| ← John (18/21) → |
| 1. | Mbasi i tha këto gjëra, Jezusi doli me dishepujt e vet dhe shkoi përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht, në të cilin hyri ai me dishepujt e tij. |
| 2. | Dhe Juda, i cili po e tradhtonte, e njihte edhe ai atë vend, sepse shpesh herë Jezusi tërhiqej atje me dishepujt e tij. |
| 3. | Atëherë Juda mori një grup ushtarësh dhe rojat e dërguara nga krerët e priftërinjve dhe nga farisenjtë, erdhi atje me fenerë, pishtarë dhe me armë. |
| 4. | Atëherë Jezusi, duke ditur gjithçka që do t'i ndodhte, doli dhe i pyeti: ''Kë kërkoni?''. |
| 5. | Ata iu përgjigjën: ''Jezusin Nazareas''. Jezusi u tha atyre: ''Unë jam!''. Por Juda, që po e tradhtonte, ishte edhe ai me ta. |
| 6. | Sapo ai u tha atyre: ''Unë jam'', ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe. |
| 7. | Atëherë Jezusi i pyeti përsëri: ''Kë kërkoni?''. Ata thanë: ''Jezusin Nazareas''. |
| 8. | Jezusi u përgjigj: ''Ju kam thënë se unë jam; prandaj nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë''; |
| 9. | që të përmbushej fjala që kishte thënë: ''Nuk kam humbur asnjë nga ata që më ke dhënë''. |
| 10. | Atëherë Simon Pjetri, që kishte një shpatë, e nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë; dhe ai shërbëtor quhej Malk. |
| 11. | Por Jezusi i tha Pjetrit: ''Fute shpatën tënde në mill; a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?''. |
| 12. | Atëherë grupi i ushtarëve, kapiteni dhe rojet e Judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën. |
| 13. | E çuan më parë te Ana, sepse ishte vjehrri i Kajafës, që ishte kryeprifti i atij viti. |
| 14. | Kajafa ishte ai që i kishte këshilluar Judenjtë se ishte e leverdishme që një njeri të vdiste për popullin. |
| 15. | Por Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër ndiqnin Jezusit. Dhe ky dishepull ishte i njohur i kryepriftit; dhe hyri me Jezusin në oborrin e kryepriftit. |
| 16. | Por Pjetri mbeti përjashta te dera. Atëherë dishepulli tjetër, që ishte i njohur i kryepriftit, doli dhe i foli portieres dhe bëri të hyjë Pjetri. |
| 17. | Dhe shërbëtorja portiere i tha Pjetrit: ''Mos je edhe ti nga dishepujt e atij njeriu?''. Ai u përgjigj: ''Nuk jam''. |
| 18. | Ndërkaq shërbëtorët dhe rojat ndezën një zjarr me qymyr dhe qëndronin në këmbë e ngroheshin, sepse bënte ftohtë; edhe Pjetri qëndronte në këmbë me ta dhe ngrohej. |
| 19. | Por kryeprifti e pyeti Jezusin për dishepujt e tij dhe për doktrinën e tij. |
| 20. | Jezusi iu përgjigj: ''Unë i kam folur haptas botës; gjithmonë kam mësuar në sinagogë e në tempull, ku mblidhen të gjithë Judenjtë, dhe s'kam thënë asgjë në fshehtësi. |
| 21. | Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar ç'u kam thënë atyre; ja, ata i dinë gjërat që kam thënë''. |
| 22. | Posa i tha këto fjalë, një nga rojat që i rrinin afër, i ra Jezusit me shuplakë, duke thënë: ''Kështu i përgjigjesh kryepriftit?''. |
| 23. | Jezusi i tha: ''Po të kem folur keq, trego ku është e keqja; por, po të kem folur mirë, përse po më bie?''. |
| 24. | Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te Kajafa, kryeprifti. |
| 25. | Ndërkaq Simon Pjetri qëndronte aty e ngrohej. I thanë, pra: ''Mos je dhe ti nga dishepujt e tij?''. Ai e mohoi dhe tha: ''Nuk jam''. |
| 26. | Por një nga shërbëtorët e kryepriftit, farefisi i atij, të cilit Pjetri ia kishte prerë veshin, tha: ''A s'të pashë në kopsht me të?''. |
| 27. | Dhe Pjetri e mohoi sërish, dhe menjëherë këndoi gjeli. |
| 28. | Pastaj nga Kajafa e çuan Jezusin në pretorium; ishte mëngjes herët. Por ata nuk hynë në pretorium, që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin Pashkën. |
| 29. | Dhe kështu Pilati doli jashtë drejt tyre dhe tha: ''Ç'padi sillni kundër këtij njeriu?''. |
| 30. | Ata u përgjigjën dhe i thanë: ''Nëse ai të mos ishte keqbërës, nuk do ta kishim dorëzuar''. |
| 31. | Atëherë Pilati u tha atyre: ''Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj'' Por Judenjtë i thanë: ''Neve nuk na lejohet të vrasim njeri''. |
| 32. | Kjo ndodhi që të përmbushej fjala që kishte thënë Jezusi, kur kishte thënë se me ç'vdekje duhej të vdiste. |
| 33. | Atëherë Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezusin dhe i tha: ''A je ti mbreti i Judenjve?''. |
| 34. | Jezusi iu përgjigj: ''E thua ti nga vetja, apo ta kanë thënë të tjerë për mua?''. |
| 35. | Pilati iu përgjigj: ''Jam unë vallë Jude? Kombi yt dhe krerët e priftërinjve të dorëzuan tek unë; çfarë ke bërë?''. |
| 36. | Jezusi u përgjigj: ''Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha Judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej''. |
| 37. | Atëherë Pilati i tha: ''Ti, pra, qenke mbret?''. Jezusi u përgjigj: ''Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim''. |
| 38. | Pilati e pyeti: ''Ç'është e vërteta?''. Dhe, si foli këtë, doli përsëri para Judenjve dhe u tha atyre: ''Unë nuk po gjej në të asnjë faj! |
| 39. | Por ndër ju është zakon që unë t'ju liroj dikë për Pashkë; a doni, pra, që t'ju liroj mbretin e Judenjve?''. |
| 40. | Atëherë të gjithë bërtitën përsëri, duke thënë: ''Jo këtë, por Barabanë!''. Por Baraba ishte një kusar. |
| ← John (18/21) → |