← Judges (5/21) → |
1. | Atë ditë Debora këndoi këtë kantik me Barakun, birin e Abinoamit, duke thënë: |
2. | "Me qenë se krerët kanë marrë komandën në Izrael, me qenë se populli është ofruar spontanisht, bekoni Zotin! |
3. | Dëgjoni, o mbretër! Vini veshë, o princa! Unë, pikërisht unë, do t'i këndoj Zotit, do të këndoj lavdinë e Zotit, Perëndisë së Izraelit. |
4. | O Zot, kur dole nga Seiri, kur po kapërceje fushat e Edomit, toka u drodh dhe pikoi nga qiejtë; po, pikoi ujë nga retë. |
5. | Malet u shkrinë para Zotit, vetë Sinai u drodh para Zotit, Perëndisë të Izraelit. |
6. | Në kohën e Shamgarit, birit të Anathit, në kohën e Jaeles rrugët ishin të shkreta, dhe kalimtarët ndiqnin shtigje dredha-dredha. |
7. | Mungonin krerë në Izrael; po, mungonin, deri sa nuk dola unë, Debora, si nënë në Izrael. |
8. | Ata zgjidhnin perëndi të tjera, kur lufta ishte te pragu. Nuk shihej asnjë mburojë apo shtizë midis dyzet mijë burrave të Izraelit. |
9. | Zemra ime është me ata udhëheqës të Izraelit që u ofruan spontanisht në mes të popullit. Bekoni Zotin! |
10. | Ju që shkoni hipur mbi gomarë të bardha, ju që rrini ulur mbi qilima të shtrenjtë, dhe ju që ecni nëpër rrugë, këndoni! |
11. | Larg britmave të harkëtarëve, larg koritave, të kremtojnë veprat e drejta të Zotit, veprat e drejta për krerët e tij në Izrael! Atëherë populli i Zotit zbriti në portat. |
12. | Zgjohu, zgjohu, o Debora! Zgjohu, zgjohu, dhe merrja një kënge! Çohu, o Barak, dhe çoji larg robërit e tu, o bir i Abinoamit! |
13. | Atëherë iu dha qeverimi mbi fisnikët e popullit atyre që kishin mbetur; Zoti ma dha mua qeverimin midis të fuqishmëve. |
14. | Nga Efraimi erdhën ata që i kishin rrënjët tek Amaleku; në suitën tënde, Beniamin, midis njerëzve të tu; nga Makir i zbritën disa krerë dhe nga Zabuloni ata që mbajnë shkopin e komandimit. |
15. | Princat e Isakarit erdhën me Deboran; ashtu siç ishte Isakari, kështu qe edhe Baraku; ata u hodhën në luginë në gjurmët e saj. Ndër divizionet e Rubenit, të mëdha ishin vendimet e zemrës! |
16. | Pse mbete ti midis të ngujuarve për të dëgjuar fyellin e barinjve? Midis divizioneve të Rubenit, të mëdha ishin vendimet e zemrës! |
17. | Galaadi ndaloi matanë Jordanit; po Dani pse mbeti mbi anijet? Asheri u vendos pranë bregut të detit dhe mbeti në portet e tij. |
18. | Zabuloni është një popull që ka vënë në rrezik jetën e tij deri në vdekje, po kështu edhe Neftali në zonat e larta të fushës. |
19. | Mbretërit erdhën dhe luftuan; atëherë luftuan mbretërit e Kanaanit dhe të Taanakit, pranë ujërave të Megidos; por nuk suallën asnjë plaçkë prej argjendi. |
20. | Nga qielli luftuan yjet, gjatë lëvizjes së tyre luftuan kundër Siseras. |
21. | Përroi Kishon i përmbysi, përroi i vjetër, përroi i Kishonit. Shpirti im, vepro me forcë! |
22. | Atëherë thundrat e kuajve trokëllinin me forcë në galop, në galopin e pitokëve të tyre. |
23. | "Mallkoni Merozin", tha Engjëlli i Zotit, "mallkoni, mallkoni banorët e tij, sepse nuk i shkuan në ndihmë Zotit, në ndihmë të Zotit në mes të trimave të tij!". |
24. | E bekuar qoftë midis grave Jaela, gruaja e Heberit, Keneut! Qoftë e bekuar midis grave që banojnë në çadra! |
25. | Ai kërkoi ujë dhe ajo i dha qumësht; në një kupë princash i ofroi ajkë. |
26. | Me një dorë kapi kunjin dhe me dorën e djathtë çekiçin e artizanëve; e goditi Siseran, i çau kokën dhe ia shpoi tejpërtej tëmthat. |
27. | Te këmbët e saj ai u këput, ra dhe u dergj pa shpirt; në këmbët e saj u këput dhe ra; aty ku u këput, aty ra i vdekur. |
28. | E ëma e Siseras shikoi nga dritarja dhe thirri nga hekurat e saj: "Pse qerrja jote po vonon aq shumë të vijë? Pse ecin kaq ngadalë qerret e tij?". |
29. | Gratë e saj më të urta iu përgjegjën, dhe ajo përsëriti me vete fjalët e saj: |
30. | "Ata kanë gjetur plaçkë dhe janë duke e ndarë në pjesë. Për çdo burrë një ose dy vajza; për Siseran një plaçkë me rroba shumëngjyrëshe, një plaçkë me rroba shumëngjyrëshe dhe të qëndisura, me rroba shumëngjyrëshe dhe të qëndisura nga të dy anët për shpatullat e atyre që bartin tutje plaçkën". |
31. | Kështu u zhdukshin të gjithë armiqtë e tu, o Zot! Por ata që të duan qofshin si dielli, kur lind me gjithë forcën e tij!". Pastaj vendi pati qetësi për dyzet vjet me radhë. |
← Judges (5/21) → |