← Leviticus (8/27) → |
1. | Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë: |
2. | "Merr Aaronin dhe bijtë e tij bashkë me të, rrobat, vajin e vajosjes, demin e vogël të flijimit për mëkatin, dy deshtë dhe shportën e bukëve të ndorme, |
3. | dhe mblidhe gjithë asamblenë në hyrje të çadrës së mbledhjes". |
4. | Atëherë Moisiu bëri ashtu si e kishte urdhëruar Zoti, dhe asambleja u mblodh në hyrje të çadrës së mbledhjes. |
5. | Dhe Moisiu i tha asamblesë: "Kjo është ajo që Zoti ka urdhëruar të bëhet". |
6. | Pastaj Moisiu e afroi Aaronin dhe bijtë e tij dhe i lau me ujë. |
7. | Pastaj i veshi Aaronit tunikën, i ngjeshi brezin, i veshi mantelin, i vendosi efodin, dhe i ngjeshi brezin e punuar artistikisht nga efodi me të cilin i fiksoi në trup efodin. |
8. | I vuri gjithashtu pektoralin dhe mbi të vendosi Urim-in dhe Thumim-in. |
9. | Pastaj i vuri çallmën mbi krye dhe në pjesën e përparme të çallmës vendosi pllakën e artë, diademën e shenjtë, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
10. | Pastaj Moisiu mori vajin e vajosjes, vajosi tabernakullin dhe të gjitha gjërat që ndodheshin aty, duke i shenjtëruar në këtë mënyrë. |
11. | Me pak vaj spërkati shtatë herë altarin, vajosi altarin dhe tërë pajisjet e tij, si dhe legenin dhe bazën e tij, për t'i shenjtëruar. |
12. | Pas kësaj derdhi pak nga vaji i vajosjes mbi kokën e Aaronit dhe e vajosi për ta shenjtëruar. |
13. | Pastaj Moisiu i afroi bijtë e Aaronit, i veshi me tunika, iu ngjeshi breza dhe u vuri mbulesa të kokës, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
14. | Pastaj afroi demin e vogël të flijimit për mëkatin dhe Aaroni dhe bijtë e tij vunë duart e tyre mbi kokën e demit të vogël të flijimit për mëkatin. |
15. | Pastaj Moisiu e theri, mori gjak prej tij, e vuri me gisht mbi brirët e altarit rreth e qark dhe e pastroi altarin; pastaj derdhi gjakun në bazën e altarit dhe e shenjtëroi për të bërë mbi të shlyerjen. |
16. | Pastaj mblodhi gjithë dhjamin që ishte mbi zorrët, bulën e majme të mëlçisë dhe të dy veshkat me dhjamin e tyre, dhe Moisiu i tymosi mbi altar. |
17. | Por demin e vogël, lëkurën e tij, mishin dhe fëlliqësirat e tij i dogji me zjarr jashtë kampit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
18. | Pastaj paraqiti dashin e olokaustit dhe Aaroni dhe bijtë e tij vunë duart e tyre mbi kokën e dashit. |
19. | Moisiu e theri dhe spërkati gjakun rreth e qark altarit. |
20. | Pastaj e preu dashin në copa dhe Moisiu tymosi kokën, copat dhe dhjamin. |
21. | Pasi i lau zorrët dhe këmbët me ujë, Moisiu e tymosi tërë dashin mbi altar. Ishte një olokaust me një erë të këndshme, një flijim i bërë me zjarr për Zotin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
22. | Pastaj paraqiti dashin e dytë, dashin e shenjtërimit, dhe Aaroni dhe bijtë e tij vunë duart e tyre mbi kokën e dashit. |
23. | Pastaj, pra, e theri, mori pak nga gjaku i tij dhe e vuri në skajin e veshit të djathtë të Aaronit dhe mbi gishtin e madh të dorës së tij të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë. |
24. | Pastaj Moisiu i afroi bijtë e Aaronit dhe vuri pak gjak në skajin e veshit të tyre të djathtë, mbi gishtin e madh të dorës së tyre të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tyre të djathtë; dhe Moisiu spërkati mbetjen e gjakut rreth e qark mbi altar. |
25. | Pastaj mori dhjamin, bishtin e majmë, tërë dhjamin që ishte mbi zorrët, bulën e majme të mëlçisë, të dy veshkat dhe dhjamin e tyre, dhe kofshën e djathtë; |
26. | dhe nga shporta e bukëve të ndorme, që ndodhej para Zotit mori një kulaç pa maja, një kulaç buke me vaj dhe një revani, dhe i vuri mbi dhjamin dhe mbi kofshën e djathtë. |
27. | Pastaj i vuri tërë këto gjëra në duart e Aaronit dhe në duart të bijve të tij dhe i tundi si ofertë e tundur përpara Zotit. |
28. | Pastaj Moisiu i mori nga duart e tyre dhe i tymosi mbi altarin sipër olokaustit. Ishte një flijim shenjtërimi me erë të këndshme, një flijim i bërë me zjarr për Zotin. |
29. | Pastaj Moisiu mori gjoksin dhe e tundi si një ofertë të tundur përpara Zotit; kjo ishte pjesa e dashit të shenjtërimit që i takoi Moisiut, si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
30. | Moisiu mori pastaj ca vaj të vajosjes dhe ca gjak që ndodhej mbi altar dhe i spërkati mbi Aaronin, mbi rrobat e tij, mbi bijtë e tij dhe mbi rrobat e bijve të tij me të; kështu shenjtëroi Aaronin, rrobat e tij, bijtë e tij dhe rrobat e bijve të tij me të. |
31. | Pastaj Moisiu i tha Aaronit dhe bijve të tij: "Piqeni mishin në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe hajeni aty me bukën që është në shportën e shenjtërimit, siç kam urdhëruar, duke thënë: "Aaroni dhe bijtë e tij do të hanë". |
32. | Atë që tepron nga mishi dhe nga buka do ta digjni me zjarr. |
33. | Shtatë ditë me radhë nuk do të dilni nga hyrja e çadrës së mbledhjes, deri sa të plotësohen ditët e shenjtërimit tuaj, sepse do të nevojiten shtatë ditë për të plotësuar shenjtërimin tuaj. |
34. | Ashtu siç është vepruar në këtë ditë, kështu ka urdhëruar Zoti të bëhet për të bërë shlyerjen për ju. |
35. | Do të qëndroni pra shtatë ditë në hyrje të çadrës së mbledhjes, ditë e natë, dhe do të respektoni urdhërimin e Zotit, që të mos vdisni; sepse kështu më kishte qenë urdhëruar". |
36. | Kështu Aaroni dhe bijtë e tij bënë tërë ato gjëra që Zoti kishte urdhëruar me anë të Moisiut. |
← Leviticus (8/27) → |