← John (6/21) → |
1. | Pas këtyre gjërave, Jezusi kaloi përtej detit të Galilesë, domethënë të Tiberiadës. |
2. | Dhe një turmë e madhe e ndiqte, sepse shikonte shenjat që ai bënte mbi të lënguarit. |
3. | Por Jezusi u ngjit mbi malin dhe atje u ul me dishepujt e tij. |
4. | Dhe Pashka, festa e Judenjve ishte afër. |
5. | Jezusi, pra, i ngriti sytë dhe, duke parë se një turmë e madhe po vinte tek ai, i tha Filipit: ''Ku do të blejmë bukë që këta të mund të hanë?''. |
6. | Por ai e thoshte këtë për ta vënë në provë, sepse ai e dinte ç'do të bënte. |
7. | Filipi iu përgjigj: ''Dyqind denarë bukë nuk do të mjaftojnë për ata, që secili prej tyre mund të ketë një copë''. |
8. | Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga dishepujt e tij, i tha: |
9. | ''Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël; por ç'janë këto për aq njerëz?''. |
10. | Dhe Jezusi tha: ''Bëjini njerëzit të ulen!''. Por në atë vend kishte shumë bar. Njerëzit, pra, u ulën dhe ishin në numër rreth pesë mijë. |
11. | Pastaj Jezusi mori bukët dhe, pasi falenderoi, ua ndau dishepujve dhe dishepujt njerëzve të ulur; të njëjtën gjë bënë edhe me peshqit, aq sa deshën. |
12. | Dhe mbasi ata u ngopën, Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Mblidhni copat që tepruan, që të mos shkojë dëm asgjë''. |
13. | I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa nga ato pesë bukë prej elbi që u tepruan atyre që kishin ngrënë. |
14. | Atëherë njerëzit, kur panë shenjën që bëri Jezusi, thanë: Me të vërtetë ky është profeti, që duhet të vijë në botë''. |
15. | Por Jezusi, duke ditur se po vinin ta kapnin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri mbi malin, fill i vetëm. |
16. | Kur u ngrys, dishepujt e tij zbritën drejt detit. |
17. | Hipën në barkë dhe shkuan përtej detit, drejt Kapernaumit; tashmë ishte errët dhe Jezusi ende nuk kishte ardhur tek ata. |
18. | Deti ishte i trazuar, sepse frynte një erë e fortë. |
19. | Dhe pasi kishin vozitur rreth njëzet e pesë ose tridhjetë stade, panë Jezusin që po ecte mbi det dhe po i afrohej barkës dhe patën frikë. |
20. | Por ai u tha atyre: ''Jam unë, mos druani!''. |
21. | Ata, pra, deshnin ta merrnin në barkë, dhe menjëherë barka u bregëzua në atë vend ku ishin drejtuar. |
22. | Të nesërmen turma, që kishte mbetur në bregun tjetër të detit, pa se atje nuk kishte tjetër përveç një barke të vogël, në të cilën kishin hipur dishepujt e Jezusit, dhe që ai nuk kishte hipur me ta, dhe që dishepujt e tij ishin nisur vetëm; |
23. | ndërkaq kishin ardhur barka të tjera nga Tiberiada, afër vendit ku kishin ngrënë bukë, pasi Zoti kishte falënderuar. |
24. | Turma, kur pa se Jezusi nuk ishte më atje dhe as dishepujt e tij, hipi edhe ajo nëpër barka dhe erdhi në Kapernaum, duke kërkuar Jezusin. |
25. | Kur e gjetën përtej detit i thanë: ''Mësues, kur erdhe këtu?'' |
26. | Jezusi u përgjigj dhe tha: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ju më kërkoni jo pse patë shenja, por sepse keni ngrënë nga bukët dhe keni qenë të ngopur. |
27. | Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t'jua japë Biri i njëriut, sepse mbi të Ati, domethënë Perëndia, vuri vulën e tij.'' |
28. | Atëherë e pyetën: ''Çfarë duhet të bëjmë për të kryer veprat e Perëndisë?''. |
29. | Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që ai ka dërguar.'' |
30. | Atëherë ata i thanë: ''Çfarë shenjë bën ti, pra, që ne ta shohim e ta besoj-më? Ç'vepër po kryen? |
31. | Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, siç është shkruar: "Ai u dha të hanë bukë nga qielli"''. |
32. | Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se jo Moisiu jua ka dhënë bukët nga qielli, por Ati im ju jep bukën e vërtetë nga qielli. |
33. | Sepse buka e Perëndisë është ai që zbret nga qielli dhe i jep jetë botës''. |
34. | Atëhere ata i thanë: ''Zot, na jep gjithmonë atë bukë''. |
35. | Dhe Jezusi u tha atyre: ''Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje. |
36. | Por unë jua thashë: ju më keni parë, por nuk besoni. |
37. | Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë, |
38. | sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar. |
39. | Ky është vullneti i Atit që më ka dërguar: që unë të mos humbas asgjë nga të gjitha ato që ai më ka dhënë, por t'i ringjall në ditën e fundit. |
40. | Ky, pra, është vullneti i atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit''. |
41. | Judenjtë, pra, murmurisnin për të, sepse kishte thënë: ''Unë jam buka që zbriti nga qielli'', |
42. | dhe thoshnin: ''Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit, të cilit ia njohim babanë dhe nënën? Si thotë, pra, ky: "Unë zbrita nga qielli"?''. |
43. | Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''Mos murmurisni midis jush. |
44. | Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. |
45. | Në profetët është shkruar: "Të gjithë do të jenë të mësuar nga Perëndia". Çdo njeri, pra, që ka dëgjuar dhe mësuar nga Ati, vjen tek unë. |
46. | Jo s'e ka parë ndonjë Atin, përveç atij që është nga Perëndia; ky e ka parë Atin. |
47. | Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush beson në mua ka jetë të përjetshme. |
48. | Unë jam buka e jetës. |
49. | Etërit tuaj hëngrën manën në shkretirë dhe vdiqën. |
50. | Kjo është buka që zbret nga qielli, që një mund të hajë e të mos vdesë. |
51. | Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës''. |
52. | Atëherë Judenjtë filluan të diskutojnë njeri me tjetrin duke thënë: ''Si mundet ky të na japë të hamë mishin e tij?''. |
53. | Prandaj Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se, po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetën në veten tuaj. |
54. | Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. |
55. | Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku im është me të vërtetë pije. |
56. | Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të. |
57. | Sikurse Ati i gjallë më ka dërguar dhe unë jetoj për shkak të Atit, ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë edhe ai për shkakun tim. |
58. | Kjo është buka që zbriti nga qielli; nuk është si mana që hëngrën etërit tuaj dhe vdiqën; kush ha këtë bukë do të jetojë përjetë''. |
59. | Këto gjëra tha Jezusi në sinagogë, duke mësuar në Kapernaum. |
60. | Kur i dëgjuan këto, shumë nga dishepujt e tij thanë: ''Kjo e folur është e rëndë, kush mund ta kuptojë?''. |
61. | Por Jezusi, duke e ditur në vetvete se dishepujt e vet po murmurisnin për këtë, u tha atyre: ''Kjo ju skandalizon? |
62. | Ç'do të ishte po ta shihnit, pra, Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më parë? |
63. | Éshtë Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë; fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë. |
64. | Por janë disa midis jush që nuk besojnë''; në fakt Jezusi e dinte që në fillim kush ishin ata që nuk besonin, dhe kush ishte ai që do ta tradhtonte; |
65. | dhe thoshte: ''Për këtë arsye ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im''. |
66. | Që nga ai moment shumë nga dishepujt e vet u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të. |
67. | Atëherë Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: ''A doni edhe ju të largoheni?''. |
68. | Dhe Simon Pjetri iu përgjigj: ''Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme. |
69. | Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë''. |
70. | Jezusi u përgjigj atyre: ''A nuk ju kam zgjedhur unë ju të dymbëdhjetët? E një prej jush është një djall''. |
71. | Por ai fliste për Judë Iskariotin, birin e Simonit, sepse ky kishte për ta tradhtuar, ndonëse ishte një nga të dymbëdhjetët. |
← John (6/21) → |