| ← John (15/21) → |
| 1. | ''Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari. |
| 2. | Çdo shermend që nuk jep fryt në mua, ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt. |
| 3. | Ju tashmë jeni të pastër, për shkak të fjalës që ju kumtova. |
| 4. | Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua. |
| 5. | Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë. |
| 6. | Në qoftë se ndokush nuk qëndron në mua, hidhet jashtë si shermendi dhe thahet; pastaj i mbledhin, i hedhin në zjarr dhe digjen. |
| 7. | Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t'ju bëhet. |
| 8. | Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi. |
| 9. | Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time. |
| 10. | Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij. |
| 11. | Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë. |
| 12. | Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve. |
| 13. | Askush s'ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij. |
| 14. | Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj. |
| 15. | Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç'bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjëra që kam dëgjuar nga Ati im. |
| 16. | Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të jetë i qëndrueshëm, që, çfarëdo gjë që t'i kërkoni Atit në emrin tim, ai t'jua japë. |
| 17. | Këtë ju urdhëroj: ta doni njëri-tjetrin. |
| 18. | Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua para jush. |
| 19. | Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren. |
| 20. | Kujtoni fjalën që ju thashë: "Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti". Nëse më kanë përndjekur mua, do t'ju përndjekin edhe ju; nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën. |
| 21. | Të gjitha këto gjëra do t'jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më ka dërguar. |
| 22. | Po të mos kisha ardhur dhe të mos u kisha folur atyre, nuk do të kishin faj; por tani ata nuk kanë asnjë shfajësim për mëkatin e tyre. |
| 23. | Kush më urren mua, urren edhe Atin tim. |
| 24. | Po të mos kisha bërë në mes tyre vepra që askush tjetër nuk ka bërë, nuk do të kishin faj; por tani, përkundrazi, e kanë parë, dhe më kanë urryer mua dhe Atin tim. |
| 25. | Por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre: "Më kanë urryer pa shkak". |
| 26. | Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t'ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua. |
| 27. | Edhe ju, gjithashtu, do të dëshmoni, sepse ishit me mua që nga fillimi''. |
| ← John (15/21) → |