← Luke (24/24) |
1. | Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato me gra të tjera shkuan te varri, duke sjellë erërat e mira që kishin përgatitur. |
2. | Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri. |
3. | Por, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus. |
4. | Dhe, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme. |
5. | Dhe, mbasi ato, të tmerruara, e mbanin fytyrën të përkulur për dhe, ata u thanë: ''Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve? |
6. | Ai nuk ështe këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile, |
7. | duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë''. |
8. | Dhe ato kujtonin fjalët e tij. |
9. | kur u kthyen nga varri, ato ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve. |
10. | Ato që u treguan apostujve këto gjëra ishin Maria Magdalena, Joana, Maria, nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që ishin me to. |
11. | Por këto fjalë atyrë iu dukën si dokrra; dhe ata nuk u besuan atyre. |
12. | Megjithatë Pjetri u çua, vrapoi te varri, u përkul dhe nuk pa tjetër përveç çarçafëve që dergjeshin vetëm; pastaj u largua, i mrekulluar me veten e tij për sa kishte ndodhur. |
13. | Po ate ditë, dy nga ata po shkonin drejt një fshati, me emër Emaus, gjashtëdhjetë stade larg Jeruzalemit. |
14. | Dhe ata po bisedonin midis tyre për të gjitha ato që kishin ndodhur. |
15. | Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecë me ta. |
16. | Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin. |
17. | Dhe ai u tha atyre: ''Ç'janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?''. |
18. | Dhe një nga ata, i me emër Kleopa, duke u përgjigjur tha: ''Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?''. |
19. | Dhe ai u tha atyre: ''Cilat?''. Ata i thanë: ''Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit. |
20. | Dhe se si krerët e priftërinjve dhe kryetarët tanë e kanë dorëzuar për ta dënuar me vdekje dhe e kanë kryqëzuar. |
21. | Por ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin; por, megjithkëtë, sot është e treta ditë që kur ndodhën këto gjëra. |
22. | Por edhe disa gra në mes nesh na kanë çuditur, sepse, kur shkuan herët në mëngjes te varri, |
23. | dhe nuk e gjetën trupin e tij, u kthyen duke thënë se kishin parë nië vegim engjëjsh, të cilët thonë se ai jeton. |
24. | Dhe disa nga tanët shkuan te varri dhe e gjetën ashtu si kishin treguar gratë, por atë nuk e panë''. |
25. | Atëherë ai u tha atyre: ''O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët! |
26. | Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?''. |
27. | Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij. |
28. | Kur iu afruan fshatit për ku ishin drejtuar, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje. |
29. | Por ata e detyruan duke thënë: ''Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron''. Edhe ai hyri që të rrijë me ta. |
30. | Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre. |
31. | Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre. |
32. | Dhe ata i thanë njeri tjetrit: ''Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?''. |
33. | Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, ku e gjetën të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin mbledhur bashkë me ta. |
34. | Ata thoshnin: ''Zoti u ringjall me të vërtetë dhe iu shfaq Simonit''. |
35. | Ata atëherë treguan ç'u kishte ndodhur rrugës dhe si e kishin njohur në ndarjen e bukës. |
36. | Dhe, ndërsa ata po bisedonin për këto gjëra, vetë Jezusi u shfaq në mes tyre dhe u tha atyre: "Paqja me ju!''. |
37. | Por ata, të tmerruar dhe gjithë frikë, mendonin se po shihnin një frymë. |
38. | Atëherë ai u tha atyre: ''Pse jeni shqetësuar Dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime? |
39. | Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!''. |
40. | Dhe, si i tha këtë, u tregoj atyre duart dhe këmbët. |
41. | Por, duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe ishin të çuditur, ai u tha atyre: ''A keni këtu diçka për të ngrënë?''. |
42. | Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe një huall mjalti. |
43. | Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre. |
44. | Pastaj u tha atyre: ''Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet''. |
45. | Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet, |
46. | dhe u tha atyre: ''Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë, |
47. | dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt, duke filluar nga Jeruzalemi. |
48. | Dhe ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave. |
49. | Dhe ja, unë po dërgoj mbi ju premtimin e Atit tim, por ju qëndroni në qytetin e Jeruzalemit deri sa të visheni me pushtet nga lart''. |
50. | Pastaj iu priu jashtë deri në Betani dhe, si i ngriti lart duart, i bekoi. |
51. | Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe e morën lart në qiell. |
52. | Dhe ata, pasi e adhuruan, u kthyen në Jeruzalem me gëzim të madh. |
53. | Dhe rrinin vazhdimisht në tempull duke lavdëruar dhe bekuar Perëndinë. Amen! |
← Luke (24/24) |