← Lamentations (5/5) |
1. | Kujto, o Zot, atë që na ka ndodhur, shiko dhe vër re turpin tonë. |
2. | Trashëgimia jonë u ka kaluar të huajve, shtëpitë tona njerëzve që nuk janë tanët. |
3. | Ne u bëmë jetimë, pa etër, nënat tona janë si të veja. |
4. | Duhet të paguajmë për ujët që pimë, drutë tona i kemi vetëm me pagesë. |
5. | Na ndjekin me një zgjedhë mbi qafë, jemi të rraskapitur dhe nuk kemi fare pushim. |
6. | I kemi shtrirë dorën Egjiptit dhe Asirisë për t'u ngopur me bukë. |
7. | Etërit tanë kanë mëkatuar dhe nuk janë më, dhe ne mbajmë ndëshkimin për paudhësitë e tyre. |
8. | Skllevërit sundojnë mbi ne, askush nuk mund të na çlirojë nga duart e tyre. |
9. | E nxjerrim bukën duke rrezikuar jetën tonë, përpara shpatës së shkretëtirës. |
10. | Lëkura jonë është ngrohur si në një furrë për shkak të valës së urisë. |
11. | Kanë dhunuar gratë në Sion, virgjëreshat në qytetet e Judës. |
12. | Krerët janë varur nga duart e tyre, personi i pleqëve nuk është respektuar. |
13. | Të rinjtë i vunë të bluajnë, të vegjëlit u rrëzuan nën barrën e druve. |
14. | Pleqtë nuk mblidhen më te porta, të rinjtë nuk u bien më veglave të tyre. |
15. | Gëzimi i zemrave tona është pakësuar, vallja jonë është shndërruar në zi. |
16. | Kurora ka rënë nga koka jonë; mjerë ne, sepse kemi mëkatuar! |
17. | Prandaj u sëmur zemra jonë, për këto gjëra na janë errësuar sytë: |
18. | për malin e Sionit që është i shkretuar dhe në të cilin sillen dhelprat. |
19. | Por ti, o Zot, mbetesh për jetë, dhe froni yt brez pas brezi. |
20. | Pse do të na harroje për jetë dhe do të na braktisje për një kohë të gjatë? |
21. | Na bëj që të rikthehemi te ti, o Zot, dhe ne do të kthehemi; rivendos ditët tona si në të kaluarën. |
22. | Mos vallë na hodhe poshtë fare apo je zemëruar me të madhe kundër nesh? |
← Lamentations (5/5) |