastaj e çuan Jezusin në vendin të quajtur Golgota, që do të thotë: "Vendi i Kafkës". |
| 23. | I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori. |
| 24. | Dhe, pasi e kryqëzuan, i ndanë rrobat e tij duke hedhur short, për të ditur çfarë do t'i binte secilit. |
| 25. | Ishte ora e tretë kur e kryqëzuan. |
| 26. | Dhe mbishkrimi që tregonte shkakun e dënimit, i cili ishte vënë përmbi të, thoshte: "Mbreti i Judenjve". |
| 27. | Bashkë me të kryqëzuan edhe dy vjedhës, njërin në të djathtën e tij dhe tjetrin në të majtën e tij. |
| 28. | Kështu u përmbush Shkrimi që thotë: ''Ai u përfshi ndër keqbërësit''. |
| 29. | Dhe ata që kalonin aty afër e fyenin, duke tundur kokën, dhe duke thënë: ''Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë, |
| 30. | shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!''. |
| 31. | Po ashtu edhe krerët e priftërinjve me skribët, duke e tallur, i thoshnin njeri tjetrit: ''Të tjerët i shpëtoi, por veten s'mund ta shpëtojë. |
| 32. | Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë''. Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të, e fyenin atë. |
| 33. | Pastaj, kur erdhi e gjashta orë, errësira e mbuloi gjithë vendin deri në të nëntën orë. |
| 34. | Dhe në të nëntën orë Jezusi bërtiti me zë të lartë: ''Eloi, Eloi; lama sabaktani?'', që e përkthyer do të thotë: ''Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?''. |
| 35. | Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thoshnin: ''Ja, ai po thërret Elian!''. |
| 36. | Atëherë një prej tyre erdhi me vrap, e zhyti një sfungjer në uthull dhe, mbasi e vuri në një kallam, ia dha të pijë, duke thënë: ''Lëreni; të shohim nëse vjen Elia që ta zbresë poshtë''. |
| 37. | Por Jezusi, si lëshoi një britmë të madhe, dha frymën. |
| 38. | Atëherë veli i tempullit u ça më dysh nga maja deri në fund. |
| 39. | Dhe centurioni që qëndronte përballë Jezusit, kur pa se, pasi Jezusi bërtiti ashtu, kishte dhënë shpirt, tha: ''Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Perëndisë!''. |
| 40. | Aty ishin gjithashtu edhe gra që shikonin nga larg; midis tyre ishin Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit të vogël të Joses dhe Salomeja, |
| 41. | të cilat e kishin ndjekur dhe i kishin shërbyer kur ishte në Galile; dhe kishte edhe shumë të tjera që ishin ngjitur bashkë me të në Jeruzalem. |
| 42. | Pastaj, u afrua tashmë mbrëmja, sepse ishte Përgatitja, domethënë vigjilja e së shtunës, |
| 43. | Jozefi nga Arimatea, një këshilltar i respektuar, i cili priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë, me guxim hyri te Pilati dhe kërkoi trupin e Jezusit. |
| 44. | Dhe Pilati u çudit që tashmë kishte vdekur. Dhe thirri centurionin dhe e pyeti nëse kishte vdekur prej shumë kohe. |
| 45. | Dhe si u sigurua nga centurioni, ia la trupin Jozefit. |
| 46. | Ky, mbasi bleu një çarçaf, e zbriti Jezusin nga kryqi, e mbështolli në çarçaf dhe e vuri në një varr që ishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur para hyrjes së varrit. |
| 47. | Dhe Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Joses, vërenin ku e vunë. |
| ← Mark (15/16) → |