← Luke (2/24) → |
1. | Tani, në atë ditë u shpall një dekret nga ana e Cezar Augustit, për të kryer regjistrimin e popullsisë të gjithë perandorisë. |
2. | Ky regjistrim qe i pari që u krye kur Kuirini ishte guvernatori i Sirisë. |
3. | Dhe të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet. |
4. | Tani edhe Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Bethlehem, sepse ai ishte i shtëpisë dhe i familjes së Davidit, |
5. | për t'u regjistruar bashkë me Marinë, gruan e vet, me të cilën ishte martuar dhe që ishte shtatzënë. |
6. | Kështu, ndërsa ishin atje, asaj i erdhi koha të lindë. |
7. | Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta. |
8. | Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre. |
9. | Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe. |
10. | Por engjëlli u tha atyre: ''Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; |
11. | sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti. |
12. | Dhe kjo do t'ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd''. |
13. | Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë: |
14. | ''Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!''. |
15. | Dhe ndodhi që, kur engjëjt u larguan prej tyre për t'u kthyer në qiell, barinjtë i thanë njeri tjetrit: ''Le të shkojmë deri në Bethlehem për të parë ç'ka ndodhur dhe ç'na bëri të ditur Zoti''. |
16. | Shkuan, pra, me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin dhe fëmijën që ndodhej në një grazhd. |
17. | Mbasi e panë, përhapën ato që u ishte thënë për atë fëmijë. |
18. | Dhe të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga gjërat që u treguan barinjtë. |
19. | Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj. |
20. | Dhe barinjtë u kthyen, duke përlëvduar dhe lavdëruar Perëndinë për të gjitha gjërat që kishin dëgjuar dhe parë, ashtu si u ishte thënë atyre. |
21. | Dhe kur kaluan të tetë ditët, pas të cilave ai duhej rrethprerë, ia vunë emrin Jezus, emër të dhënë nga engjëlli para se ai të ngjizej në bark. |
22. | Kur pastaj ishin plotësuar ditët e pastrimit të saj sipas ligjit të Moisiut, e çuan fëmijën në Jeruzalem për t'ia paraqitur Zotit, |
23. | ashtu siç është shkruar në ligjin e Zotit: ''Çdo mashkull i parëlindur do të jetë thirrur shenjt për Zotin'', |
24. | dhe për të ofruar flijim, siç është thënë në ligjin e Zotit, një çift turtujsh ose dy pëllumbash të rinj. |
25. | Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri që quhej Simeon; Ky njeri ishte i drejtë dhe i përshpirtshëm dhe priste ngushëllimin e Izraelit; dhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të. |
26. | Dhe në mënyrë hyjnore atij i qe zbuluar nga Fryma e Shenjtë se nuk do të vdiste para se të kishte parë Krishtin e Zotit. |
27. | Ai pra, i shtyrë nga Fryma, erdhi në tempull; dhe, si prindërit i prunë fëmijën Jezus për të bërë me të ato që përshkruan ligji, |
28. | ai e mori në krah e bekoi Perëndinë duke thënë: |
29. | ''Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate, |
30. | sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd |
31. | që ti e përgatite përpara gjithë popujve: |
32. | dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit''. |
33. | Dhe Jozefi e nëna e fëmijës mrrekulloheshin për gjërat që thuheshin për të. |
34. | Pastaj Simeoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: ''Ja, ky është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe për të qenë shenjë kundërshtimesh, |
35. | edhe ty vetë një shpatë do të ta tejshpojë shpirtin, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave''. |
36. | Aty ishte edhe Ana, një profeteshë, bija e Fanuelit, nga fisit i Aserit, e cila ishte shumë e kaluar në moshë, që kishte jetuar mbas virgjërisë së saj shtatë vjet me burrin. |
37. | Ajo ishte e ve dhe, megjithse ishte tetëdhjetë e katër vjeçe, nuk largohej kurrë nga tempulli duke i shërbyer Perëndisë natë e ditë me agjërime dhe lutje. |
38. | Edhe ajo erdhi në atë moment, lavdëroi Zotin dhe u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre që prisnin çlirimin në Jeruzalem. |
39. | Dhe mbasi i kryen të gjitha ato që i takonin sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre, Nazaret. |
40. | Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë, duke qenë plot dituri; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të. |
41. | Tani prindërit e tij shkonin çdo vit në Jeruzalem për festën e Pashkës. |
42. | Dhe, kur ai i mbushi dymbëdhjetë vjeç, ata u ngjitën në Jeruzalem, sipas zakonit të festës. |
43. | Dhe si u përmbushën ato ditë, kur ata u kthyen, fëmija Jezus ndënji në Jeruzalem; por Jozefi dhe e ëma e tij nuk e dinin. |
44. | Duke menduar se ai ishte në shoqëri, ata bënë një ditë rrugë, pastaj filluan ta kërkojnë midis farefisit dhe të njohurve; |
45. | dhe, duke qenë se nuk e gjetën, u kthyen në Jeruzalem për ta kërkuar. |
46. | Dhe ndodhi që, pas tri ditësh, e gjetën në tempull, të ulur në mes të dijetarëve, duke i dëgjuar dhe duke u bërë atyre pyetje. |
47. | Dhe të gjithë ata që e dëgjonin, habiteshin nga zgjuarësia e tij dhe nga përgjigjet e tij. |
48. | Dhe, kur ata e panë, mbetën të habitur, dhe e ëma i tha: ''Bir, pse na e bëre këtë? Ja, yt atë dhe unë, në ankth, po të kërkonim!''. |
49. | Por ai u tha atyre: ''Përse më kërkonit? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?''. |
50. | Por ata nuk i kuptuan fjalët që ai u tha atyre. |
51. | Dhe ai zbriti bashkë me ta, u kthye në Nazaret dhe i bindej atyre. E ëma i ruante të gjitha këto fjalë në zemrën e saj. |
52. | Dhe Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve. |
← Luke (2/24) → |