← Luke (9/24) → |
1. | Pastaj, mbasi i thirri bashkë të dymbëdhjetë dishepujt e vet, u dha atyre pushtet dhe autoritet mbi të gjithë demonët dhe të shërojnë sëmundjet. |
2. | Dhe i nisi të predikojnë mbretërinë e Perëndisë dhe të shërojnë të sëmurët. |
3. | Dhe u tha atyre: ''Mos merrni asgjë për rrugë: as shkop, as trastë, as bukë, as para dhe asnjë prej jush të mos ketë dy tunika me vete. |
4. | Në atë shtëpi ku të hyni, aty rrini deri sa të largoheni. |
5. | Nëse disa nuk ju pranojnë, duke dalë prej atij qyteti, shkundni edhe pluhurin nga këmbët tuaja, si dëshmi kundër tyre''. |
6. | Atëherë ata u nisën dhe përshkuan fshatrat duke përhapur ungjillin dhe duke shëruar kudo. |
7. | Herodi, tetrarku, kishte dëgjuar për të gjitha gjërat që kishte kryer Jezusi dhe ishte në mëdyshje, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ringjallur së vdekuri, |
8. | të tjerë se ishte shfaqur Elia, e disa të tjerë se ishte ringjallur një nga profetët e lashtë. |
9. | Por Herodi tha: ''Gjonit unë ia kam prerë kokën; kush do të jetë ky, për të cilin po dëgjoj të thuhen të tilla gjëra?''. Dhe kërkonte ta shihte. |
10. | Kur u kthyen apostujt, i treguan Jezusit të gjitha gjërat që kishin bërë. Atëherë ai i mori me vete dhe u tërhoq mënjanë, në një vend të shkretë të një qyteti, që quhej Betsaida. |
11. | Po, kur turmat e morën vesh, i ndiqnin; dhe ai i mirëpriti dhe u fliste për mbretërinë e Perëndisë, dhe shëronte ata që kishin nevojë për shërim. |
12. | Tani kur dita filloi të mbarojë, të dymbëdhjetët iu afruan dhe i thanë: ''Nise turmën, që të shkojë nëpër fshatra e nëpër fushat përreth, që të gjejë strehë dhe ushqim, sepse këtu jemi në një vend të shkretë''. |
13. | Por ai u tha atyre: ''U jepni ju të hanë''. Ata u përgjigjen: ''Ne nuk kemi tjetër veç se pesë bukë e dy peshq; vetëm nëse shkojmë vetë të blejmë ushqim për gjithë këta njerëz''. |
14. | Ishin, pra, rreth pesë mijë burra. Por ai u tha dishepujve të vet: ''I vini të ulen në grupe nga pesëdhjetë''. |
15. | Ata vepruan në këtë mënyrë dhe i ulën të gjithë. |
16. | Atëherë ai i mori të pesë bukët dhe të dy peshqit dhe, pasi i ngriti sytë drejt qiellit, i bekoi, i ndau dhe ua dha dishepujve të vet që t'ia shpërndajnë turmës. |
17. | Dhe të gjithë hëngrën e u ngopën; nga copat që tepruan mblodhën dymbëdhjetë shporta. |
18. | Dhe ndodhi që, ndërsa Jezusi po lutej në vetmi, dishepujt ishin bashkë me të. Dhe ai i pyeti duke thënë: ''Kush thonë turmat se jam unë?''. |
19. | Ata duke u përgjgjur thanë: ''Disa thonë "Gjon Pagëzori", të tjerë "Elia" dhe të tjerë një nga profetët e lashtë që është ringjallur''. |
20. | Dhe ai u tha atyre: ''Po ju, kush thoni se jam unë?''. Atëherë Pjetri duke u pergjigjur tha: ''Krishti i Perëndisë''. |
21. | Atëherë ai i porositi rreptë dhe i urdhëroi të mos i tregojnë kurrkujt, |
22. | duke thënë: ''Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, ta përbuzin pleqtë, krerët e priftërinjve dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ringjallet''. |
23. | Pastaj u tha të gjithëve: ''Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë. |
24. | Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë. |
25. | E pra, ç'dobi ka njeriu po të fitojë tërë botën, dhe pastaj të shkatërrojë veten dhe të shkojë në humbje? |
26. | Sepse, nëse dikujt i vjen turp për mua dhe për fjalët e mia, edhe Birit të njeriut do t'i vijë turp për të, kur të vijë në lavdinë e vet dhe të Atit e të engjëjve të shenjtë. |
27. | Në të vërtetë po ju them se këtu janë të pranishëm disa që nuk do ta shjojnë vdekjen, para se ta shohin mbretërinë e Perëndisë''. |
28. | Dhe ndodhi që afërsisht tetë ditë pas këtyre thënieve, Ai mori me vete Pjetrin, Gjonin Jakobin dhe u ngjit në mal për t'u lutur. |
29. | Dhe ndërsa po lutej, pamja e fytyrës së tij ndryshoi dhe veshja e tij u bë e bardhë dhe e ndritshme. |
30. | Dhe ja, dy burra po bisedonin me të; ata ishin Moisiu dhe Elia, |
31. | të cilët, të shfaqur në lavdi, i flisnin për ikjen e tij nga kjo jetë që do të kryhej së shpejti në Jeruzalem. |
32. | Pjetri dhe shokët e tij ishin të këputur nga gjumi; po kur u zgjuan plotësisht, panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që ishin bashkë me të. |
33. | Dhe, ndërsa këta po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit: ''Mësues, për ne është mirë të rrijmë këtu; le të bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian''; por ai nuk dinte ç'thoshte. |
34. | Dhe ndërsa ai po fliste kështu, erdhi një re që i mbuloi në hijen e vet; dhe dishepujt i zuri frika, kur hynë në re. |
35. | Dhe një zë dilte nga reja duke thënë: ''Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni''. |
36. | Dhe ndërsa fliste ky zë, Jezusi u gjet krejt vetëm. Ata heshtën dhe në ato ditë nuk i treguan kurrkujt asgjë nga ç'kishin parë. |
37. | Të nesërmen, kur ata zbritën nga mali, ndodhi që një turmë e madhe i doli përpara Jezusit. |
38. | Dhe ja, një burrë nga turma filloi të bërtasë, duke thënë: ''Mësues, të lutem, ktheje vështrimin mbi djalin tim, sepse është i vetmi që kam. |
39. | Dhe ja, një frymë e kap dhe menjëherë ai bërtet; pastaj e përpëlit dhe e bën të nxjerrë shkumë dhe mezi largohet, pasi e ka sfilitur. |
40. | U jam lutur dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata nuk kanë mundur''. |
41. | Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''O brez mosbesues dhe i çoroditur, deri kur do të jem me ju dhe deri kur do t'ju duroj? Sille këtu djalin tënd''. |
42. | Dhe, ndërsa fëmija po afrohej, demoni e përpëliti atë dhe e sfiliti. Por Jezusi e qortoi frymën e ndyrë, e shëroi djalin dhe ia dorëzoi atit të vet. |
43. | Të gjithë mbetën të mahnitur nga madhëria e Perëndisë. Dhe, ndërsa të gjithë po mrekulloheshin për gjithçka bënte Jezusi, ai u tha dishepujve të vet: |
44. | ''I shtini mirë në vesh këto fjalë, sepse Biri i njeriut do të bjerë në duart e njerëzve''. |
45. | Por ata nuk i kuptuan këto fjalë; ato ishin të fshehta dhe për këtë shkak ata nuk i kuptonin dot, dhe druanin ta pyesnin për ato që kishte thënë. |
46. | Pastaj midis tyre filloi një grindje: cili prej tyre do të ishte më i madhi. |
47. | Atëherë Jezusi, duke ditur ç'mendime kishin në zemrat e tyre, mori një fëmijë të vogël dhe e afroi pranë vetes, |
48. | dhe u tha atyre: ''Ai që e pranon këtë fëmijë të vogël në emrin tim, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më dërgoi mua, sepse ai që është më i vogli nga ju të gjithë, ai do të jetë i madh''. |
49. | Atëherë Gjoni e mori fjalën dhe tha: ''Mësues, ne pamë një që i dëbonte demonët në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse ai nuk të ndjek bashkë me ne''. |
50. | Por Jezusi i tha: ''Mos ia ndaloni, sepse kush nuk është kundër nesh është me ne''. |
51. | Ndodhi që kur po plotësohej koha që Jezusi duhet të ngrihej në qiell, ai vendosi prerazi të shkojë në Jeruzalem, |
52. | dhe dërgoi përpara lajmëtarët. Këta, si u nisën, hynë në një fshat të Samaritanëve, për t'i përgatitur ardhjen. |
53. | Por ata të fshatit nuk deshën ta pranonin, sepse ai ecte me fytyrë të drejtuar nga Jeruzalemi. |
54. | Kur e panë këtë gjë, dishepujt e vet Jakobi dhe Gjoni thanë: ''Zot, a do ti që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t'i përvëlojë, ashtu si bëri edhe Elia?''. |
55. | Por ai u kthye nga ata dhe i qortoi duke thënë: ''Ju nuk e dini nga cili frymë jeni; |
56. | sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të shkatërruar shpirtërat e njerëzve, po për t'i shpëtuar''. Pastaj shkuan në një fshat tjetër. |
57. | Ndodhi që, ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: ''Zot, unë do të të ndjek kudo të shkosh''. |
58. | Por Jezusi i tha: ''Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit fole; kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën''. |
59. | Pastaj i tha një tjetri: ''Ndiqmë!''. Por ai përgjigjej: ''Zot, më lejo më parë të shkoj e të varros atin tim''. |
60. | Jezusi i tha: ''Lëri të vdekurit t'i varrosin të vdekurit e vet; por ti shko dhe prediko mbretërinë e Perëndisë''. |
61. | Akoma një tjetër i tha: ''Zot, unë do të të ndjek ty, por më lejo më parë të ndahem me ata të familjes sime''. |
62. | Jezusi i tha: ''Asnjëri që ka vënë dorë në parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë''. |
← Luke (9/24) → |