← Luke (16/24) → |
1. | Tani ai u foli akoma dishepujve të vet: ''Ishte një njeri i pasur që kishte një administrator; këtë e paditën se po ia shkapërderdhte pasurinë e tij. |
2. | Atëherë ai e thirri dhe i tha: "Ç'është kjo që po dëgjoj për ty? Më jep llogari për ato që ke administruar, sepse ti nuk mund të jesh më administratori im". |
3. | Dhe administratori tha me vete: "Ç'do të bëj unë tani, që zotëria im po ma heq administrimin? Të gërmoj, s'e bëj dot, dhe të lyp, më vjen turp. |
4. | E di ç'do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e tyre kur të hiqem nga administrimi". |
5. | I thirri atëherë një nga një ata që i detyroheshin zotërisë së tij dhe i tha të parit: "Sa i detyrohesh zotërisë tim?". |
6. | Ai u përgjigj: "Njëqind bato vaj". Atëherë ai i tha: "Merre dëftesën tënde, ulu dhe shkruaj shpejt pesëdhjetë". |
7. | Pastaj i tha një tjetri: "Po ti sa i detyrohesh?". Ai u përgjigj: "Njëqind kora grurë". Atëherë ai i tha: "Merre dëftesën tënde dhe shkruaj tetëdhjetë". |
8. | Zotëria e lavdëroi administratorin e pandershëm, se kishte vepruar me mençuri, sepse bijtë e kësaj bote, në brezin e tyre, janë më të mençur se bijtë e dritës. |
9. | Unë, pra, po ju them: Bëjini miqtë me pasuri të padrejta sepse, kur këto do t'ju mungojnë, t'ju pranojnë në banesat e përjetshme. |
10. | Kush është besnik në të vogla, është besnik edhe në të mëdhatë; dhe kush është i padrejtë në të vogla, është i padrejtë edhe në të mëdhatë. |
11. | Pra, në qoftë se ju nuk keni qenë besnikë në pasuritë e padrejta, kush do t'ju besojë pasuritë e vërteta? |
12. | Dhe, në qoftë se nuk keni qenë besnikë në pasurinë e tjetrit, kush do t'ju japë tuajën? |
13. | Asnjë shërbëtor nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve; sepse ose do ta urrejë njerin e tjetrin do ta dojë, ose do të lidhet me njerin dhe tjetrin do ta përbuzë; ju nuk mund t'i shërbeni Perëndisë dhe mamonit''. |
14. | Dhe farisenjtë, të cilët ishin shumë të dhënë pas parasë, i dëgjonin të gjitha këto dhe e tallnin. |
15. | Dhe ai u tha atyre: ''Ju jeni ata që e justifikoni veten përpara njerëzve, por Perëndia i njeh zemrat tuaja; sepse ajo që vlerësohet shumë ndër njerëzit është gjë e neveritshme para Perëndisë. |
16. | Ligji dhe profetët arrijnë deri në kohën e Gjonit; që atëherë shpallet mbretëria e Perëndisë dhe gjithkush përpiqet të hyjë aty. |
17. | Por është më lehtë që të mbarojnë qielli dhe toka, se sa të bjerë poshtë qoftë edhe një pikë nga ligji. |
18. | Ai që lëshon gruan e vet dhe merr një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me një grua të lëshuar nga i burri, shkel kurorën''. |
19. | Por atje ishte një njeri i pasur, që vishej me të purpurta dhe me rroba të çmueshme prej liri dhe për ditë e kalonte shkëlqyeshëm. |
20. | Atje ishte edhe një lypës, i quajtur Llazar, që rrinte para derës së tij, dhe trupin e kishte plot me plagë të pezmatuara, |
21. | dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut; madje edhe qentë vinin e ia lëpinin plagët. |
22. | Por ndodhi që lypësi vdiq dhe engjëjt e çuan në gji të Abrahamit; vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën. |
23. | Dhe, duke pasur mundime në ferr, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij. |
24. | Atëherë ai bërtiti dhe tha: "O atë Abraham, ki mëshirë për mua, dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë. |
25. | Por Abrahami thoshte: "O bir, kujto se ti i ke marrë të mirat e tua gjatë jetës sate, kurse Llazari të këqijat; tashti, përkundrazi, ai po përdëllehet dhe ti vuan. |
26. | Dhe, veç të gjithave, midis nesh dhe jush është një humnerë e madhe, kështu që ata që do të donin të kalonin që këtej tek ju nuk munden; po ashtu askush nuk mund të kalojë që andej te ne". |
27. | Por ai i tha: "Atëherë, o atë, të lutem ta dërgosh atë te shtëpia e tim eti, |
28. | sepse unë kam pesë vëllezër e le t'i paralajmërojë rreptësisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh". |
29. | Abrahami u përgjigj: "Kanë Moisiun dhe profetët, le t'i dëgjojnë ata". |
30. | Ai tha: "Jo, o atë Abraham, por nëse dikush nga të vdekurit do të shkojë tek ata, do të pendohen". |
31. | Atëherë ai i tha: "Nëse ata nuk e dëgjojnë Moisiun dhe profetët, nuk do të binden edhe në se dikush ringjallet prej të vdekurish"''. |
← Luke (16/24) → |