← Joshua (2/24) → |
1. | Jozueu, bir i Nunit, dërgoi dy burra te Shitimi për të vëzhguar fshehurazi, duke u thënë: "Shkoni, kontrolloni vendin dhe Jerikon". Kështu ata shkuan dhe hynë në shtëpinë e një prostitute, të quajtur Rahab, dhe aty banuan. |
2. | Këtë gjë ia referuan mbretit të Jerikos, duke i thënë: "Ja, disa bij të Izraelit erdhën këtu sonte natën për të vëzhguar vendin". |
3. | Atëherë mbreti i Jerikos dërgoi t'i thotë Rahabit: "Nxirri jashtë njerëzit që kanë ardhur te ti dhe kanë hyrë në shtëpinë tënde, sepse ata kanë ardhur për të vëzhguar tërë vendin". |
4. | Por gruaja i mori dy burrat dhe i fshehu; pastaj tha: "Éshtë e vërtetë, këta njerëz erdhën tek unë, por nuk dija nga ishin. |
5. | Në çastin kur mbyllej porta e qytetit, kur ishte errësuar, ata burra dolën; nuk e di se ku shkuan; ndiqini menjëherë, sepse mund t'i arrini". |
6. | (Ajo përkundrazi i kishte hipur mbi çati dhe i kishte fshehur midis kërcejve të lirit, që i kishte shtrirë mbi shtrat). |
7. | Atëherë ata i ndoqën në rrugën e Jordanit, në drejtim të vahut të lumit; dhe sapo dolën ndjekësit, porta u mbyll. |
8. | Por para se t'i zinte gjumi spiunët, Rahabi u ngjit pranë tyre në çati, |
9. | dhe u tha atyre burrave: "Unë e di që Zoti ju ka dhënë vendin, që tmerri juaj na ka zënë, dhe që të gjithë banorët e vendit dridhen nga frika para jush. |
10. | Sepse ne kemi dëgjuar si i thau ujërat e Detit të Kuq Zoti përpara jush kur dolët nga Egjipti, dhe atë që ju u bëtë dy mbretërve të Amorejve, matanë Jordanit, Sihonit dhe Ogut, që vendosët t'i shfarosni. |
11. | Duke dëgjuar këto gjëra zemra jonë u mpak, për shkakun tuaj askujt nuk i mbeti asnjë fije trimërie, sepse Zoti, Perëndia juaj, është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë. |
12. | Prandaj, ju lutem, betohuni në emër të Zotit që, ashtu si kam treguar dhembshuri ndaj jush, edhe ju do të tregoni po atë dhembshuri ndaj shtëpisë së atit tim; më jepni, pra, një shenjë të sigurt, |
13. | që do t'i lini të gjallë atin tim, nënën time, vëllezërit dhe motrat e mia dhe të gjitha gjërat që u përkasin atyre, dhe që do të shpëtoni jetën tonë nga vdekja". |
14. | Ata burra iu përgjigjën: "Jeta jonë për atë tuajën, mjaft që të mos e tregoni çështjen tonë; dhe kur Zoti do të na japë vendin, ne do të të trajtojmë me mëshirë dhe me shpirtlirësi". |
15. | Atëherë ajo i zbriti nga dritarja me një litar, sepse shtëpia e saj ndodhej mbi muret e qytetit, dhe ajo banonte mbi muret. |
16. | Dhe u tha atyre: "Shkoni në drejtim të malit, që ndjekësit tuaj të mos ju gjejnë; dhe qëndroni tri ditë të fshehur atje, deri sa të kthehen ndjekësit tuaj; pastaj do të vazhdoni rrugën tuaj". |
17. | Atëherë ata burra i thanë: "Ne do të çlirohemi nga betimi që na detyrove të bëjmë, |
18. | po të jetë se, kur të hyjmë në këtë vend, ti nuk ngjit në dritaren nga e cila po na zbret këtë kordon të hollë me ngjyrë të kuqerreme dhe po nuk mblodhe në shtëpinë tënde atin tënd, nënën tënde vëllezërit e tu dhe tërë familjen e atit tënd. |
19. | Por në rast se dikush del jashtë pragut të shtëpisë sate, gjaku i tij do të bjerë mbi krye të vet, dhe ne nuk do të kemi faj për këtë; por gjaku i kujtdo qoftë që do të jetë me ty në shtëpi do të bjerë mbi kokën tonë, në qoftë se dikush i prek me dorë. |
20. | Por në rast se ti tregon punën tonë, ne do të çlirohemi nga betimi që na ke detyruar të bëjmë". |
21. | Ajo tha: "U bëftë ashtu si thatë ju". Pastaj u nda me ta dhe ata ikën. Ajo lidhi në dritare kordonin e hollë të kuqerremë. |
22. | Ata ikën, pra, dhe shkuan në mal ku ndenjën tri ditë, deri sa u kthyen ndjekësit; ndjekësit i kishin kërkuar gjatë gjithë rrugës, por pa i gjetur dot. |
23. | Kështu të dy burrat u kthyen, zbritën nga mali, kaluan Jordanin dhe erdhën te Jozueu, bir i Nunit, dhe i treguan të gjitha ato që kishin kaluar. |
24. | Dhe i thanë Jozueut: "Me siguri Zoti na e ka lënë në duart tona tërë vendin; që tani tërë banorët e vendit dridhen nga frika para nesh". |
← Joshua (2/24) → |