← Luke (4/24) → |
1. | Dhe Jezusi, plot me Frymën e Shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Fryma e çoi në shkretëtirë, |
2. | ku për dyzet ditë e tundoi djalli; gjatë atyre ditëve ai nuk hëngri asgjë, por kur ato kaluan, e mori uria. |
3. | Dhe djalli i tha: ''Nëse je Biri i Perëndisë, i thuaj këtij guri të bëhet bukë''. |
4. | Por Jezusi u përgjigj duke thënë: ''Éshtë shkruar: "Njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, por me çdo fjalë të Perëndisë"''. |
5. | Pastaj djalli e çoi në një mal të lartë dhe, për një çast, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës. |
6. | Dhe djalli i tha: ''Unë do të të jap gjithë pushtetin e këtyre mbretërive dhe lavdinë e tyre, sepse m'u dha mua në dorë dhe unë ia jap kujt të dua. |
7. | Në qoftë se ti, pra, duke rënë përmbys, më adhuron, do të jetë krejt jotja''. |
8. | Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: ''Largohu prej meje, Satana. Éshtë shkruar: "Adhuro Zotin, Përëndinë tënd dhe shërbeji vetëm atij"''. |
9. | Pastaj e çoi në Jeruzalem, e vuri në majë të tempullit, në cep, dhe i tha: ''Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë që këtej; |
10. | sepse është shkruar: "Ai do t'u urdhërojë engjëjve të vet rreth teje të të ruajnë. |
11. | Dhe ata do të të mbajnë mbi duart e tyre që këmba jote të mos ndeshë me asnjë gur"''. |
12. | Dhe Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Éshtë thënë: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd"''. |
13. | Dhe kur djalli i mbaroi të gjitha tundimet, u largua prej tij, për një farë kohe. |
14. | Dhe Jezusi, në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile dhe fama e tij u përhap në mbarë krahinën përreth. |
15. | Dhe ai mësonte në sinagogat e tyre, i nderuar nga të gjithë. |
16. | Pastaj erdhi në Nazaret, ku ishte rritur, dhe si e kishte zakon ditën e shtunë, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. |
17. | I dhanë në dorë librin e profetit Isaia; e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar: |
18. | ''Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit, |
19. | dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit''. |
20. | Pastaj, si e mbylli librin dhe ia dha shërbyesit, u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë u drejtuan mbi të. |
21. | Atëherë ai nisi të thotë: ''Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja''. |
22. | Dhe të gjithë jepnin dëshmi dhe mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij, dhe thoshnin: ''Po ky, a nuk është biri i Jozefit?''. |
23. | Dhe ai u tha atyre: ''Me siguri ju do të më përmendni fjalën e urtë: "Mjek, shëro veten tënde"; të gjitha ato që dëgjuam se u bënë në Kapernaum, bëji edhe këtu në atdheun tënd''. |
24. | Por ai tha: ''Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet. |
25. | Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael; |
26. | e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveç se te një grua e ve në Sareptë të Sidonit. |
27. | Dhe në kohën e profetit Elize kishte shumë lebrozë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Naamanit Sirian''. |
28. | Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë. |
29. | Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë. |
30. | Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua. |
31. | Pastaj zbriti në Kapernaum, qytet i Galilesë, dhe i mësonte njerëzit ditët e shtuna. |
32. | Dhe ata habiteshin nga mësimi i tij, sepse fjala e tij ishte me autoritet. |
33. | Në sinagogë ishte një njeri që ishte pushtuar me frymën e një demoni të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë duke thënë: |
34. | ''Ah, ç'ka mes nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di se kush je ti: i Shenjti i Perëndisë!''. |
35. | Por Jezusi e qortoi duke thënë: ''Hesht dhe dil prej tij!''. Dhe demoni, pasi e përplasi përpara tyre, doli prej tij pa i bërë asgjë të keqe. |
36. | Atëherë të gjithë i pushtoi habia dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Ç'fjalë është kjo, vallë? Ai urdhëron me autoritet dhe pushtet frymërat e ndyra dhe ata dalin!''. |
37. | Dhe fama e tij përhapej në çdo vend të krahinës përreth. |
38. | Mbasi doli nga sinagoga, Jezusi hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta; dhe ata e lutën për të. |
39. | Ai u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lëshuan; dhe ajo u ngrit menjëherë dhe filloi t'u shërbejë. |
40. | Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme i prunë tek ai; dhe ai i shëroi duke vënë duart mbi secilin prej tyre. |
41. | Prej shumë vetëve dilnin demonë që bërtitnin dhe thoshnin: ''Ti je Krishti, Biri i Perëndisë''. Por ai i qortonte dhe nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti. |
42. | Kur zbardhi drita ai doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Por turmat e kërkonin dhe e arritën; dhe e mbanin që të mos largohej prej tyre. |
43. | Por ai u tha atyre: ''Më duhet ta shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë jam dërguar''. |
44. | Dhe ai predikonte nëpër sinagoga të Galilesë. |
← Luke (4/24) → |