← Luke (10/24) → |
1. | Pastaj Zoti caktoi shtatëdhjetë të tjerë dhe i nisi dy nga dy përpara tij, në çdo qytet dhe vend, ku ai do të shkonte. |
2. | Dhe u thoshte atyre: ''E korra është e madhe, kurse punëtorë janë pak; lutni Zotin e të korrës që të çojë punëtorë në të korrën e vet. |
3. | Shkoni; ja, unë ju dërgoj si qengja në mes të ujqërve. |
4. | Mos merrni me vete as çanta, as trasta, as sandale dhe mos përshëndetni asnjeri rrugës. |
5. | Dhe në cilëndo shtëpi ku të hyni, më përpara thoni: "Paqe në këtë shtëpi". |
6. | Dhe nëse është aty një bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet tek ju. |
7. | Rrini, pra, në të njëjtën shtëpi, hani dhe pini atë që do t'ju japin, sepse punëtori meriton shpërblimin e vet. Mos kaloni nga një shtëpi në një tjetër. |
8. | Dhe në çdo qytet ku të hyni, nëse ju pranojnë, hani çfarë t'ju vënë përpara. |
9. | Dhe shëroni të sëmurit që do të jenë në të dhe u thoni atyre: "Mbretëria e Perëndisë ju është afruar". |
10. | Por në çdo qytet ku të hyni, nëse nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij dhe thoni: |
11. | "Ne po shkundim kundër jush edhe pluhurin e qytetit tuaj që na u ngjit; veç ta dini se mbretëria e Perëndisë ju është afruar". |
12. | Unë ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë sesa ai qytet. |
13. | Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaida! Sepse, po të ishin bërë në Tiro dhe në Sidon mrekullitë që u bënë te ju, ata prej kohësh do të kishin bërë pendesë duke u veshur me thasë dhe duke u ulur në hi. |
14. | Prandaj ditën e gjyqit Tiro dhe Sidoni do ta kenë më lehtë se ju. |
15. | Dhe ti, Kapernaum, që të kanë ngritur deri në qiell, do të poshtërohesh deri në ferr. |
16. | Kush ju dëgjon, më dëgjon mua; kush ju përbuz, më përbuz mua; dhe kush më përbuz, përbuz atë që më ka dërguar''. |
17. | Dhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim dhe thanë: ''Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd''. |
18. | Dhe ai u tha atyre: ''Unë e shikoja Satanin që po binte nga qielli si një rrufe. |
19. | Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa, dhe mbi çdo pushtet të armikut; dhe asgjë nuk do të mund t'ju dëmtojë. |
20. | Megjithatë mos u gëzoni për faktin se po ju nënshtrohen frymërat, por gëzohuni më shumë se emrat tuaj janë shkruar në qiej''. |
21. | Në të njëjtën orë Jezusi ngazëlloi në frym dhe tha: ''Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto të urtëve dhe të zgjuarve dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu ty të pëlqeu. |
22. | Gjithçka më është dhënë në dorë nga Ati im; dhe askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit, dhe atij që Biri do t'ia zbulojë''. |
23. | Pastaj, si u kthye nga dishepujt, u tha atyre veçmas: ''Lum sytë që shohin ato që shihni ju, |
24. | sepse ju them se shumë profetë dhe mbretër dëshiruan të shohin ato që ju shihni, por nuk i panë, dhe të dëgjojnë ato që ju po dëgjoni, por nuk i dëgjuan''. |
25. | Atëherë ja, një doktor i ligjit u ngrit që ta vinte në provë dhe i tha: ''Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?''. |
26. | Dhe ai tha: ''Çfarë është shkruar në ligj? Si e lexon?''. |
27. | Ai duke u përgjigjur tha: ''Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten''. |
28. | Jezusi i tha: ''U përgjigje drejti; vepro kështu dhe do të rrosh''. |
29. | Por ai, duke dashur të justifikonte veten, i tha Jezusit: ''Po kush është i afërmi im?''. |
30. | Atëherë Jezusi u përgjigj dhe tha: ''Një burr zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur. |
31. | Rastësisht një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, mbasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër. |
32. | Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër. |
33. | Por një Samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri. |
34. | Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të. |
35. | Dhe të nesërmen, para se të niset, nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: "Kujdesu për të dhe ç'të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem". |
36. | Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?''. |
37. | Dhe ai tha: ''Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij''. Atëherë Jezusi i tha: ''Shko dhe bëj kështu edhe ti''. |
38. | Ndodhi që, ndërsa ata po udhëtonin, Jezusi hyri në një fshat; dhe një grua, që e kishte emrin Marta, e priti në shtëpinë e vet. |
39. | Ajo kishte një motër që quhej Mari, e cila u ul te këmbët e Jezusit dhe dëgjonte fjalën e tij. |
40. | Por Marta, që ishte krejt e zënë nga punët e shumta, iu afrua dhe i tha: ''Zot, a nuk të intereson që ime motër më la vetëm të shërbej? I thuaj, pra, të më ndihmojë''. |
41. | Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: ''Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe kujdesesh për shumë gjëra; |
42. | por vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t'i hiqet''. |
← Luke (10/24) → |