| ← John (13/21) → |
| 1. | Por përpara festës së Pashkës, Jezusi, duke e ditur se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund. |
| 2. | Dhe, kur mbaroi darka, mbasi djalli i kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, ta tradhtonte, |
| 3. | Jezusi, duke ditur se Ati i kishte dhënë gjithçka në duar, dhe se ai kishte dalë nga Perëndia dhe te Perëndia po kthehej, |
| 4. | u ngrit nga darka dhe hoqi rrobat e tij, mori një peshqir dhe u ngjesh. |
| 5. | Mbasi hodhi ujë në një legen, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t'ua fshijnte me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur. |
| 6. | Erdhi, pra, te Simon Pjetri. Dhe ai i tha: ''Zot, ti të m'i lash këmbët mua?''. |
| 7. | Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Atë që po bëj unë, ti tani nuk e kupton, por do ta kuptosh mbas kësaj''. |
| 8. | Pjetri i tha: ''Ti kurrë nuk do të m'i lash këmbët''. Jezusi iu përgjigi: ''Po nuk të lava, ti nuk do të kesh pjesë me mua''. |
| 9. | Simon Pjetri i tha: ''Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën''. |
| 10. | Jezusi i tha: ''Ai që është i larë, s'ka nevojë veçse të lajë këmbët dhe është krejt i pastër; edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë''. |
| 11. | Sepse ai e dinte se kush do ta tradhtonte, prandaj tha: ''Nuk jeni të gjithë të pastër''. |
| 12. | Kështu, mbasi ua lau këmbët, mori përsëri rrobat e tij, zuri vend rishtas në tryezë dhe u tha atyre: ''A e kuptoni këtë që ju kam bërë? |
| 13. | Ju më quani Mësues dhe Zot, dhe mirë thoni, sepse jam. |
| 14. | Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t'i lani këmbët njëri-tjetrit. |
| 15. | Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju. |
| 16. | Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar. |
| 17. | Po t'i dini këto gjëra, të lumur jeni ju nëse do t'i bëni. |
| 18. | Nuk po flas për ju të gjithë; unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet ky Shkrim: "Ai që ha bukën me mua, ka ngritur thembrën kundër meje". |
| 19. | Po ju them që tani, para se të ndodhë, që, kur të ketë ndodhur, të besoni se unë jam Krishti. |
| 20. | Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush pranon atë që dërgoj unë, më pranon mua; dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar''. |
| 21. | Mbasi i tha këto fjalë, Jezusi, u trondit në frymë, dhe dëshmoi e tha: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë''. |
| 22. | Atëherë dishepujt u panë njëri me tjetrin, por nuk arrinin të kuptonin për kë po fliste. |
| 23. | Por një nga dishepujt e tij, të cilin Jezusi e donte, ishte mbështetur te kraharori i Jezusit. |
| 24. | Atëherë Simon Pjetri i bëri shenjë të pyeste kush ishte ai për të cilin foli. |
| 25. | Dhe ai dishepull, duke u përkulur mbi kraharorin e Jezusit, e pyeti: ''Zot, kush është?''. |
| 26. | Jezusi u përgjigj: ''Éshtë ai të cilit do t'i jap kafshatën, pasi ta kem ngjyer''. Dhe e ngjeu kafshatën e ia dha Judë Iskariotit, birit të Simonit. |
| 27. | Dhe pas kafshatës, Satani hyri në të. Atëherë Jezusi i tha: ''Ç'ke për të bërë, bëje shpejt!''. |
| 28. | Por asnjë nga ata që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse ai e tha këtë. |
| 29. | Disa në fakt mendonin se, duke qenë se Juda e mbante qesen, Jezusi i kishte thënë: ''Bli gjërat që na duhen për festën''; ose që t'u jepte diçka të varfërve. |
| 30. | Ai, pra, mori kafshatën dhe doli menjëherë. Ishte natë. |
| 31. | Kur doli ai, Jezusi tha: ''Tani Biri i njeriut është përlëvduar dhe Perëndia është përlëvduar në të. |
| 32. | Në qoftë se Perëndia është përlëvduar në të, Perëndia do ta përlëvdojë edhe në vetvete dhe do ta përlëvdojë menjëherë. |
| 33. | Djema, edhe për pak kohë jam me ju; ju do të më kërkoni, por ashtu siç u kam thënë Judenjve: "Atje ku po shkoj unë ju nuk mund të vini". Kështu tani po ju them edhe juve. |
| 34. | Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. |
| 35. | Prej kësaj do t'ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin''. |
| 36. | Simon Pjetri i tha: ''Zot, ku po shkon?''. Jezusi iu përgjigj: ''Atje ku po shkoj unë, ti nuk mund të më ndjekësh tani; por më vonë do të më ndjekësh''. |
| 37. | Pjetri i tha: ''Zot, pse nuk të ndiqkam dot tani? Unë do të jap jetën time për ty!''. |
| 38. | Jezusi iu përgjigj: ''Ti do ta japësh jetën tënde për mua? Në të vërtetë, në të vërtetë po të them: gjeli nuk do të këndojë, para se ti të më kesh mohuar tri herë!''. |
| ← John (13/21) → |