← Luke (8/24) → |
1. | Dhe pas kësaj ndodhi që ai shkonte nëpër qytete dhe nëpër fshatra, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë; me të ishin të dymbëdhjetët, |
2. | dhe disa gra, të cilat i kishte shëruar nga shpirtërat e këqij dhe nga sëmundjet: Maria, e quajtur Magdalenë, prej së cilët pati dëbuar shtatë demonë, |
3. | Joana, gruaja e Kuzës, administratorit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera të cilat e ndihmonin atë me pasuritë e tyre. |
4. | Si u mblodh një turmë e madhe dhe i erdhën njerëz nga çdo qytet, Jezusi tha në shëmbëlltyrë: |
5. | ''Një mbjellës doli të mbjellë farën e vet; dhe, ndërsa po mbillte, një pjesë ra gjatë rrugës, u shkel dhe zogjtë e qiellit e hëngrën. |
6. | Një pjesë tjetër ra në gurishte dhe, sapo mbiu, u tha për mungesë vlage. |
7. | Një pjesë tjetër ra ndër ferra; ferrat u rritën bashkë me të dhe ia zunë frymën. |
8. | Kurse një pjesë ra në tokë të mirë, mbiu dhe dha fryt njëqindfish''. Si i tha këto gjëra, thirri: ''Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!''. |
9. | Atëherë dishepujt e vet e pyetën çfarë kuptimi kishte ajo shëmbëlltyrë. |
10. | Dhe ai tha: ''Juve ju është dhënë të njihni misteret e mbretërisë së Perëndisë; por të tjerëve me anë të shëmbëlltyrave, që ata, duke shikuar të mos shohin dhe, duke dëgjuar të mos kuptojnë. |
11. | Ky është kuptimi i shëmbëlltyrës: fara është fjala e Perëndisë. |
12. | Ata përgjatë rrugës janë ata që e dëgjojnë fjalën; por pastaj vjen djalli dhe ua merr fjalën nga zemra e tyre, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtojnë. |
13. | Ata mbi gurishte janë ata që, kur dëgjojnë, e presin fjalën me gëzim; por ata nuk kanë rrënjë, besojnë për njëfarë kohe, por në momentin e sprovës tërhiqen. |
14. | Pjesa që ka rënë ndër ferra janë ata që e dëgjuan fjalën; por, gjatë rrugës, ua zënë frymën shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete, dhe nuk arrijnë të piqen. |
15. | Por pjesa që ra në tokë të mirë janë ata që, pasi e dëgjuan fjalën, e ruajnë në zemër të ndershme dhe të mirë dhe japin fryt me qëndrueshmëri''. |
16. | ''Askush, pasi të ketë ndezur llambën, nuk e mbulon me një enë ose e fut nën shtrat, por e vë mbi mbajtësen e vet me qëllim që ata që hyjnë të shohin dritë. |
17. | Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që nuk do të zbulohet, as sekret që të mos njihet dhe të dalë në dritë. |
18. | Prandaj tregoni kujdes se si dëgjoni, sepse atij që ka, do t'i jepet, kurse atij që nuk ka, do t'i hiqet edhe ajo që ai kujton se ka''. |
19. | Nëna e tij dhe vëllezërit e tij erdhën tek ai, por nuk mund t'i afroheshin për shkak të turmës. |
20. | Dhe nga disa i ishte thënë: ''Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të të shohin''. |
21. | Por ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e vënë në praktikë''. |
22. | Në një prej atyre ditëve ndodhi që Jezusi hipi në një barkë bashkë me dishepujt e vet dhe u tha: ''Të kalojmë në bregun tjetër të liqenit''. Dhe ata u larguan nga bregu. |
23. | Ndërsa po lundronin, atë e zuri gjumi; dhe një furtunë ra mbi liqen, aq sa barka po mbushej, dhe ishin në rrezik. |
24. | Atëherë ata iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: ''Mësues, Mësues, po mbytemi!''. Dhe ai u zgjua, i bërtiti erës dhe tërbimit të ujit; dhe këto u qetësuan dhe u bë bunacë. |
25. | Dhe Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Ku është besimi juaj?''. Dhe ata, të frikësuar, mrekulloheshin dhe i thoshnin njeri tjetrit: ''Vallë, kush është ky, që urdhëron edhe erën dhe ujin, dhe ata i binden?''. |
26. | Pastaj lundruan drejt krahinës së Gadareasve, që ndodhet përballë Galilesë; |
27. | dhe, porsa Jezusi zbriti në tokë, i doli përpara një njeri nga ai qytet, i cili prej shumë kohe ishte pushtuar nga demonët, nuk vishte rroba, nuk banonte në shtëpi, por ndër varreza. |
28. | Kur e pa Jezusin, lëshoi një britmë, iu hodh ndër këmbë dhe tha me zë të lartë: ''Ç'ka mes meje dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë Shumë të Lartë? Të lutem, mos më mundo!''. |
29. | Sepse Jezusi po i jepte urdhër frymës së ndyrë të dilte nga ai njeri, sepse shumë herë e kishte pushtuar dhe ndonëse e kishin lidhur me zinxhirë e me pranga dhe e ruanin, ai i këpuste prangat dhe shtyhej prej demonit nëpër shkretëtirat. |
30. | Dhe Jezusi e pyeti duke thënë: ''Si e ke emrin?''. Dhe ai u përgjigj: ''Legjion''. Sepse shumë demonë i kishin hyrë në të. |
31. | Dhe ata e lutnin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë. |
32. | Dhe aty ishte një tufë e madhe derrash që kullotnin në mal, dhe këta demonë iu lutën t'i lejonte të hynin në ta. Ai ua lejoi atyre. |
33. | Atëherë demonët, si dolën nga ai njeri, hynë te derrat, dhe ajo tufë u turr nga gremina në liqen dhe u mbyt. |
34. | Kur panë ç'ndodhi, ata që i ruanin derrat ikën dhe e çuan lajmin në qytet e nëpër fshatra. |
35. | Atëherë njerëzit dolën për të parë ç'kishte ndodhur dhe erdhën te Jezusi, dhe gjetën atë njeri, nga i cili kishin dalë demonët, të ulur te këmbët e Jezusit, të veshur dhe me mendje në rregull, dhe patën frikë. |
36. | Ata që e kishin parë ngjarjen, u treguan atyre si ishte shëruar i idemonizuari. |
37. | Atëherë gjithë popullsia e krahinës së Gadareasve, i kërkoi Jezusit të largohej prej tyre, sepse i kishte zënë një frikë e madhe. Dhe Jezusi hyri në barkë dhe u kthye mbrapa. |
38. | Ndërkaq njeriu prej të cilit dolën demonët, i lutej të rrinte me të; por Jezusi e përcolli duke i thënë: |
39. | ''Kthehu në shtëpinë tënde dhe trego çfarë gjërash të mëdha ka bërë Perëndia për ty''. Dhe ai shkoi anembanë qytetit duke treguar gjërat e mëdha që Jezusi bëri për të. |
40. | Ndodhi që, kur Jezusi u kthye, turma e mirëpriti sepse të gjithë e prisnin. |
41. | Dhe ja, erdhi një njeri me emër Jair, që ishte kryetari i sinagogës; ai i ra ndër këmbë Jezusit dhe iu lut të shkonte në shtëpinë e tij, |
42. | sepse ai kishte një vajzë të vetme rreth dymbëdhjetë vjeçe, që ishte për vdekje. Ndërsa Jezusi po shkonte atje, turma po shtyhej përreth tij. |
43. | Dhe një grua që kishte një fluks gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh dhe kishte shpenzuar ndër mjekë gjithë pasurinë e saj, pa mundur që të shërohej nga njeri, |
44. | iu afrua nga pas dhe i preku cepin e rrobës së tij dhe në atë çast iu pre fluksi i gjakut. |
45. | Dhe Jezusi tha: ''Kush më preku?''. Mbasi të gjithë e mohuan, Pjetri dhe ata që ishin me të, thanë: ''Mësues, turmat po shtyhen dhe po të ndeshin dhe ti thua: "Kush më preku?"''. |
46. | Por Jezusi tha: ''Dikush më preku, sepse e ndjeva që një fuqi doli prej meje''. |
47. | Atëherë gruaja, duke parë se nuk mbeti e padiktuar, erdhi, duke u dridhur e tëra, dhe i ra ndër këmbë dhe i deklaroi në prani të gjithë popullit, përse e kishte prekur dhe si ishte shëruar në çast. |
48. | Dhe ai i tha: ''Merr zemër, bijë; besimi yt të shëroi; shko në paqe!''. |
49. | Ndërsa Jezusi vazhdonte të fliste, erdhi një nga shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe i tha: ''Vajza jote vdiq, mos e shqetëso Mësuesin''. |
50. | Por Jezusi, mbasi i dëgjoi këto, i tha: ''Mos druaj; ti vetëm beso dhe ajo do të shpëtojë''. |
51. | Si arriti në shtëpi, nuk la asnjeri të hyjë, përveç Pjetrit, Gjonit dhe Jakobit, dhe atin e nënën e vajzës. |
52. | Të gjithë qanin dhe mbajtën zi. Por ai tha: ''Mos qani; ajo nuk ka vdekur, por po fle''. |
53. | Dhe ata e përqeshnin; duke e ditur se kishte vdekur. |
54. | Por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, e kapi për dore dhe thirri duke thënë: ''Vajzë, çohu!''. |
55. | Asaj iu kthye fryma e saj dhe menjëherë u çua; pastaj Jezusi urdhëroi që t'i jepnin të hante. |
56. | Dhe prindërit e saj mbetën të habitur. Por Jezusi i porositi të mos i thonin kurrkujt ç'kishte ndodhur. |
← Luke (8/24) → |