← Luke (21/24) → |
1. | Pastaj Jezusi i çoi sytë dhe pa pasanikët që qitnin dhuratat e tyre në arkën e thesarit, |
2. | dhe pa edhe një të ve të varfër që qiti dy pare të vogla |
3. | dhe tha: ''Në të vërtetë po ju them se kjo e ve e varfër ka qitur më shumë se gjithë të tjerët. |
4. | Sepse të gjithë këta dhanë nga tepricat e pasurisë së tyre për shtëpinë e Perëndisë, kurse ajo, në varfërinë e vet, dha gjithçka që kishte për të jetuar''. |
5. | Pastaj, kur disa po flisnin për tempullin dhe vinin në pah se ishte i stolisur me gurë të bukur dhe me oferta, ai tha: |
6. | ''Nga të gjitha këto gjëra që ju admironi, do të vijnë ditët kur nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar''. |
7. | Atëherë ata e pyetën duke thënë: ''Mësues, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja se këto janë duke u kryer?''. |
8. | Dhe ai tha: ''Ruhuni se mos ju mashtrojnë, sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim duke thënë: "Unë jam", dhe: "Erdhi koha". Mos shkoni, pra, pas tyre. |
9. | Dhe kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për trazira, mos u trembni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin më parë, por mbarimi nuk do të vijë menjëherë''. |
10. | Atëherë u tha atyre: ''Do të ngrihet kombi kundër kombit; dhe mbretëria kundër mbretërisë; |
11. | do të ngjajnë tërmete të mëdha, zi buke dhe murtaja në vende të ndryshme; do të ndodhin edhe dukuri të llahtarshme dhe shenja të mëdha nga qielli. |
12. | Por, para të gjitha këtyre gjërave, do të vënë dorë mbi ju dhe do t'ju përndjekin dhe do t'ju dorëzojnë në sinagoga e do t'ju futin në burg; dhe do t'ju nxjerrin përpara mbretërve dhe guvernatorëve për shkak të emrit tim, |
13. | por kjo do t'ju japë rastin që të dëshmoni. |
14. | Ta vini, pra, në zemrën tuaj që të mos mendoni më parë se si do përgjigjeni për t'u mbrojtur, |
15. | sepse unë do t'ju jap një gojë e një dituri të tillë të cilën të gjithë kundërshtarët tuaj nuk do të jenë në gjendje ta kundërshtojnë ose t'i rezistojnë. |
16. | Dhe ju madje do t'ju tradhtojnë edhe prindërit, dhe vëllezërit, dhe farefisi dhe miqtë; dhe disa prej jush do t'i vrasin. |
17. | Dhe të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim. |
18. | Por as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do t'ju humbasë. |
19. | Me durimin tuaj ju do t'i fitoni shpirtrat tuaj''. |
20. | ''Dhe kur do të shikoni Jeruzalemin të rrethuar nga ushtritë, ta dini se shkretimi i saj është afër. |
21. | Atëherë ata që janë në Jude, të ikin në male; dhe ata që janë në qytet të largohen; dhe ata që janë në fushë të mos hyjnë në të. |
22. | Sepse ato janë ditë të hakmarrjes, që të përmbushen të gjitha ato gjëra që janë shkruar. |
23. | Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëndin në ato ditë, sepse do të ketë mjerim të madh në vend dhe mëri mbi këtë popull. |
24. | Dhe ata do të bien nga tehu i shpatës, do t'i çojnë robër ndër të gjitha kombet, dhe Jeruzalemin do ta shkelin paganët, derisa të plotësohen kohët e paganëve''. |
25. | ''Dhe do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, dhe mbi tokë ankth popujsh, në përhumbjen prej gjëmës së detit dhe të valëve të tij; |
26. | njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfare do ta pllakosë botën, sepse fuqitë qiellore do të lëkunden. |
27. | Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi një re, me fuqi dhe lavdi të madhe. |
28. | Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër''. |
29. | Pastaj u tha atyre një shëmbëlltyrë: ''Vini re fikun dhe të gjitha pemët. |
30. | Kur ata nisin e mugullojnë, duke i parë, ju vete e kuptoni se vera është afër; |
31. | kështu edhe ju, kur do të shikoni se po ndodhin këto, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër. |
32. | Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të kalojë ky brez, derisa të gjitha këto gjëra të kenë ndodhur. |
33. | Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë''. |
34. | ''Tani kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi. |
35. | Sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë dheut. |
36. | Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut''. |
37. | Gjatë ditës ai mësonte në tempull, dhe natën dilte dhe e kalonte jashtë, në malin e Ullinjve. |
38. | Dhe gjithë populli, herët në mëngjes, erdhi tek ai në tempull për ta dëgjuar. |
← Luke (21/24) → |