← Joshua (18/24) → |
1. | Pastaj tërë asambleja e bijve të Izraelit u mblodh në Shiloh, dhe aty ngritën çadrën e mbledhjes. Vendi u ishte nënshtruar atyre. |
2. | Por kishte midis bijve të Izraelit shtatë fise, që nuk e kishin marrë akoma trashëgiminë e tyre. |
3. | Kështu Jozueu u tha bijve të Izraelit: "Deri kur nuk do të kujdeseni të shkoni të merrni vendin që Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ju ka dhënë? |
4. | Zgjidhni midis jush tre burra për çdo fis dhe unë do t'i nis. Ata do të ngrihen, do ta përshkojnë vendin, do të bëjnë përshkrimin e tij në bazë të pjesës së tyre të trashëgimisë dhe pastaj do të kthehen tek unë. |
5. | Ata do ta ndanë në shtatë pjesë: Juda do të mbetet në territorin e tij në jug dhe shtëpia e Jozefit në territorin e tij në veri. |
6. | Ju do të bëni, pra, përshkrimin e vendit në shtatë pjesë; do ta sillni tek unë dhe unë do të hedh shortin për ju këtu, para Zotit, Perëndisë tonë. |
7. | Por Levitët nuk duhet të kenë asnjë pjesë në mes tuaj, sepse priftëria e Zotit është trashëgimia e tyre; dhe Gadi, Rubeni dhe gjysma e fisit të Manasit kanë marrë trashëgiminë e tyre matanë Jordanit në lindje, që Moisiu, shërbëtori i Zotit, u ka dhënë atyre". |
8. | Ata njerëz, pra, u ngritën dhe u nisën; dhe Jozueu i urdhëroi ata që niseshin për të përshkruar vendin, duke u thënë: "Shkoni, përshkoni vendin dhe bëni përshkrimin e tij; pastaj kthehuni tek unë, dhe këtu unë do të hedh shortin për ju para Zotit në Shiloh". |
9. | Kështu ata njerëz u nisën, e përshkuan vendin dhe bënë në një libër përshkrimin e shtatë pjesëve të tij simbas qyteteve; pastaj u kthyen tek Jozueu në kampin e Shilohut. |
10. | Atëherë Jozueu hodhi shortin për ta në Shiloh para Zotit dhe e ndau vendin midis bijve të Izraelit, simbas ndarjeve të tyre. |
11. | U hodh në short pjesa e fisit të bijve të Beniaminit, simbas familjeve të tyre; territori që u ra në short kishte kufijtë e tij midis bijve të Judës dhe bijve të Jozefit. |
12. | Nga ana veriore kufiri i tyre fillonte me Jordanin, ngjitej në shpatin në veri të Jerikos, kalonte krahinën malore në drejtim të perëndimit dhe mbaronte në shkretëtirën e Beth-Avenit. |
13. | Që andej kufiri ngjitej në Luc, mbi shpatin në jug të Lucit (që është Betheli); pastaj zbriste në Ataroth-Adar, pranë malit që ndodhet në jug të Beth-Horonit të poshtëm. |
14. | Pastaj kufiri shtrihej, duke kthyer në krahun perëndimor drejt jugut të malit që ngrihej përballë Beth-Horonit, në jug, dhe mbaronte në Kirjath-Baal (që është Kiriath-Jearimi), qytet i bijve të Judës. Ky ishte krahu perëndimor. |
15. | Ana jugore fillonte në skajin e Kiriath-Jearimit. Kufiri zgjatej në drejtim të perëndimit deri sa prekte burimin e ujërave të Neftoahut; |
16. | pastaj kufiri zbriste në skajin e malit që ndodhet përballë luginës së birit të Hinomit, që është në luginën e gjigantëve, në veri, dhe zbriste nëpër luginën e Hinomit, në anën jugore të qytetit të Jebuzejve, deri në En-Rogel. |
17. | Pastaj kthente në drejtim të veriut dhe arrinte në En-Shemesh; shtrihej në drejtim të Gelilothit, që ndodhet përballë së përpjetës të Adumimit, dhe zbriste në gurin e Bohanit, birit të Rubenit; |
18. | pas kësaj kalonte në shpatin verior përballë Arabahut dhe zbriste në drejtim të tij. |
19. | Kufiri kalonte pastaj nga shpati verior i Beth-Hoglahut dhe mbaronte në kepin verior të Detit të Kripur, në skajin jugor të Jordanit. Ky ishte kufiri në jug. |
20. | Jordani shërbente si kufi nga ana lindore. Kjo ishte trashëgimia e bijve të Beniaminit në bazë të kufijve rreth e qark, simbas familjeve të tyre. |
21. | Qytetet e fiseve të bijve të Beniaminit, simbas familjeve të tyre, ishin Jeriko, Beth-Hoglahu, Emek-Ketsitsi, |
22. | Beth-Arabahu, Tsemaraimi, Betheli, |
23. | Avimi, Parahu, Ofrahu, |
24. | Kefar-Haamoni, Ofni dhe Geba: dymbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre; |
25. | Gabaoni, Ramahu, Beerothi, |
26. | Mitspehu, Kefirahu, Motsahu, |
27. | Rekemi, Irpeeli, Taralahu, |
28. | Tselahu, Efeli, Gebusi (që është Jeruzalemi), Gibeathi dhe Kirjathi: katërmbëdhjetë qytete me gjithë fshatrat e tyre. Kjo që trashëgimia e bijve të Beniaminit, simbas familjeve të tyre. |
← Joshua (18/24) → |