← Luke (17/24) → |
1. | Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Éshtë e pamundur që të mos ndodhin skandale; por mjerë ai për faj të të cilit vijnë! |
2. | Për të do të ishte më mirë t'i varnin në qafë një gur mulliri dhe ta hidhnin në det, se sa të skandalizojë një të vetëm nga këta të vegjël. |
3. | Kini kujdes veten tuaj! Në se yt vëlla mëkaton kundër teje, qortoje; dhe në se pendohet, fale. |
4. | Edhe sikur të mëkatonte shtatë herë në ditë kundër teje, dhe shtatë herë në ditë do të kthehet te ti duke thënë: "Pendohem", fale''. |
5. | Atëherë apostujt i thanë Zotit: ''Na e shto besimin''. |
6. | Dhe Zoti tha: ''Po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do të mund t'i thonit këtij mani: "Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det", dhe ai do t'ju bindej. |
7. | Tani cili nga ju, po të ketë një shërbëtor që i lëron tokën ose i kullot kopenë, do t'i thotë kur ai kthehet nga fusha në shtëpi: "Eja menjëherë në tryezë"? |
8. | A nuk do t'i thotë përkundrazi: "Ma bëj gati darkën, përvishu e më shërbe që unë të ha e të pi e pastaj të hash dhe të pish edhe ti"? |
9. | Do ta falënderojë ndoshta atë shërbëtor sepse i zbatoi ato që i ishin urdhëruar? Mendoj se jo. |
10. | Kështu edhe ju, kur të keni bërë të gjitha ato që ju urdhërohen, thoni: "Jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë atë që kishim detyrë të bënim"''. |
11. | Dhe ndodhi që duke udhëtuar për në Jeruzalem, ai kaloi nëpër Samari dhe Galile. |
12. | Dhe, kur po hynte në një fshat, i dolën para dhjetë lebrozë, të cilët ndaluan larg, |
13. | dhe duke ngritur zërin, thanë: ''Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne''. |
14. | Dhe ai, si i pa, u tha atyre: ''Shkoni e paraqituni te priftërinjtë''. Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan. |
15. | Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë. |
16. | Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar. Ky ishte Samaritan. |
17. | Jezusi atëherë filloi të thotë: ''A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët? |
18. | A nuk gjet asnjë që të kthehet për të dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?''. |
19. | Dhe i tha atij: ''Çohu dhe shko; besimi yt të shëroi''. |
20. | Tani kur u pyet nga farisenjtë se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, ai u përgjigj atyre dhe tha: ''Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme; |
21. | dhe as nuk do të mund të thuhet: "Ja, këtu", ose: "Ja, atje"; sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush''. |
22. | Pastaj u tha dishepujve të vet: ''Do të vijnë ditë kur ju do të dëshironi të shihni një nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni. |
23. | Dhe do t'ju thonë: "Ja, është këtu" ose: "Ja, është atje", por ju mos shkoni dhe mos i ndiqni. |
24. | Sepse ashtu si rrufeja, që vetëtin nga njëri skaj i qiellit te tjetri e ndriçon, kështu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij. |
25. | Por më parë i duhet të vuajë shumë dhe të hidhet poshtë nga ky brez. |
26. | Dhe, ashtu siç ndodhi në kohën e Noes, ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut. |
27. | Njerëzit hanin, pinin, martonin dhe martoheshin, deri ditën kur Noeu hyri në arkë; dhe erdhi përmbytja dhe i zhduku të gjithë. |
28. | Po kështu ndodhi në kohën e Lotit: njerëzit hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin dhe ndërtonin; |
29. | por ditën kur Loti doli nga Sodoma, ra shi zjarri e squfuri nga qielli dhe i zhduku të gjithë. |
30. | Kështu do të jetë edhe atë ditë kur Biri i njeriut do të shfaqet. |
31. | Në atë ditë, ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë të mos zbresë në shtëpi për të marrë gjërat e tij; e po kështu ai që ndodhet në ara, të mos kthehet prapa. |
32. | Kujtoni gruan e Lotit. |
33. | Ai që do të kërkojë të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë, do ta shpëtojë. |
34. | Unë po ju them: atë natë dy veta do të jenë në një shtrat; njëri do të merret dhe tjetri do të lihet. |
35. | Dy gra do të bluajnë bashkë; njëra do të merret e tjetra do të lihet. |
36. | Dy burra do të jenë në ara: njëri do të merret e tjetri do të lihet''. |
37. | Atëherë dishepujt u përgjigjën dhe thanë: ''Ku, o Zot?'' Dhe ai u tha atyre: ''Ku të jetë trupi, atje do të mblidhen shqiponjat''. |
← Luke (17/24) → |