← John (5/21) → |
1. | Pas këtyre ngjarjeve ishte një festë e Judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem. |
2. | Në Jeruzalem, afër portës së dhenve, është një pellg që në hebraisht quhet Betesda, dhe ka pesë portikë. |
3. | Nën to dergjeshin një numër i madh të lënguarish: të verbër, të çalë dhe të paralizuar, të cilët prisnin lëvizjen e ujit. |
4. | Sepse një engjëll, kohë pas kohe, zbriste në pellg dhe e lëvizte ujin; dhe i pari që hynte, mbasi uji ishte lëvizur, shërohej nga çfarëdo sëmundje që të kishte. |
5. | Aty ishte një njeri i lënguar prej tridhjetë e tetë vjetësh. |
6. | Jezusi, duke e parë shtrirë dhe duke ditur se prej shumë kohe ishte në atë gjendje, i tha: ''A dëshiron të shërohesh?''. |
7. | I lënguari u përgjigj: "Zot, unë s'kam njeri që, kur lëviz uji, të më fusë në pellg; dhe, ndërsa unë po shkoj, një tjetër zbret para meje''. |
8. | Jezusi i tha: ''Çohu, merr vigun tënd dhe ec!''. |
9. | Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci. Atë ditë ishte e shtunë. |
10. | Prandaj Judenjtë i thanë atij që u shërua: ''Éshtë e shtunë; nuk është e ligjshme për ty të ngresh vigun tënd!''. |
11. | Ai iu përgjigj atyre: ''Ai që më shëroi më tha: "Merre vigun tënd dhe ec!"''. |
12. | Atëherë ata e pyetën: ''Kush është ai njeri që të tha: "Merre vigun tënd dhe ec"?''. |
13. | Por ai që ishte shëruar nuk e dinte kush ishte, sepse Jezusi ishte larguar për shkak të turmës që ishte në atë vend. |
14. | Më vonë Jezusi e gjeti në tempull dhe i tha: ''Ja, ti u shërove; mos mëkato më që të mos të të bëhet një gjë më e keqe''. |
15. | Ai njeri shkoi dhe u tregoi Judenjve se Jezusi ishte ai që e shëroi. |
16. | Për këtë Judenjtë e përndiqnin Jezusin dhe kërkonin ta vrisnin, sepse bënte këto gjëra të shtunave. |
17. | Por Jezusi u përgjigj atyre: ''Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj''. |
18. | Për këtë Judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë. |
19. | Atëherë Jezusi u përgjgj dhe u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri. |
20. | Sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë; dhe do t'i dëftojë vepra më të mëdha se këto, që të mrekulloheni. |
21. | Në fakt ashtu si ati ringjall të vdekurit dhe u jep atyre jetën, po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do. |
22. | Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit, |
23. | që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar. |
24. | Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë. |
25. | Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë. |
26. | Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete; |
27. | dhe i ka dhënë gjithashtu autoritet të gjykojë, sepse është Bir i njeriut. |
28. | Mos u mrrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij |
29. | dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit. |
30. | Unë s'mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar. |
31. | Nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime nuk është e vërtetë. |
32. | Éshtë një tjetër që dëshmon për mua, dhe unë e di se dëshmia që ai jep për mua është e vërtetë. |
33. | Ju keni dërguar te Gjoni dhe ai i ka dhënë dëshmi të vërtetës. |
34. | Tani unë nuk e marr dëshminë nga asnjë njeri, por i them këto gjëra që ju të shpëtoheni. |
35. | Ai ishte një kandil që digjet e ndriçon; dhe ju deshët të gëzoheni për pak kohë në dritën e tij. |
36. | Por dëshmia që kam unë është më e madhe nga ajo e Gjonit; sepse veprat që Ati më ka dhënë të kryej, ato vepra që bëj unë, dëshmojnë për mua, se Ati më ka dërguar. |
37. | Dhe Ati, që më dërgoi, ai vetë ka dëshmuar për mua; ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij dhe as nuk e keni parë fytyrën e tij, |
38. | dhe nuk e keni fjalën e tij që të banojë në ju, sepse nuk besoni në atë që ai ka dërguar. |
39. | Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua. |
40. | Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën. |
41. | Unë nuk marr lavdi nga njerëzit. |
42. | Por unë ju njoh, që nuk keni dashurinë e Perëndisë në ju. |
43. | Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet, ju do ta pranonit. |
44. | Si mund të besoni ju, ju që ia merrni lavdinë njëri-tjetrit dhe nuk kërkoni lavdinë që vjen vetëm nga Perëndia? |
45. | Mos mendoni se unë ju padis tek Ati; ka kush t'ju padisë: Moisiu, në të cilin ju kishit varur shpresën tuaj; |
46. | sepse nëqoftëse ju do t'i kishit besuar Moisiut, do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua. |
47. | Por nëqoftëse ju nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t'u besoni fjalëve të mia?''. |
← John (5/21) → |