← Luke (23/24) → |
1. | Atëherë u ngrit gjithë asambleja dhe e çuan te Pilati. |
2. | Dhe filluan ta paditin duke thënë: ''Këtë ne e gjetëm që përmbyste kombin tonë dhe ndalonte t'i jepeshin taksa Cezarit, duke u vetëquajtur një mbret, Krishti''. |
3. | Atëherë Pilati e pyeti duke thënë: ''A je ti mbreti i Judenjve?''. Dhe Jezusi iu përgjigj dhe tha: ''Ti po thua''. |
4. | Pilati u tha atëherë krerëve të priftërinjve dhe popullit: ''Unë nuk po gjej asnjë faj te ky njeri''. |
5. | Por ata ngulnin këmbë, duke thënë: ''Ai po ngre popullin në kryengritje duke mësuar në mbarë Judenë, që nga Galilea e deri këtu''. |
6. | Atëherë Pilati, kur dëgjoi se u fol për Galilenë, pyeti në se ai njeri ishte Galileas. |
7. | Dhe kur mori vesh se ai i takonte juridiksionit të Herodit, e dërgoi te Herodi, i cili, ndër ato ditë, ndodhej edhe ai në Jeruzalem. |
8. | Kur Herodi pa Jezusin, u gëzua shumë; prej shumë kohësh ai donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte të shihte ndonjë mrekulli të kryer prej tij. |
9. | Ai i drejtoi shumë pyetje, por Jezusi nuk u përgjigj fare. |
10. | Ndërkaq krerët e priftërinjve dhe skribët rrinin aty dhe e paditnin me furi. |
11. | Atëherë Herodi, me ushtarët e vet, mbasi e fyu dhe e talli, e veshi me një rrobe të shkëlqyeshme dhe ia riktheu Pilatit. |
12. | Atë ditë Herodi dhe Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, ndërsa më parë ishin armiq. |
13. | Atëherë Pilati, mblodhi krerët e priftërinjve, kryetarët dhe popullin, |
14. | dhe u tha atyre: ''Ju më prutë këtë njeri si çoroditës të popullit; dhe ja, unë, pasi e hetova para jush, nuk kam gjetur tek ai asnjë nga fajet për të cilat ju e paditni, |
15. | dhe as Herodi, sepse na e ktheu përsëri te ne; në fakt ai s'ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen. |
16. | Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj''. |
17. | Tani me rastin e festës së Pashkës qeveritari duhet të lironte dikë. |
18. | Por ata, të gjithë njëzeri, bërtitën duke thënë: ''Vraje këtë dhe na liro Barabën''. |
19. | Ky ishte hedhur në burg për një trazirë të bërë në qytet dhe për vrasje. |
20. | Prandaj Pilati, duke dashur të lëshojë Jezusin, u foli përsëri. |
21. | Por ata bërtitnin duke thënë: ''Kryqëzoje!''. |
22. | Për të tretën herë ai u tha atyre: ''Po ç'të keqe bëri ky? Unë nuk gjeta në të asnjë faj që të meritojë vdekjen. Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj''. |
23. | Por ata ngulnin këmbë me britma te mëdha duke kërkuar që ta kryqëzonin; dhe britmat e tyre dhe të krerëve të priftërinjve u bënë mbisunduese. |
24. | Atëherë Pilat vendosi që të bëhej çka ata kërkonin. |
25. | Dhe ua lëshoi atë që qe burgosur për trazirë dhe vrasje dhe që ata e kishin kërkuar; dhe Jezusin ia dorëzoi vullnetit të tyre. |
26. | Ndërsa po e çonin, kapën njëfarë Simoni nga Kirena, që po kthehej nga fusha, e ngarkuan me kryqin që ta mbarte pas Jezusit. |
27. | Dhe e ndiqte një turmë e madhe populli dhe disa gra që hidhëroheshin dhe vajtonin për të. |
28. | Por Jezusi u kthye nga ato dhe u tha: ''O bija të Jeruzalemit, mos qani për mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj. |
29. | Sepse ja, do të vijnë ditët kur do të thuhet: "Lum gratë shterpe dhe lum barqet që nuk kanë pjellë dhe gjinjtë që nuk kanë mëndur!". |
30. | Atëherë do të fillojnë t'u thonë maleve: "Bini përmbi ne!", dhe kodrave: "Na mbuloni!". |
31. | Sepse, në se bëhet kështu me drurin e njomë, ç'do të bëhet me të thatin?". |
32. | Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t'i vrarë. |
33. | Dhe kur arritën në vendin që quhet ''Kafka'', aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë. |
34. | Dhe Jezusi tha: ''O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç'bëjnë''. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short. |
35. | Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: ''Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë''. |
36. | Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull, |
37. | dhe duke thënë: ''Nëse ti je mbreti i Judenjve, shpëto veten''. |
38. | Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: "KY ÉSHTÉ MBRETI I JUDENJVE". |
39. | Tani një nga keqberësit e kryqëzuar e shau duke thënë: ''Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve''. |
40. | Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: ''A s'ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim? |
41. | Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe''. |
42. | Pastaj i tha Jezusit: ''Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde''. |
43. | Atëherë Jezusi i tha: ''Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë''. |
44. | Ishte afërsisht ora e gjashtë dhe errësira e mbuloi gjithë vendin deri në orën e nëntë. |
45. | Dielli u err dhe perdja e tempullit u nda në mes. |
46. | Dhe Jezusi bërtiti me zë të lartë dhe tha: ''O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!''. Dhe, si tha këto, dha fryma. |
47. | Atëherë centurioni, kur pa ç'ndodhi, përlëvdoi Perëndinë duke thënë: ''Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë!''. |
48. | Dhe gjithë turma, që ishte mbledhur për të parë ç'po ndodhte, kur e pa këtë, u kthye duke rrahur kraharorin. |
49. | Të gjithë të njohurit e tij dhe gratë që e kishin ndjekur që nga Galilea qendronin larg, duke parë këto gjëra. |
50. | Tani ishte një burrë me emër Jozef, që ishte anëtar i sinedrit, njeri i drejtë dhe i mirë; |
51. | ai nuk kishte miratuar vendimin dhe veprimin e të tjerëve. Ai ishte nga Arimatea, qytet i Judesë dhe priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë. |
52. | Ai iu paraqit Pilatit dhe kërkoi trupin e Jezusit. |
53. | Dhe, pasi e zbriti poshtë nga kryqi, e mbështolli në një çarçaf dhe e vuri në një varr të gërmuar në shkëmb, ku ende nuk ishte varrosur asnjeri. |
54. | Ishte dita e Përgatitjes dhe e shtuna po fillonte. |
55. | Gratë që kishin ardhur me Jezusin nga Galilea duke e ndjekur nga afër, e panë varrin dhe mënyrën se si ishte vënë trupi i Jezusit; |
56. | pastaj ato u kthyen dhe përgatitën erëra të mira dhe vajra; dhe gjatë së shtunës pushuan, sipas urdhërimit. |
← Luke (23/24) → |