← John (9/21) → |
1. | Kur po kalonte, pa një njeri që ishte i verbër që nga lindja. |
2. | Dhe dishepujt e tij e pyetën duke thënë: ''Mësues, kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?''. |
3. | Jezusi u përgjigj: ''As ai, as prindërit e tij s'kanë mëkatuar, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë. |
4. | Unë duhet t'i kryej veprat e atij që më ka dërguar sa është ditë; vjen nata kur askush nuk mund të veprojë. |
5. | Derisa jam në botë, unë jam drita e botës''. |
6. | Pasi kishte thënë këto gjëra, pështyu përdhe, bëri baltë me pështymë dhe leu sytë e të verbrit me të. |
7. | Pastaj i tha: ''Shko, lahu në pellgun e Siloamit'' (që do të thotë: dërguar); dhe ai shkoi atje, u la dhe u kthye duke parë. |
8. | Atëherë fqinjtë dhe ata që më parë e kishin parë të verbër, thanë: ''A s'është ky ai që rrinte ulur dhe lypte?''. |
9. | Disa thoshnin: ''Ai është''. Të tjerë: ''I përngjan atij''. Dhe ai thoshte: ''Unë jam''. |
10. | I thanë pra: ''Si të janë hapur sytë?''. |
11. | Ai u përgjigj dhe tha: ''Një njeri, që quhet Jezus, ka bërë baltë, m'i leu sytë dhe më tha: "Shko te pellgu i Siloamit dhe lahu". Dhe unë shkova atje, u lava dhe m'u kthye drita e syve''. |
12. | Dhe ata i thanë: ''Ku është ai?''. Ai u përgjigj: ''Nuk e di''. |
13. | Atëherë ata e çuan te farisenjtë atë që më parë kishte qenë i verbër. |
14. | Dhe ishte e shtunë kur Jezusi bëri baltën dhe ia hapi sytë. |
15. | Edhe farisenjtë, pra, e pyesnin përsëri si e fitoi dritën e syve. Dhe ai u tha atyre: ''Më vuri baltë mbi sy, u lava dhe shoh''. |
16. | Atëherë disa farisenj thanë: ''Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk e respekton të shtunën!''. Të tjerë thoshnin: ''Si mund të kryejë shenja të tilla një njeri mëkatar?''. Dhe kishte përçarje midis tyre. |
17. | E pyetën, pra, përsëri të verbrin: ''Po ti, ç'thua për atë për faktin që t'i ka hapur sytë?''. Ai tha: ''Éshtë një profet''. |
18. | Por Judenjtë nuk besuan se ai kishte qenë i verbër dhe se kishte fituar dritën e syve, derisa thirrën prindërit e atij që kishte fituar dritën e syve. |
19. | Dhe i pyetën ata: ''A është ky djali juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Vallë si sheh tani?''. |
20. | Prindërit e tij, duke u përgjigjur atyre, thanë: ''E dimë se ky është djali ynë dhe se ka lindur i verbër, |
21. | por ne nuk dimë se si sheh tani ose se kush ia ka hapur sytë; pyeteni atë; ai moshë ka, do t'ju flasë për veten e vet''. |
22. | Këto thanë prindërit e tij, sepse kishin frikë nga Judenjtë; sepse Judenjtë kishin vendosur që, nëse dikush do ta rrëfente Jezusin si Krishti, do të përjashtohej nga sinagoga. |
23. | Prandaj prindërit e tij thanë: ''Moshë ka, pyeteni atë''. |
24. | Atëherë ata e thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër dhe i thanë: ''Jepi lavdi Perëndisë; ne e dimë se ai njeri është mëkatar''. |
25. | Ai atëherë u përgjigj dhe tha: ''Në është mëkatar, nuk e di, por di një gjë, që isha i verbër dhe tani shoh''. |
26. | E pyetën përsëri: ''Ç'të bëri? Si t'i ka hapur sytë?''. |
27. | Ai u përgjigj atyre: ''Unë tashmë ua kam thënë dhe ju nuk keni dëgjuar; pse doni ta dëgjoni përsëri? Doni ndoshta të bëheni edhe ju dishepuj të tij?''. |
28. | Por ata e fyen dhe thanë: ''Ti je dishepull i tij, por ne jemi dishepuj të Moisiut! |
29. | Ne e dimë se Perëndia i foli Moisiut; sa për atë, nuk e dimë se nga është''. |
30. | Ai njeri u përgjigj dhe u tha atyre: ''E pra, është e çuditshme që ju të mos dini nga është ai; megjithatë ai m'i hapi sytë! |
31. | Dhe ne e dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por nëse dikush është i druajtshëm ndaj Perëndisë dhe bën vullnetin e tij, ai atë e dëgjon! |
32. | Që prej fillimit të botës nuk është dëgjuar që dikush t'ia ketë hapur sytë një të linduri të verbër. |
33. | Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë''. |
34. | Ata u përgjigjën dhe i thanë: ''Ti ke lindur i tëri në mëkate e don të na mësosh?''. Dhe e nxorën jashtë. |
35. | Jezusi e mori vesh se e nxorën jashtë dhe, kur e gjeti, i tha: ''A beson ti në Birin e Perëndisë?''. |
36. | Ai u përgjigj dhe tha: ''Kush është, Zot, që unë të besoj në të?''. |
37. | Dhe Jezusi i tha: ''Ti e ke parë; është pikërisht ai që po të flet''. |
38. | Atëherë ai tha: ''Unë besoj, o Zot''; dhe e adhuroi. |
39. | Pastaj Jezusi tha: ''Unë kam ardhur në këtë botë për të bërë një gjyq, që ata që nuk shohin të shohin dhe ata që shohin të verbohen''. |
40. | Disa nga farisenjtë që ishin me të i dëgjuan këto gjëra dhe i thanë: ''Jemi të verbër edhe ne?''. |
41. | Jezusi u përgjigj atyre: ''Po të ishit të verbër, nuk do të kishit asnjë mëkat; por tani thoni: "Ne shohim", prandaj mëkati juaj mbetet''. |
← John (9/21) → |