← Leviticus (17/27) → |
1. | Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: |
2. | "Foli Aaronit, bijve të tij dhe të gjithë bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kjo është ajo që Zoti ka urdhëruar, duke thënë: |
3. | Kushdo nga shtëpia e Izraelit ther një ka ose një qengj apo një dhi brenda kampit, ose jashtë kampit, |
4. | dhe nuk e çon në hyrjen e çadrës së mbledhjes për ta paraqitur si një ofertë për Zotin përpara tabernakullit të Zotit, do të mbahet si fajtor gjaku; ka derdhur gjak dhe ky njeri do të shfaroset në mes të popullit të tij; |
5. | dhe kjo me qëllim që bijtë e Izraelit, në vend që të flijojnë flitë e tyre në fusha, t'ia çojnë Zotit në hyrje të çadrës së mbledhjes, priftit, dhe t'ia ofrojnë Zotit si flijim falënderimi. |
6. | Prifti do të spërkasë gjakun mbi altarin e Zotit, në hyrje të çadrës së mbledhjes, dhe do të tymosë dhjamin me erë shumë të këndshme për Zotin. |
7. | Ata nuk do t'i ofrojnë më flijimet e tyre demonëve, prapa të cilëve janë poshtëruar. Ky do të jetë për ta një ligj i përjetshëm, për gjithë brezat e tyre. |
8. | U thuaj akoma: "Cilido burrë i shtëpisë së Izraelit ose nga të huajt që banojnë midis jush të ofrojë një olokaust apo një flijim, |
9. | dhe po të mos e çojë në hyrjen e çadrës së mbledhjes për t'ia ofruar Zotit, ky njeri do të shfaroset në mes të popullit të tij. |
10. | Në rast se dikush nga shtëpia e Izraelit apo nga të huajt që banojnë midis jush ha çfarëdo lloj gjaku, unë do ta kthej fytyrën time kundër atij që ha gjak dhe do ta shfaros në mes të popullit të tij. |
11. | Sepse jeta e mishit është në gjak. Prandaj ju kam urdhëruar ta vini mbi altar për të bërë shlyerjen për jetën tuaj, sepse është gjaku që bën shlyerjen e fajit për jetën. |
12. | Prandaj u kam thënë bijve të Izraelit: asnjëri prej jush nuk ka për të ngrënë gjak; as i huaji që banon midis jush nuk ka për të ngrënë gjak". |
13. | Dhe në qoftë se ndonjë prej bijve të Izraelit ose të të huajve që banojnë midis jush zë në gjah një kafshë ose një zog që mund të hahet, do të derdhë gjakun e tij dhe do ta mbulojë me dhe; |
14. | sepse është jeta e çdo mishi; gjaku i tij mban jetën e tij. Prandaj u kam thënë bijve të Izraelit: "Nuk do të hani gjakun e asnjë mishi, sepse jeta e çdo mishi është gjaku i tij; kushdo që do ta hajë do të shfaroset". |
15. | Dhe çfarëdo personi, qoftë i lindur në vend apo i huaj, që ha një kafshë të ngordhur në mënyrë natyrale apo të shqyer, do të lajë rrobat dhe do të lahet vetë me ujë, dhe ka për të qenë i papastër deri në mbrëmje; pastaj do të jetë i pastër. |
16. | Por në rast se nuk lan rrobat e tij dhe nuk lan trupin e tij, do të mbajë fajin e paudhësisë së tij". |
← Leviticus (17/27) → |