| ← John (8/21) → |
| 1. | Dhe Jezusi shkoi në malin e Ullinjve. |
| 2. | Por, si zbardhi dita, u kthye përsëri në tempull dhe gjithë populli erdhi tek ai; dhe ai u ul dhe i mësonte. |
| 3. | Atëherë farisenjtë dhe skribët i prunë një grua që ishte kapur duke shkelur kurorën dhe, mbasi e vunë në mes, |
| 4. | i thanë Jezusit: ''Mësues, kjo grua është kapur në flagrancë, duke shkelur kurorën. |
| 5. | Por në ligj Moisiu na ka urdhëruar të vriten me gurë gra të tilla, por ti ç'thua?''. |
| 6. | Flisnin kështu për ta vënë në provë dhe për të pasur diçka për ta paditur. Por Jezusi, duke u shtënë se nuk dëgjoi, u përkul dhe shkruante me gisht në dhe. |
| 7. | Dhe, kur ata vazhdonin ta pyesnin, ai u drejtua dhe u tha atyre: ''Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj!''. |
| 8. | Pastaj u përkul përsëri dhe shkruante në dhe. |
| 9. | Atëherë ata, e dëgjuan këtë dhe të bindur nga ndërgjegjja, u larguan një nga një, duke filluar nga më të vjetrit e deri te të fundit; kështu Jezusi mbeti vetëm me atë grua, që qëndronte atje në mes. |
| 10. | Jezusi atëherë u ngrit dhe, duke mos parë tjetër përveç gruas, i tha: ''O grua, ku janë ata që të paditnin? Askush nuk të dënoi?''. |
| 11. | Dhe ajo u përgjigj: ''Askush, Zot''. Atëherë Jezusi i tha: ''As unë nuk të dënoj; shko dhe mos mëkato më''. |
| 12. | Dhe Jezusi u foli atyre përsëri duke thënë: ''Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës''. |
| 13. | Atëherë farisenjtë i thanë: ''Ti dëshmon për vetveten; dëshmimi yt nuk është i vërtetë''. |
| 14. | Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''Edhe pse dëshmoj për vetvete, dëshmimi im është i vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur e ku po shkoj; ju, përkundrazi, nuk e dini as nga vij dhe as ku po shkoj. |
| 15. | Ju gjykoni sipas mishit, unë nuk gjykoj asnjeri. |
| 16. | Por, edhe kur gjykoj, gjykimi im është i vërtetë, sepse unë nuk jam vetëm, por jam unë dhe Ati që më dërgoi. |
| 17. | Edhe në ligjin tuaj është shkruar se dëshmimi i dy njerëzve është i vërtetë. |
| 18. | Unë jam ai që dëshmoj për vetvete dhe Ati që më ka dërguar dëshmon për mua''. |
| 19. | Atëherë i thanë: ''Ku është Ati yt?''. Jezusi u përgjigj: ''Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim; po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim''. |
| 20. | Jezusi i shprehu këto fjalë në vendin e thesarit, duke mësuar në tempull dhe askush nuk e kapi, sepse nuk i kishte ardhur akoma ora. |
| 21. | Jezusi, pra, u tha atyre përsëri: ''Unë po shkoj dhe ju do të më kërkoni, dhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Atje ku shkoj unë, ju nuk mund të vini''. |
| 22. | Prandaj Judenjtë thoshnin: ''Mos don të vrasë veten, sepse thotë: "Ku shkoj unë, ju nuk mund të vini"?''. |
| 23. | Dhe ai u tha atyre: ''Ju jeni nga këtu poshtë, kurse unë jam nga atje lart; ju jeni prej kësaj bote, unë nuk jam prej kësaj bote. |
| 24. | Prandaj ju thashë se ju do të vdisni në mëkatet tuaja, sepse po të mos besoni se unë jam, ju do të vdisni në mëkatet tuaja''. |
| 25. | Atëherë ata i thanë: ''Kush je ti?''. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Pikërisht atë që ju thashë. |
| 26. | Shumë gjëra kam për të thënë e për të gjykuar lidhur me ju; por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe gjërat që kam dëgjuar nga ai, ia them botës''. |
| 27. | Ata nuk e kuptuan se ai po u fliste atyre për Atin. |
| 28. | Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Kur ta keni lartuar Birin e njeriut, atëherë do të njihni se unë jam, dhe se nuk bëj asgjë prej vetvetes, por i them këto gjëra ashtu si Ati më ka mësuar. |
| 29. | Dhe ai që më ka dërguar është me mua; Ati s'më ka lënë vetëm, sepse bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë''. |
| 30. | Ndërsa ai thoshte këto gjëra, shumë veta besuan në të. |
| 31. | Atëherë Jezusi u tha Judenjve që besuan në të: ''Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; |
| 32. | do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t'ju bëjë të lirë''. |
| 33. | Ata iu përgjigjën: ''Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe s'kemi qenë kurrë sk-llevër të askujt; si mund të thuash ti: "Do të bëheni të lirë"?''. |
| 34. | Jezusi u përgjigj atyre: Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush bën mëkatin është skllav i mëkatit. |
| 35. | Por skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi; ndërsa biri rri përgjithmonë. |
| 36. | Pra, nëse Biri do t'ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë''. |
| 37. | ''Unë e di se jeni pasardhësit e Abrahamit, por ju kërkoni të më vrisni, sepse fjala ime nuk gjen vend në ju. |
| 38. | Unë flas për ç'kam parë tek Ati im, dhe ju bëni gjërat që keni parë tek ati juaj''. |
| 39. | Ata, duke u përgjigjur, i thanë: ''Ati ynë është Abrahami''. Jezusi u tha atyre: ''Po të ishit bij të Abrahamit, do të bënit veprat e Abrahamit; |
| 40. | por ju tani kërkoni të më vrisni mua, që ju kam folur të vërtetën që kam dëgjuar nga Perëndia; Abrahami këtë nuk e bëri. |
| 41. | Ju bëni veprat e atit tuaj''. Prandaj ata i thanë: ''Ne nuk lindëm nga kurvërimi; ne kemi një Atë të vetëm: Perëndinë''. |
| 42. | Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Po të ishte Perëndia Ati juaj, ju do të më donit, sepse kam dalë dhe kam ardhur nga Perëndia; nuk kam ardhur, pra, nga vetja ime, por ai më ka dërguar. |
| 43. | Përse nuk e kuptoni thënien time? Sepse nuk mund të dëgjoni fjalën time. |
| 44. | Ju jeni nga djalli, që është ati juaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj; ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë të rrema, flet nga vetvetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i rrenës. |
| 45. | Kurse mua, duke qenë se ju them të vërtetën, nuk më besoni. |
| 46. | Cili nga ju më bind për mëkat? Nëse flas të vërtetën, përse nuk më besoni? |
| 47. | Kush është prej Perëndisë, i dëgjon fjalët e Perëndisë; prandaj ju nuk dëgjoni, se nuk jeni prej Perëndisë''. |
| 48. | Atëherë Judenjtë iu përgjigjën dhe i thanë: ''A nuk themi me të drejtë se ti je Samaritan dhe se ke një demon?''. |
| 49. | Jezusi u përgjigj: ''Unë s'kam një demon, por nderoj Atin tim; ju përkundrazi më çnderoni. |
| 50. | Tani unë nuk kërkoj lavdinë time, ka kush e kërkon dhe gjykon. |
| 51. | Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ai që zbaton fjalën time, nuk do ta shohë kurrë vdekjen, përjetë''. |
| 52. | Pra Judenjtë i thanë: ''Tani njohim se ti ke një demon. Abrahami dhe profetët kanë vdekur, kurse ti thua: "Kur njëri zbaton fjalën time, nuk do ta shijojë kurrë vdekjen, përjetë". |
| 53. | Ti qenke më i madh se ati ynë Abraham, i cili ka vdekur? Edhe profetët kanë vdekur; kush pretendon se je?''. |
| 54. | Jezusi u përgjigj: ''Në qoftë se unë e përlëvdoj veten, lavdia ime s'është asgjë. Éshtë Ati im ai që më përlëvdon, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj. |
| 55. | Por ju ende s'e keni njohur, kurse unë e njoh dhe, po të thoja se nuk e njoh, do të isha një gënjeshtar si ju; por unë e njoh dhe e zbatoj fjalën e tij. |
| 56. | Abrahami, ati juaj, ngazëllohej në shpresën që të shihte ditën time; e pa dhe u gëzua''. |
| 57. | Judenjtë, pra, i thanë: ''Ti ende nuk je pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?''. |
| 58. | Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam''. |
| 59. | Atëherë ata morën gurë, që t'i hidhnin kundër tij; por Jezusi u fsheh dhe doli nga tempulli, duke kaluar midis tyre; dhe kështu u largua. |
| ← John (8/21) → |