← Luke (14/24) → |
1. | Dhe ndodhi që një ditë të shtunë, kur ai hyri në shtëpinë e një kryetari të farisenjve për të ngrënë bukë, ata po e përgjonin; |
2. | dhe ja, para tij ishte një njeri hidropik. |
3. | Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur mësuesve të ligjit dhe farisenjve, tha: ''A është e lejueshme të shërosh ditën e shtunë?''. |
4. | Por ata heshtën. Atëherë ai e mori për dore atë, e shëroi dhe e nisi të shkojë. |
5. | Pastaj, duke iu përgjigjur atyre, tha: ''Cili nga ju, po t'i bjerë gomari i vet ose kau në një pus, nuk e nxjerr menjëherë jashtë ditën e shtunë?''. |
6. | Por ata nuk mund të përgjigjeshin asgje për këto gjëra. |
7. | Dhe, duke vënë re se ata zgjidhnin vendet e para në tryezë, Jezusi u thoshte atyre këtë shëmbëlltyrë duke thënë: |
8. | ''Kur je ftuar në dasmë, mos u ul në krye të vendit, sepse ai njeri mund të ketë ftuar një tjetër që është më i rëndësishëm se ti, |
9. | dhe ai që të ftoi ty dhe atë të të mos vijë e të thotë: "Lëshoja vendin këtij". Dhe atëherë ti, plot turp, do të shkosh të zësh vendin e fundit. |
10. | Por, kur je ftuar, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka ftuar, të thotë: "O mik, ngjitu më lart". Atëherë do të jesh i nderuar përpara atyre që janë në tryezë bashkë me ty. |
11. | Sepse kushdo që e larton veten do të poshterohet, dhe kush e poshtëron veten do të lartohet''. |
12. | Ai i tha edhe atij që e kishte ftuar: ''Kur shtron drekë a darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, se mos ata një herë të të ftojnë ty, dhe kështu ta kthejnë shpërblimin. |
13. | Por, kur të bësh një gosti, thirr lypësit, sakatët, të çalët, të verbërit; |
14. | dhe do të jesh i lum, sepse ata nuk kanë se si të ta kthejnë shpërblimin; por shpërblimi do të të jepet në ringjallje të të drejtëve''. |
15. | Dhe një nga të ftuarit, si i dëgjoi këto gjëra, i tha: ''Lum kush do të hajë bukë në mbretërinë e Perëndisë''. |
16. | Atëherë Jezusi i tha: ''Një njeri përgatiti një darkë të madhe dhe ftoi shumë veta; |
17. | dhe, në kohë të darkës, dërgoi shërbëtorin e vet t'u thotë të ftuarve: "Ejani, sepse gjithçka tashmë është gati". |
18. | Por të gjithë, pa përjashtim, filluan të kërkojnë ndjesë. I pari i tha: "Bleva një arë dhe më duhet të shkoj ta shoh; të lutem, të më falësh". |
19. | Dhe një tjetër tha: "Bleva pesë pendë qe dhe po shkoj t'i provoj; të lutem, të më falësh". |
20. | Dhe një tjetër akoma tha: "Mora grua e prandaj nuk mund të vij". |
21. | Kështu shërbëtori u kthye dhe ia dëftoi të gjitha zotit të vet. Atëherë i zoti i shtëpisë, plot zemërim, i tha shërbëtorit të vet: "Shpejt, shko nëpër sheshet dhe nëpër rrugët e qytetit e sill këtu lypës, sakatë, të çalë dhe të verbër". |
22. | Pastaj shërbëtori i tha: "Zot, u bë ashtu siç urdhërove ti, por ka vend edhe më". |
23. | Atëherë zoti i tha shërbëtorit: "Dil nëpër udhë dhe përgjatë gardheve dhe detyroji të hyjnë që të mbushet shtëpia ime. |
24. | Sepse unë po ju them se asnjë nga ata njerëz që ishin të ftuar, nuk do ta shijojë darkën time"''. |
25. | Dhe turma të mëdha shkonin me të. Ai u kthye nga ata dhe tha: |
26. | ''Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im. |
27. | Dhe kush nuk e mbart kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk mund të jetë dishepulli im. |
28. | Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar? |
29. | Që atëherë, kur t'i ketë hedhur themelet e të mos mundë ta përfundojë, të gjithë ata që e shohin, të mos fillojnë e të tallen, |
30. | duke thënë: "Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta përfundojë". |
31. | Ose cili mbret, kur niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të gjykojë në se mund ta përballojë me dhjetë mijë atë që po i vjen kundër me njëzet mijë? |
32. | Në mos, ndërsa ai është ende larg, i dërgon një delegacion për të biseduar për paqe. |
33. | Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im. |
34. | Kripa është e mirë, por nëse kripa bëhët e amësht, me se do të mund t'i kthehet shija? |
35. | Ajo nuk vlen as për tokë, as për pleh, por hidhet tutje. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë''. |
← Luke (14/24) → |